Pirro Mani: Me porosi të Ramizit, vura për 2 dit dramën ‘Pamje nga ura’ e ndreqa përkohësisht biografinë

665
PAK FAT DHE TALENTI SHPËRTHEU
Po si arriti të çaj nëpër shtigjet e zëna artisti i ardhshëm Pirro Mani? Mjaftojnë pak shembuj, për të parë shtigjet, nëpër të cilat nisi e ndrojtur, dhe jo pak herë e rrezikuar ngjitja e Pirro Manit. Rastësia e bën fitues të Konkursit për Liceun Artistik. Edhe tani i duket se gjithçka erdhi si në një ëndërr. Kishte shkuar me dy shokë që do të konkurronin për teatër, thjesht për t’i shoqëruar. E sheh artisti, i miri Besim Levonja, dhe i thotë: -Hajde dhe ti djalë! Pirro e kujton sikur të kishte ndodhur dje ajo rastësi që e çoi tek teatri. – Çfarë di të recitosh?- e pyet Besimi.
Recitoi ca vargje nga “Bagëti e Bujqësi”. Pastaj artisti e provokon papritmas:- ”Gjarpri, te këmbët e tua!”
Pirro, i trembur, u hodha përpjetë, bëri nja dy salto si atlet dhe kaq. Të nesërmen emri i tij ishte tek lista e fituesve. Për një çast e harron hijen e babait, por nuk e harronin ata, që kishin çelësat e pallatit të dosjeve. Gjithsesi e mbaroi shkëlqyeshëm Liceun, por ia refuzojnë kërkesën për shkollë të lartë. -”Jo, ti je i biri i kolaboracionistit, Kosta Mani. Në kazmë djalë, të edukohesh njëherë, pastaj shohim e bëjmë!
Dhe Pirro kishte marrë kazmën dhe duke e ngulur thellë, përpiqej që të nxirrte inatin ndaj absurdit, që ia pat bërë shpirtin copë. Më pas i qethën kokën dhe e çuan ushtar. Por edhe atje nuk hoqi dorë nga ëndrra, teatri. Vunë në skenë komedinë e Besim Levonjës “Prefekti”. Pirro luajti Qazim Mulletin, kurse një ushtar tjetër luajti Hajrijen. Ata që e ndiqnin mbanin shënime në dosjet e tyre për birin e armikut. Por dikur, ata, shefat e kuadrit, sikur i kishte kapur gjumi, ose bënin sikur flinin, rekomandimet e artistëve, ish mësuesve të tij i çelin rrugën për studime në Moskë. Veçse, ata të tjerët, nëpunësit e pallatit të dosjeve, nuk harronin. Pirro Mani do të ndeshej sërish me absurdin. Sapo kishte mbaruar shkëlqyeshëm studimet për regjisurë në Moskë (ku pat shkuar falë dorës së ngrohtë të artistit Besim Levonja, ndoshta dhe rekomandimit të mësuesit të tij, mjeshtrit të skenës, Kadri Roshi, pas peripecive e përplasjeve me hijen e padukshme të të atit, që burokratët cinikë ia nxirrnin sa herë ai synonte një pistë të re vrapimi). Pas studimeve, kur troket në Ministri për emërimin, nëpunësi i’ a kumtoi pa ceremoni emërimin. 
– Në Kukës djalosh! Pirro i shokuar nga ky emërim, pyet më tepër veten se sa shefin burokrat. -Unë në Kukës?
– Po, atje shko e bëj thiatro! 
– Më falni , por unë kam mbaruar për regjisurë teatri. Sikur nuk ka teatër në Kukës.
Ai, shefi: -A je Pirro Mani ti? 
-Pirro: -Po, unë jam!
Shefi: – I Kosta Manit je ti? 
Pirro: – Po!
Shefi: -Mos e zgjat, shko në Kukës! Ik tashti se nuk e ke llangar biografinë, merr vesh. Ata po e emëronin në Kukës, Pirro Manin që kishte shkëlqyer në Moskë, në vendin e kolosëve të teatrit, ndoshta për ta thyer, që të shpërthente dhe pastaj e dinin ata se ç’të bënin. 
SHKËLQIMI NË SKENËN RUSE
Atje në Moskë, fati dhe talenti i’ a patën përkëdhelur shpirtin artistit të ardhshëm. Ata të dosjeve kishin mbetur larg. Ai që fatlum sepse studioi në shkollën e famshme në Institutin Shtetëror të Artit Teatror GITIS,ku fitoi diplomën e studentit më të shkëlqyer (pas 40 vjetësh do t’ia sillnin atë diplomë). Fati e ndihmoi edhe pse pati si pedagogë emra shumë të njohur të teatrit rus, si drejtorin e Teatrit Dramatik të Moskës, udhëheqësin artistik të teatrit “Majkovski”, një ndër regjisorët më të mëdhenj moskovitë dhe atij rus, Aleksej Mihajlloviç Gonçarovin, nxënësin e drejtpërdrejtë të Stanislavskit të paarritshëm, brezit të fundit që qe ende gjallë aso kohe. Pikërisht ky njeri i shquar i teatrit zbuloi tek Pirro Mani, një temperament të veçantë skenik dhe i besoi atij rolin e Edi Karbones tek “Pamje nga ura” e shkruar nga dramaturgu amerikan, Arthur Miler.
Tregon Pirro: -Rolin e Edi Karbones e mora me shumë pasion. Jetoja orë e çast me të. Ky ishte një shans që një herë të troket në derë. Dhe unë e kapa fort dhe s’doja ta lëshoja kurrsesi. 
Pirro Mani i dha Edi Karbones, shpirt nga shpirti i tij. Qe një sukses roli i shqiptarit në atë dramë. Të gjitha gazetat e artit, e merrnin në intervista, fansat i kërkonin gjithandej autografe. Madje u shkrua se “ky shqiptari e luan më bukur se Sokollovski”, një nga aktorët më të shquar rusë të kohës. Madje u pëlqye në mënyrë të veçantë theksi ruso-shqiptar i Edi Karbnes (Pirros). Ndoshta gjithçka lidhej me faktin se Karbone ishte emigrant Italian në Amerikë, ndërsa Pirro ishte shqiptar student në Rusi. Është e vështirë që të përcjellësh në pak radhë atë jehonë që pati roli i realizuar mjeshtërisht nga Pirro Mani. Njëri prej kritikëve dhe estetët më të njohur rus dhe europian, Allpers, pasi kishte parë shfaqjen “Pamjen nga ura”, qe shprehur: “Më kishte marrë malli ta shoh Mihail Çehovin. Tani që pashë Edi Karbonen e Pirro Manit, mu ringjall Mihail Çehovi.” Dhe Pirro nuk u besonte veshëve që ky kritik i njohur po e krahasonte me një njeri aq të shquar, një nga aktorët më të mëdhenj të Teatrit të Moskës, i arratisur asokohe në Amerikë, ku qe bërë aktor protagonist në Hollyëood. Në një nga shfaqjet “Pamje nga ura ” asistoi edhe ish partnerja e të madhit Aleksandër Moisiu, aktorja e njohur gjermane, Korner. Shprehjet e saj vlerësuese i mbollën gazetarët në kolonat e gazetave moskovite:”Jam e lumtur që takoj këtu në Rusi një aktor shqiptar, nga vendi i Moisiut të madh.” Aktorja, kujton Pirroja, u mallëngjye shumë, madje filloi të ngashërehej në lot duke kujtuar Moisiun e madh. Pirro e sjell edhe tani në kujtesë çastin fatlum të takimit me aktoren Korner, madje ai qe skuqur e qe hutuar ca si shumë kur ajo e pat lëvduar hapur, në sy të të tjerëve: “Më vjen mirë që Shqipëria paska dhe nxënës të Moisiut”. Kur mbaroi studimet, studenti i shkëlqyer Pirro Mani pati oferta konkrete për të qëndruar në Teatrin e Moskës, por ai ishte idealist, dhe si i tillë do të vinte dhe do t’i shërbente Atdheut. Ishte idealist siç kishte qenë i ati, i cili duke e marrë Pirron pas vetes nëpër Shqipëri, kur ndërtonte ura e lidhte rrugë, i fliste atij se sa i bukur ishte Atdheu. Atdheu kishte plagë dhe ky, Kosta, përpiqej t’ia shëronte me projektet e veta. Ndërsa i biri, ky artist që kishte ardhur plot ëndrra për teatrin nga Moska, përplasej në realitetin absurd të burokratëve cinikë, të gardianëve të biografive, që ia vrisnin shpirtin me porositë cinike: Kujdes, ëëë, se ta dimë biografinë! 
MISIONARI I TEATRIT
Pirro, pas kthimit, përpiqej t’u qëndronte larg shpirtzinjve të biografive, po s’i shqiteshin ata. Veçse ishte i bindur se ai ishte misionar i artit në përgjithësi dhe i teatrit në veçanti, dhe nuk duhej të dorëzohej. Pirro Mani do ta tregonte veten në Korçë, ku e emëruan regjisor të teatrit. I’ u fut punës plot pasion. Përsëri thirri në ndihmë Arthur Milerin. Vuri në skenë “Pamje nga ura”, por nuk u rrek që të imitonte ustain e vet rus, zëri i të cilit ende i tingëllonte në veshë “Ti Pirro nuk duhet të na kopjosh ne, t’i duhet të na kthesh krahët”. Dhe Pirro e vuri në skenë “Pamje nga ura”, sipas konceptit të tij, që më vonë do të thirrej me emrin e tij të përveçëm, alla Pirro Mani. Regjisori i ri do ta udhëhiqte vetë trupën në skenë përmes rolit të Edi Karbones të luajtur mjeshtërisht nga ai vetë. Dhe Korça e duartrokiti Pirro Manin. Madje në sallë kishte pasur dhe diplomatë e gazetarë të huaj. Të gjithë e pëlqyen spektaklin. Më pas u dëgjuan bishta se shfaqja përcillte frymë revizioniste. Nuk vonoi urdhri: Të pezullohet shfaqja! Pas shkëlqimit kishte ardhur rënia, ose siç shprehet Pirro, vetë shkëlqimi kishte rënë në kurth. Pirro e kujton ngjarjen edhe sot, tek rrezatohet në verandën e shtëpisë së tij të bukur në Harrison, një prej lagjeve piktoreske të Neë Yorkut. Kujton ai: Partiakët e vegjël të periferisë nënqeshnin dhe përkëdheleshin si fitimtarë: Partia kishte qenë syçelë, ata qenë vigjilentë dhe nuk kishin lejuar që të helmatiseshin spektatorët me pikëpamje revizioniste. Pirro e pa veten të goditur, por ende nuk ishte rrëzuar në ring. Fryjnë ndonjëherë erërat e rastësisë dhe si pa dashje ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Një nga të mëdhenjtë e piramidës, Ramiz Alia, shkon në Korçë për konferencë partie. Ai kishte parë “Pamje nga ura” atje në Moskë, atje i kishin thënë se një shqiptar e kishte luajtur më mirë se Sokollovski. Dhe ky kishte pyetur partiakët e Korçës. Ku është ky njeri, përse nuk po e shoh këtu? Ata, shërbëtorët e vegjël, që patën fërkuar duart se kishin qenë vigjilent, u ndriti buzëqeshja: – Bëri një shfaqje me gabime të rënda ideologjike, nuk pati sukses, prandaj e hoqëm nga repertori. -Çfarë gabimesh ideologjike, ajo është shfaqur në Bashkimin Sovjetik. Dhe ata, shërbëtorët e veckël, turravrap gjetën Pirron dhe duke i’ u servilosur, i dhanë lajmin se e kërkonte i madhi. Pyetja e të madhit të partisë, për çudinë e shërbëtorëve të vockël, qe e papritur. A mund ta bësh gati shfaqjen brenda dy ditësh? Pirro mezi e priste këtë pyetje dhe vrapoi në skenë, mblodhi trupën dhe pas dy ditësh shfaqja qe gati. Pirro ende i kujton ato çaste të rënda në skenën e pas shfaqjes, kur salla ende nuk po guxonte të reagonte. Ai, i madhi qe ngritur dhe i qe drejtuar skenës. Heshtje akulli. Pirros, i binin djersë të ftohta. Ishte në provë. Loja kishte qenë e shkëlqyer, por pritej reagimi i të madhit. Të gjithë qëndronin të ngrire. Heshtja i vriste shpirtin. Mos vallë sërish do të vinte pezullimi? Përsëri akulli do t’ia ftohte shpirtin regjisorit? Ndëshkim? Pirro ndiqte hapat e të madhit që dukej sikur çapitej enkas ngadalë dhe koha sikur nuk shtyhej, sekondat dukeshin orë. Ramizi, pasi kishte mbërritur në skenë e kishte shkrirë akullin vetëm me një fjali magjike që u drejtoi aktorëve: “Ore, unë e kam parë shfaqjen me atë aktorin e madh rus, Sokollovskin, por ky djali juaj sikur luan më bukur”. Kaq u desh, akulli shkriu. Stuhi duartrokitjesh, edhe ata shërbëtorët e veckël servilë, që e kishin zbuluar ideologjinë revizioniste në rastin e pezullimit, tani duartrokisnin më fort. Drama “Pamje nga ura” që e bëri aq të suksesshëm në Moskë, që u ngjall pasi e vdiqën në Korçë, korri sukses të jashtëzakonshëm. Staticientët kanë shënuar se ajo qe dhënë 50 herë vetëm në Korçë, pastaj në të gjithë Shqipërinë. Pirro ishte shkrirë me Edi Karbonen, ndërsa konceptimi regjisorial i dramës, i mbante të mbërthyer shikuesit. Por guri i sizifit kishte rrëshqitur sërish, dhe ai, Sizifi – Pirro, duhej ta ringjiste. Amerikani Miler dhe drama e tij, kishin hyrë klandestinë në Shqipëri. Edhe pse kishin gjetur mjeshtrin Pirro Mani, qenë të pa gëlltitshëm në Shqipërinë komuniste. Realizmi socialist dyshonte në helmin që mund të mbillte. Pas atij suksesi, pas ringjalljes, dramën e pa vetë njëshi, vetë Enver Hoxha. Zëri i tij kishte ushtuar si bubullimë: -Të ndalohet drama! Pastaj kishte shtuar: -“S’kam asgjë me aktorin që luan Edi Karbonen, është nga artistët më të mirë që kam parë, por drama është frojdiste.” -E kishte thënë ai, s’kishte zot që e kthente pas urdhrin. Pas kësaj shfaqja nuk u dha më, psherëtinë Pirro, që s’ka harruar asgjë edhe pse kanë kaluar aq kohë… Pas kësaj, sërish në shpirtin e artistit, diçka u thye, u bë akull. Ai, i pat dhënë aq shumë prej vetes asaj drame, qe bërë njësh më Edi Karbonen. Këtë lloj thyerje regjisori Mani do ta ndjente shpesh. Fatin e “Pamje nga ura” do ta kishte edhe “Rrethimi i Bardhe” me autor të dramës Naum Prifti.
“RRETHIMI I BARDHË” DHE NGRIRJA E AKULLT, ENVERI NË TEATËR
Shfaqjen ”Rrethimi i bardhë” kishte shkuar për ta parë përsëri ai, i madhi, monarku. Pirro Mani nuk e fsheh, në prag të shfaqjes provonte një ankth që nuk i shqitej prej gjoksit. Një parandjenjë e keqe. Ka qenë 26 shkurti i vitit 1964, Enveri, kishte shkelë në teatrin A. Z. Çajupi dhe pas atij momenti qetësia e thellë ishte bërë mbretëreshë e gjendjes. Akullnajë përreth. Acar në sallë. Mpirje në skenë… Çdo të thoshte Zeusi? Konceptimi regjisorial i Manit, rishkrimi i tekstit (siç bënte me çdo pjesë që vinte në skenë) i kishte dhënë shfaqjes një tjetër prirje, e kishte ashpërsuar konfliktin, ndryshe nga shfaqja e Tiranës, ku një tjetër regjisor e kishte vënë në skenë. Pirro shihte reagimin e perandorit atje në llozhë, por asgjë nuk lexohej atje së jashtmi. Ai ishte si mali që s’bzanë. Përmes ankthit shfaqja po shkonte drejt finales. Pirro e ka në mendje ngjarjen. Kishte ardhur finalja e skenës së fundit; një mori duarsh të ngritura lart prej gjeologëve punëtorë, mbetur mes borës, kallkanit dhe grykës së malit, tashmë kishin ngrirë si një gjest mistik, si në një lutje, si një shpresë a fat, a përshpirtje, a klithmë dëshpërimi, teksa aeroplani përsipër kokave të tyre largohej tutje indiferent, sfidues, shurdhan. Mizanskena ishte dëshpëruese. Pirro shihte atë, njeriun Perëndi. Mjaftonte një shenjë e tij dhe gjithçka merrte udhë. Enver Hoxha kishte bërë shenjën, një xhest nervoz.. Kaq mjaftoi që kumti të kapej e të përcillej atje ku duhej. Pirro ka ndjerë një dhimbje brenda qenies së vet, dhe kjo krijesë e tij skenike po thërrmohej çika-çika. Udhëheqësi kishte pritur tjetër gjë, tjetër zgjidhje, ku ishte Partia? Ajo duhej të zbriste nga qielli dhe të mos i braktiste ata fatkeq që ngrinë kallkan atje majë malesh. Dhe salla duhej të shpërthente: Parti-Enver, jemi gati kurdoherë! Udhëheqësi priste duartrokitje, ndërsa salla kishte mbetur memece, e mpakur nën dhimbjen e efekteve që përcollën ato pamje tronditëse. Arti i Pirros i kishte tronditur, por partia donte atmosferë festive, entuziazëm… Drama u ndalua, urdhri kishte dalë prej Zeusit. Pirro sërish pësoi goditje, ata përpiqeshin që t’ia merrnin jetën krijesave të tij skenike. Regjisori nuk u tërhoq, djersiti, kafshoi buzët, kur ata turreshin dhe përpiqej me sa mundte të shpëtonte krijesat që mbanin brenda shpirtin e tij. Krahas hijes së biografisë, që përpiqte ta kafshonte dhe një tjetër hije e ndiqte këmba-këmbës, censura. Ndërsa biografia i nxori telashe, që u përpoq t’i kapërcente, gërshëra e censurës i’ a shëmtonte krijesat, i’a deformonte, ia rrudhte. Ai eci me kujdes mes të dyja duke luftuar që të mbijetonte. Dhe mbijetoi ne sajë te talentit të tij të jashtëzakonshëm. Kritika ka shkruar se Pirro Mani u bë figura më përfaqësuese e teatrit shqiptar. Aktori i ndjerë Agim Qiriaqi është shprehur: ” Faza e tij e parë ka qenë e shkëlqyer, kurse pas Plenumit të IV të vitit 1973, ai u detyrua të bëjë si shumëkush kompromise me censurën ideologjike e politike të kohës. Megjithatë ai mbijetoi në sajë të talentit të tij të padiskutueshëm. U bë figura përfaqësuese e teatrit. Atë nuk e hodhën dot poshtë, ashtu si edhe Ismail Kadarenë në Letërsi. Në teatër u goditën shumë figura të shquara, si Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli e të tjerë. Pirroja nuk dorëzohej kollaj. Luftonte. Mbijetonte mes vështirësive, kufizimeve, imponimeve. E mbajti në këmbë teatrin për 15 vjet të tjera pas plenumit të IV. Ishte lindur si artist i madh”. Në Korçë ai guxoi dhe krijoi personalitetin e vet skenik në periferi. Shfaqja e dytë që vuri në skenë në Teatrin e Korçës ishte “Këneta”, ku dhe nisi një ndër bashkëpunimet me skenografin e njohur, Agim Zajmi. Regjisori i pasionuar këmbëngulte shumë tek skenografia e veprës që vinte në skenë, e cila jep goditjen e parë tek spektatori. Dhe Pirro e gjente fjalën shpejt me Zajmin. Më pas, po në Korçë, më 1962, Pirroja do të vinte në skenë dramën e Bernard Shout “Vdekja e Blanko Postnet”. Një vit më vonë, më 1963 ai vë në skenë dramën “Vajza pa prikë” vepër dramaturgut rus N. Ostrovski. Repertori pasurohej. 

Nga Dalip Greca
Sigal