“Po të kesh talent i bën të gjitha!”

655
Sigal

Ja si shprehet modelistja dhe fotomodelja Ornela Bardhi për rrugën e saj artistike

Një vajzë e qetë, por tepër kurajoze. Rastësia e çoi si modele dhe prej asaj kohe në bankat e shkollës ajo s’u shkëput nga pasarelat e modelingut, madje e shtoi dëshirën edhe më tej duke u bërë edhe fotomodele.  Ndoshta dikujt për vetë profesionet që ka do t’i duket paksa paradoksale që ajo nuk e pranon bashkëjetesën, por është për një familje tradicionale. Për të dashuria është e shenjtë dhe gjithçka në jetë e bazon tek puna dhe studimi.

Kur ka filluar si modele dhe foto modele Ornela dhe kush e ka zbuluar për herë të parë?

Si modele kam filluar në vitin  2006, ku kam bërë sfilatë rastësisht për një stiliste të shkollës “Euro Mod Scoull”, ku gjithashtu sfilatat janë transmetuar nga “Top Chanel”  tek emisioni i mëngjesit. Aty kam zbuluar veten.

Si jeni ndjerë në momentin e sfilatës së parë dhe çfarë modeli keni prezantuar. Çfarë moshe kishit? 

Kur bëra sfilatën e parë isha 18 vjeç dhe kisha emocione normale, por ndjehesha e lirshme. Nuk e di pse disa gjëra mendoj që janë të lindura disa të tjera mund t’i kesh gjatë jetës.

Sa e vështirë është sot të jesh modele dhe fotomodele? 

S’besoj se është shumë e vështirë, mjafton të kesh talent për atë që mendon se je apo bën dhe gjithçka arrihet.

A jeni e kufizuar nga jeta private me këtë profesion?

Natyrisht që po. Të kesh këtë profesion do të thotë që je gjithmonë në udhëtime dhe koha për jetën private s’është shumë premtuese.

Kur e keni ndjerë veten me keq në profesionet tuaja?

Veten më keq e kam ndjerë para disa vitesh, ku mora pjesë në një dramë që bëhej për maratonën e shkollave…S’kam lidhje me dramën!

A jeni e detyruar të mbani dietë dhe cila është dieta juaj? 

Po dietë mbaj gjithmonë. Nuk abuzoj me ushqimet, sidomos yndyrat karbohidratet i mbaj larg.

Cilat janë të përbashkëtat dhe të veçantat e modeles dhe të fotomodeles?

E përbashkëta është se kanë të njëjtin zhanër, kurse të veçantat janë se të jesh modele kërkon të kesh një trup perfekt, të jesh e gjatë, domosdomërisht dhe fotozhenike, kurse fotomodele duhet të kesh një fytyrë perfekte dhe s’ka rëndësi gjatësia.

A ka moshë ky profesion?

 S’ka moshë.

Cilat modele me famë botërore janë idhull për ju? 

Naomi Campell.

Një përkufizim për dashurinë? 

Dashuria për mua është tri herë respekt, që do të thotë në fillim marr shumë respekt, pastaj jap të njëjtën dhe pastaj o jap shumë dhe s’më kthehet ose e kundërta. Pra për mua dashuria “Romeo e Zhuljeta” nuk ekziston, sidomos në kohën e sotme. Të dashurosh është diçka e shenjtë, por problemi është a të kthehet dhe kë dashuron!

Jeni supersticioze?

Besoj tek puna dhe intelekti im.

Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

Lidhjet nuk i kam shumë të mira. Kuzhina e preferuar për mua është ajo franceze.

Cilat janë problemet më të pikante të femrës shqiptare sot?

Problemet janë të shumta si p.sh dhuna ndaj femrës, papunësia e madhe, barazimi dhe nënvleftësimi.

Mendimi juaj për bashkëjetesën? 

Jam kundra bashkëjetesës.

Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë? 

Të jesh vetvetja.

Një ditë pune e zakonshme?

Normale si të gjitha ditët. Tashmë na është bërë rutinë.

Ku preferoni t’i bëni pushimet?

Në Maldive.

Cili është për ju modeli i politikanes?

Hilari Klinton

Veshja e preferuar?

Klasikja është veshja që preferoj më shumë.

Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Tek një njeri vlerësoj pamjen dhe inteligjencën. Kritikoj sjelljen edhe veshjen jo harmonike.

Keni ndonjë peng në jetë?

Jo.

Ç’është familja për ju?

Familja për mua është shumë e shenjtë dhe s’do ta ndërroja me asgjë në botë.

A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Jo mjaftueshëm për t’u krahasuar me femrat në botë!

Po politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

Jo akoma si ka lënë ato hapësira të plota që i takojnë.

A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

Po, është dhe format shprehëse janë të shumta.

Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni simpatike apo jeni inteligjente?

Pak nga të dyja.

Cilat janë planet tuaja në sirtar në marrëdhënie me idetë profesionale dhe ato komerciale?

Planet janë të shumta veçanërisht në ato profesionale, do t’jua tregoj së shpejti kur të më realizohen.