Pirro Miso/Gabimet e grupeve të kontrollit gjatë përgatitjes së festivalit të Gjirokastrës

562
Edhe pse problemet e shumta të organizimit të një festivali masiv muzikorë ku trupëzohen mjaft disiplina shkencore të ndërlikuara, hartoheshin dikur nga profesionistët, kontrolli i grupeve para paraqitjes së grupeve në skenën e festivalit ka qënë tradicionalisht i domosdoshëm dhe kryhej me seriozitetin më të lartë po nga këta ekspertë të mirëfilltë të fushës. Me qenë se “kriteret shkencore” edhe këtë radhë u riparaqitën pa ndryshim nga persona jashtë profilit, pa trajtesa të profileve etnomuzikore, duhej më shumë se kurdoherë, prania orientuese e njohësve të vërtetë të specialitetit të muzikës në terren me qëllim kompensimin në praktikë, në mungesë të orientimeve tërësisht të gabuara, të cilat u dhanë përmes kritereve shkencore të hartuara nga KSH i IAKSA, pranë QSA e, kurrsesi nuk mund të kuptohej që persona të tjerë, të zakonshëm, pa njohuritë e nevojshme, të kalonin kohën me praninë e tyre në pseudokontrollet. Edhe kjo dukuri organizative, që duhej të realizohej nga profesionistët, këtë radhë nuk ndodhi por e kundërta, çka bëri që pjesëmarrja në grupeve të kontrollit, nga njerëz të pa njohur në fushat përkatëse, të kthehej në turma soditësish duke e degjeneruar edhe më tej cilësinë e paraqitjes të grupeve artistike folklorike. Këto gupe u orientuan si zakonisht, nga një etnografe, studiues të letërsisë gojore, muzikantë, e të tjerë, tërësisht të pa njohur në fushat studimore të profilit të cilët e kanë quajtur veten abuzivisht si “folkloristë”, pjesëtarë të hartimit të kritereve shkencore drejtuar Ministrisë së Kulturës, pikërisht ata që drejtuan e organizuan edhe kontrollin në grupet konkurruese nëpër qarqe. 
Për ta bërë më të qartë procesin degjenerues të organizimit të ngjarjes më të rëndësishme të muzikës tradicionale që organizohet nga institucionet shkencore dhe qendrore kulturore, njëherë në katër ose pesë vjet, është e nevojshme që të qartësohet edhe më tej përmes argumenteve, se si u organizua ky proces i fazës së dytë i këtij festivali mbarëkombëtarë, ndikimin që pati në degjenerimin e mëtejshëm në traditat muzikore nën pseudoorientimin e një platforme të ripërsëritur që nuk përmbante asgjë profesionale. Por, ajo që e thelloi më tepër këtë katrahurë organizimi ishte kontributi negativ i pjesëtarëve të grupeve të kontrollit, jashtë profilit të fushës, të cilët u shpërblyen edhe me dieta për të bërë një xhiro turistike në “shërbim të seleksionimit e të përmirësimit” të gjendjes gjatë procesit të organizimit të muzikës tradicionale ku rezultatet degjeneruese të këtij operacioni po demonstrohen aktualisht në ekranet e televizioneve shqiptare. Në mjediset folklorike specialistët hasen shpesh me modifikime dhe deformime jashtë traditës që rëndom bëhen nga bartësit në zhanret muzikore, në instrumentet e tyre muzikorë, fakt që këtë radhë u panë më dendur se sa në festivalet e kaluara të verifikuara përmes emisioneve televizive që i dedikohen muzikës dhe instrumenteve tradicionale, disa të ashtuquajtur prej tyre të “temperuar” kur dihet që këta instrumente të deformuar në organin më themelorë të traditës, ndikojnë thellësisht në ndryshimin edhe të strukturës së melodive tradicionale mikrotonale e si rrjedhojë, në temperamentet emocionale të tyre, dukuri të cilat u demonstruan rëndom në skenën e FFK të Gj-ës e aktualisht në ekranet e televizioneve shqiptare. Në mjedisin e grupeve pjesëmarrëse në përgatitjen e FFK të GJ-ës duhet të kuptohet se edhe personalitetet e artit të kultivuar si kompozitore, instrumentistë të artit kult, kritikë arti, muzikologë, etj., të përmendur edhe në statutin e FFK të GJ-ës si të domosdoshëm, nuk duhet të aktivizoheshin, qoftë edhe në hartimin e kritereve shkencore e madje edhe në ato organizativet pasi specifika e muzikës tradicionale ka ligjësitë e veta. Natyrisht, nga të lartpërmendurit, nuk mund të pretendohet që të njohin në thellësi etnomuzikologjinë dhe etnoorganologjinë. Pikërisht për këtë arsye, është në nderin e tyre që edhe ata vetë duhet ta refuzonin këtë ftesë bashkëpunimi apo pjesëmarrjeje pasi nuk kanë se çfarë të japin e si të tillë nuk duhet të ishin pjesëtarë në këto komisione pasi prania e tyre më shumë dëmtoi se sa korrigjoi apo ndihmoi zhvillimin e traditës. Në këtë mjedis, pseudoorganizatorët abuzues edhe këtë radhë zgjodhën rëndom autoritete të njohur të muzikës së kultivuar për të mbuluar dhe argumentuar “rezultatet pozitive” të këtyre komisioneve, realisht emra pa kontribute në fushat studimore të cilët u përdorën si masha edhe këtë radhë vetëm për të plotësuar rregullin numerik të tyre. Vetë këta autoritete mendoj se nuk duhet te ndjeheshin komod në një kurth të tillë, të futur qëllimisht nga organizatorët abuzues pasi, pa dyshim, nisur rëndom edhe nga ndonjë përfitim material i çastit, personaliteti i tyre edhe në këtë event u vu në diskutim. 
Specialistët duhet të kenë autoritetin shkencor të përjashtimit të këtyre dukurive, të rikujtimit dhe rikrijimit të vlerave autentike tradicionale e jo siç po ndodh aktualisht që këto komisione me komponentë të pa kualifikuar përjashtuan edhe bartës të shquar të muzikës tradicionale që janë njëkohësisht edhe teknologët unikalë, të njohur ndërkombëtarisht përmes konferencave shkencore në vendet europiane. Të konsoliduar me çmime ndërkombëtare e të njohur si instrumentistët më me integritet të traditës në një kulturë shpirtërore e materiale e ruajtur që prej 3000 vjetësh, siç është një prej syresh, rasti i bartësit të shquar kombëtar e ndërkombëtarë, Pal Ded Gjonaj, emblema e traditës mijëravjeçare e traditës instrumentale të rrethit të Lezhës, i vetmi e i pazëvendësueshmi në llojin e vetë, u përjashtua edhe nga grupi artistik pjesëmarrës në këtë festival, pikërisht nga autoriteti i kontrollit të IAKSA, pranë QSA. Këtij të fundit i duhej të sorollatej disa ditë nëpër dyert e institucioneve për të rikthyer praninë e tij në këtë festival. Me injorancën e tyre, që në fillim këta komisionarë, që nuk njohin specifikat e muzikës tradicionale, që në fillim paralajmëruan një dështim skandaloz të këtij organizimi, ku rezultatet e pranisë së tyre abuzive po i shohim me shumicë përmes ekraneve televizive. Që në fillim të komunikatës së Ministrisë së Kulturës u tha se: “Do të ketë rregulla për të sjellë në skenë vlerat më të mira kombëtare, dhe gjatë këtyre ditëve ne do të punojmë dhe me specialistët e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të vendosur disa rregulla strikte për festivalin, lidhur me kostumet popullore, muzikën, tekstet popullore”, etj. Nga kjo thënie mediatike u la të kuptohen dy gënjeshtra të mëdha të cilat edhe u vërtetuan katërçipërisht në ecurinë e festivalit: Së pari, që një festival të këtë rregulla strikte, do të thotë që këto rregulla dinë e duhet t’i vendosin vetëm ekspertët e fushës që edhe i njohin ato e jo ata që janë jashtë profilit dhe së dyti, në IAKSA, pranë QSA, nuk ekziston qoftë edhe një ekspert i vetëm i fushës që përkon me boshtin themelor të FFK të Gj-ës por vetëm “studiues” që prej kohësh me maskat e tyre po mashtrojnë duke vepruare u vetëquajtur si specialistë në fushën e etnomuzikologjisë. 
Roli që luajti Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike
Këto rreshta shërbejnë edhe për institucionin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, institucioni themelorë i organizimit të festivaleve rajonale e kombëtare që varet drejt për drejt nga Ministria e Kulturës. Fokusi në këtë rast qëndron veçanërisht për drejtoreshën e re të kësaj qendre, e vendosur kohët e fundit në një institucion të rëndësishëm për trashëgiminë etnomuzikore, një “eksperte” tërësisht e pa njohur deri tani si personalitete e fushës, e emëruar disa muaj para organizimit të kësaj veprimtarie madhore. Që në fillim të karrierës së kësaj drejtuese u konstatua mungesa e theksuar e interesit për të njohur sa do pak, si hap i pare edhe qëllimin themelor të ngritjes nga Qeveria të këtij institucioni ku edhe vetë sa po është emëruar si titullare. Kësaj drejtuese i u kërkua disa here nga studiuesit më me eksperience të fushës së etnomuzikologjisë të merrte takime para organizimit të këtij eventi madhor me qëllimin e mire për ta orientuar drejt atë rreth specifikave të një sektori të ri për të cilën, jo vetëm që nuk mbarte as edhe një eksperience të vetme vetjake por edhe e pa profilizuar në disiplinat shkencore për të cilën edhe është emëruar. Për fatin e keq të kësaj drejtuese ose për ndikimin që mund të ketë patur ndoshta edhe nga spekulues nga të cilët ajo u gjend e rrethuar tashmë, që në fillim të karrierës, i mohoi këto përpjekje të studiuesve duke lënë të kuptohej se nuk kishte nevojë të merrte eksperiencë nga specialistët e mirëfilltë, nga botuesit e veprave akademike në fushën e traditës muzikore, nga studiuesit e terrenit si dhe nga autorët dhe hartuesit e platformave shkencore të dikurshme. 
Ishte detyrë e këtij emërimi që kjo drejtuese e këtij institucioni më të rëndësishëm organizativ, pikësëpari, të njihte historikun e organizimeve të Festivaleve Rajonale dhe Kombëtare të zhvilluara më parë, madje edhe të lexonte vërejtjet që i janë bërë festivaleve të mëparshme në materialet e dërguara përmes postës elektronike në adresë të saj. Në këtë rast, kësaj drejtueseje, tashmë nuk mund t’i thuhet asgjë rreth një sjelljeje të tillë. Me pak fjalë, që në fillim po duket e ardhmja e këtij institucioni. Me keqardhje mund të themi se, në ditët e sotme është konsoliduar në modë nga disa përfitues karrieristë me synime për emërime në pozicione në hierarkinë e titullarëve në institucionet kryesore. Rëndom kjo dukuri ndodh kryesisht me ata persona të cilët edhe pse e dinë se janë kontingjente të pa specializuar e të pa profilizuar, janë pikërisht ata të pa interesuarit për të ngritur dhe përmirësuar cilësinë e institucionit ku janë emëruar. Këta drejtues, e konsiderojnë ngritjen e tyre në detyra madhore të katapultuara, jo si një detyrë morale e profesionale por si një privilegj nga i cili vetëm mund të përfitohet. Me sa duket ky institucion, në vend që të shënonte një rilindje, në zbatim të synimeve e drejtimeve qeveritare, po e katandis më thellë traditën mijëra vjeçare muzikore në rrugë institucionale në një funeral të pa shmangshëm. 
Sigal