Pirro Loli/ Poetet me shenjë*

703
Ese
Poetët kanë diçka të përbashkët me njeri tjetrin. Ata janë qenie të vetmuara por që i bashkojnë përvojat e krijuesve kudo që ndodhen duke e ruajtur vetveten të pavarur. Ndërsa njerëzit e zakonshëm e kanë më të lehtë të grumbullohen në komunitete të mëdha, të rreshtohen sepse “Turma” nuk ka “un” dhe nuk ka se si të pohojë vetveten individuale. Poeti i prirur drejt së bukurës, ireales zotëron një cilësi superiore në përcaktimin e sendit e fenomenit. Çdo veçanti e tij njëherazi është dhe akt revolte dhe një “mendjemadhësi” e domosdoshme që tenton edhe të imponohet, dhe si dorë e shtrirë Apo si një puthje. Ai ndien diçka tjetër në atë që sheh, ai sheh në atë që mendon; sytë e poetit janë mbushur me farëza. ‘Të vështrosh , do të thotë të mbjellësh”(0. Paz)… Ëndrra e poetit bëhet përvojë poetike; është alternimi i fjalës me imazhin, të ëndërrosh dmth të dish, të shprehësh diçka të re që nuk e dinë të tjerët të cilët e thonë siç ua sheh syri, drejtpërsëdrejti. Ky këndvështrim nuk i shpëton dot cektësisë, empirizmit, deklaratizmit etj; poetë të tillë nuk e konceptojnë dot t’u thuhet se poezia e vërtetë kërkon të mbjellësh në erë, t’i ikësh prillit që s’ka vlagë e atje në ëndërr të hapësh një gropë, të mbjellësh një pemë plot me zogj e më gjethe. Në poezi nuk mund të gënjehet. Poeti , tërë jetën përballet me provime të vështira.
Një dritare drite bëhet tirane kur nuk ka ç’të tregojë. Poeti “kërkon” të futet në burg që t’u mësojë të tjerëve si shemben muret. Syri i tij i çan muret. Homeri hapur i kishte qepallat por nuk shikonte se beben e syrit e kishte kthyer nga vetvetja…
Poeti ka…
Poeti ka në kraharor një flakë të veçantë ndaj dhimbjes së njeriut. Se jeta e njeriut është gropa gropa, ngopur me natë, por poeti është zogu i shpresës, mbi të , së sipërmi sikur bie një rreze drite e së bashku me vuajtjet e tij, faqe më faqe fle dikush tjetër që është gati të vdesë me të. Se kjo botë ka shumë, uri, etje, përbuzje nënshtrim, spitale, telashe e plagë shumë… 
Forma e përcakton poezinë deri në caqet e një përmbajtjeje të njëjtë pa emër. Këtu duket mjeshtëria. Për poetin, më i rëndësishëm është procesi krijues se rezultati. Përmbajtje të njëjta, lënda e çfarëdollojshme nuk thotë gjë pa marrë formën e duhur. Metafora e zgjon lëndën. Dikush tha se shtamba është balta e temperaturave të larta për t’u lindur. Kur zjarri do mbarojë ajo kërkon të flasë, e pikërisht atëherë rrezikon të thyhet. Ajo është bërë që të thyhet dhe duhet të thyhet. Çelësi i jetëgjatësisë së çdo lloj arti është forma. Ajo është si një “lëndë” që merr nga lënda grimcat radioaktive për ta bërë lëndën të përhershme. Si Gilgameshi. Si Odiseja. Si Mona Liza. Si Komedia hyjnore. Uniteti i tyre që përkon me përsosmërinë shumë rrallë, çliron energji të vazhdueshme estetike në breza. 
Nuk ka poet të madh në botë që me t’i kujtuar emrin, të mos të të vijë në mend “një shenjë”, (një simbol, personazh, situatë, detaj, gjetje …) që ka mbërthyer imagjinatën njerëzore. Kjo shenjë ata i bën krejtësisht të dallueshëm nga të tjerët. Homeri ka shumë shenja, por mbahet mend ai detaji kur Priami plak puth duart vrastare të Akilit, Dante Aligeri mbahet mend për rrathët e Ferrit, Servantesi për Don Kishotin, Shekspiri për Hamletin, Gogoli për “Shpirtrat e vdekur”, Naimi për “Lulet e verës”, Ndre Mjeda për”Andrra e jetës”, Ismaili për “ Pallatin e ëndrrave”, Reshpja për “Vetmi” etj. etj.
Shahrazadja te “Një mijë e një net” arrin t’i shpëtojë kokëprerjes dhe përdhunimit duke i treguar mbretit çudira 1001 net me radhë; në fund ajo i tregon atij për djalin e lindur nga ai…Me ngjarje krejt të veçanta, fantazira të pabesueshme, kapërcime, lojëra, befasira, marrëzira, rrëfime absurde është mbushur krejt letërsia e madhe. Nuk harrohet rrëmbimi i Helenës së Trojës, incesti i Edipit, “Eneida “ e Virgjilit”, Zambakët e tokës së vdekur”e Eliotit…. Atje ku preket realja me imagjinatën për t’i zgjeruar kufijtë e shprehjes, atje ku ata përveçohen dhe gjejnë vetveten, atje kur zhyten nëpër makthe për të shprehur të pamundurën, poetët shenjohen si për së sipërmi, nga hyjnia. Ata i afrohen Krijuesit dhe, nga sendi i veçuar priren te kuptimi panteist. Situatat krijojnë karakteret, mendimi krijon situatat e pastaj lënda kërkon një formë të re.
Disa poetë me shenjë mistifikojnë dhe numurat. D.Aligeri kishte numrin tre. Trinitetin, ferrin, parajsën dhe purgatorin, tercinat e tij …Shtatën ka P.Selani. Nuk e di pse shtatë. Ai e tha. Si një numër magjik më duket; që lidh gjakun e kuq me zemrën, me zemrën që troket; po zemra dhe trëndafilat i takojnë asaj…”Shtatë net më lart qaset e kuqja tek e kuqja/ shtatë zemra më thellë troket dora në portë/…
Origjinaliteti
Origjinaliteti forcon besimin e lexuesit dhe nuk ka rëndësi në është e vërtetë ajo që lexojmë, psh, te “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë, nuk na intereson sulltani a tirani, as bash-ëndrra e tij, nuk vrasim mendjen se ç’është kjo “E kuqja e demave” e Mirës, nuk na intereson moslidhja logjike e ngjarjeve, fiksioni, por ankthi, dashuria, xhelozia, arti. Rëndësi ka mënyra se si është shkruar. Bota e Kafkës, Hermanit, Xhojsit, Malvill-it është e mbushur me mistere dhe absurde. Dhe nuk ka faj shkrimtari për këtë, vetë bota është mister dhe, sa më e ndërlikuar bëhet, aq më misterioze lind letërsia. Metaforat nuk shpiken, ato veç formulojnë lidhjet e dy imazheve që kanë ekzistuar gjithmonë. Poetët me shenjë e kanë të stërholluar shkallën e abstraksionit,( me këtë unë nënkuptoj edhe shkrimtarët) Disa janë kaq të përveçëm në gjetjet e tyre sa, nëse do të rrekesh t’i imitosh, identifikohesh me ta. Domethënë, digjesh. 
Letërsia dhe arti stimulon tek autorët ndjesinë e individualitetit, përveçësisë. Vetëm origjinaliteti e shkëput atë nga turma. Bashkëkohësia homogjene tenton ta tërheqë individualitetin nga vetja. Turma nuk e honeps personin e veçuar që tenton të ngrihet mbi të dhe kërkon t’ia ulë hundën, t’ia kolektivizojë jetesën dhe metaforën, bukën dhe ujin e t’ia ketë në kontroll krejt veprimtaritë e tij. Vepra letrare e artistike mund të mos u shpëtojë krejtësisht kafshimeve të turmës kolektiviste, por kurrsesi, as pushtuesit, tiranitë e diktaturat, nuk mund t’i mohojnë vulat e personit. Kështu tek ne,”Sibilat” e Bogdanit, ” Këngët e Milosaos” e De Radës,, “Bukuria” e Naimit,”Mrizi i Zanave” e Fishtës, apo te letërsia e re, “Vetmia” e Reshpes, “Anima mundi” e Zeqos, “Lule nate” e Shllakut, “Lumi i vonuar” i Martikos, “Libri i gabuar” i Lekës, “Epifania” e Kelmendit, proza e Z. Çelës, M. Meksit, Tufës, Kyçukut, Zhidit, Ajetit, këto e të tjera dëshmojnë më së paku një letërsi origjinale në rritje të sigurt.
Sigal