Pirro Loli: Aristidh Rruci, një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë

708
Etërit e Pavarësisë ishin qenie superiore, që na flasin e na vështrojnë edhe sot e kësaj dite për kombin e pabërë; ata po ringjallen, megjithëse nuk është e lehtë t’ua heqësh shigjetat nga syri; ata do të vijnë dhe pas qindra vjetësh të tjerë; do të na rishfaqen kohë pas kohe dhe do të na flasin e dëgjojnë. Asnjeri nga ata burra kombi, nuk mund të quhet i vdekshëm. Ata do të kenë mbi supe më shumë përvjetorë jete, sesa vdekjeje. Aristidh Rruci është njëri nga ata. Dhe ai na ka munguar, siç na ka munguar koha e burrave. Një nga bijtë elitarë të Zagories, një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë, në krah të Ismail Qemalit, tragjikisht i mohuar, mbuluar me heshtje, me emër, me vepër e me varr. Harruar ai dhe më e shumta e firmëtarëve të shpalljes së Pavarësisë. Ata nuk kërkojnë ndere e dekorata, as për një ringjallje festive, jo dhe jo. Ata kanë nevojë të ngrihen flamujt e së vërtetës për historinë e këtij vendi. Ata duhet të ngrihen nga varri, të shkundin baltën mbi ballë, të dalin nga heshtja e mohimi dhe të fillojnë të flasin, se ata dhe vetëm ata dinë të tregojnë jetën e tyre prej martirësh.
***
Mu duk disi e frikshme bardhezia dhe misteri i këtij burri që ia kishin fshirë me mellan të zi firmën në flamur. Kujt t’i besoje, mellanit të zi apo veprës së Aristidh Rucit për Shqipërinë? Nëse do t’i hapim sytë, do shohim cipat e natës që po grisen një nga një, agimi po zgjerohet e shqiptari po afrohet me vetveten më të mirë. si ballin e Shqipërisë?
E tashmja dhe e ardhmja e burrave të kombit ka fytyrë të re e kjo kërkon që dhe figura e Aristidh Rrucit të shkruhet e të vlerësohet, duke u mbështetur në një botëkuptim të ri.
Jetëshkrimi
Ai lindi në Sheper të Zagorisë, më 11 mars 1875. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmen në gjimnazin Zosimea të Janinës. Vazhdoi studimet në Stamboll për ekonomi e financa, bëri ca vite kurbet dhe kthehet në Janinë (në vitet 1899-1904) ku merret gjerësisht me tregun e drithit. Pas këtij viti, punoi si ekonomat në çifligun e Haxhi Muhametit. Nga goja e tij mësojmë: “Në rininë time, kur isha në Janinë dhe Stamboll (1899-1904), pata fatmirësinë të njihem me mëmëdhetarët Naim Frashëri, Shahin Kolonja, Kadri Gjata e këmbeja karta me mëmëdhetarët e Bukureshtit, Misirit e Bostonit. Qysh në atë kohë këndoja libra shqipe dhe fletoret e kolonive shqiptare…” (B. Gaçe. “Ata që shpallën Pavarësinë”f. 168). Që nga viti 1908 e deri në fund të jetës së tij u vendos në Vlorë dhe merret gjerësisht me tregti… Për rreth 50 vjet, Aristidh Rruci punoi me mish e me shpirt midis elitës më patriotike të vendit sidomos në Vlorë. Ai mban mbi supe veprimtari të një burri shteti para 1912-s, më 1912, si firmëtar i aktit të Pavarësisë dhe, derisa vdiq, do të gjendej nëpër plagët e atdheut si një humanist i madh; Ky burrë i shquar sheperjot do gjendej në të gjitha proceset e konsolidimit të shtetit, të luftës për demokratizimin dhe çlirimin e shtetit dhe njeriut shqiptar. Në korrik të vitit 1911 ishte anëtar i komisionit të organizimit të Kuvendit të Drashovicës, në përkrahje të Memorandumit të Gërçës. 

Shkoi në Itali së bashku me atdhetarë të tjerë vlonjatë dhe u takua me Ismail Qemalin. Asokohe ai, bashkë me një grup aristokratësh vlonjatë, qe plotësisht më këmbë, i gatshëm për t’i shtruar rrugën e Pavarësisë Ismail Qemalit…Delegat i kazasë së Tepelenës, në Nëntor 1912, emri i Aristidh Rucit, si përfaqësues i Vlorës, shënohet në Kuvendin Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjen e flamurit. …Në vitet e Qeverisë së Vlorës, zhvilloi një veprimtari të gjerë, në mbështetje të saj, për zgjidhjen e problemeve ekonomike e financiare. Është një nga themeluesit e Kryqit të Kuq në Vlorë si dhe, me porosi direkte të Ismail Qemalit kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin ligjor të administratës, në Fier, Tepelenë, Gjirokastër e Delvinë. Aristidhi, krahas kontributit të shquar që dha për krijimin dhe mëkëmbjen e shtetit shqiptar, u shqua dhe në biznese private, duke u bërë një nga pasanikët më me emër midis parësisë së Vlorës e më gjerë. Ai ishte tregtar i drithit, pjesëmarrës në fabrikën e duhanit në Durrës, tregtonte konjak, cigare etj. Ishte një nga organizatorët e rezistencës kundër Italisë (1914), të Luftës së Vlorës, (1920) e më 1939 kundër fashizmit. Italia e parë e izoloi, e dyta e internoi, por Aristidh Rruci nuk u dha. Ai u lidh me ajkën e luftëtarëve të lirisë kundër fashizmit në Vlorë e më gjerë, militoi në radhët e Komitetit Drejtues të BK dhe respektohej nga e gjithë Vlora. Aristidh Rruci furnizoi luftëtarët e lirisë me armë e më bukë, e shkollat me shkronja, libra e materiale shkollore.

… Jeta e tij ishte e një personaliteti të shquar, si intelektual dhe si patriot. Kishte studiuar në botën perëndimore, pinjoll i një familjeje të pasur, u kthye në Shqipëri për t’i shërbyer Atdheut të tij me devotshmëri atëherë kur po krijohej shteti shqiptar. Fliste katër gjuhë dhe këndonte bukur këngën labe. Vlonjatët “s’e japin”, e kanë krenari të qytetit të tyre, ata e mbajnë mend se në Klubin “Labëria”, ku ishte nga më aktivët veçanërisht në çeljen dhe furnizimin e shkollave shqipe. Kur bëhej bashkë me Çerçiz Topullin e me tre-katër vlonjatë, ia shkulte këngës labe. Aristidh Rruci kish një edukatë perëndimore dhe respektonte me fanatizëm ligjin. Ai , për vite me radhë, ishte zgjedhur në këshillin e bordit drejtues të Odës së Tregtisë, prej 15 burrash të parisë së Vlorës dhe jo më kot kryetar i saj. Ndërkohë, emërohet edhe anëtar i bordit drejtues të Bankës Kombëtare. Aristidh Rruci priste e përcillte Ismail Qemalin dhe burrat e tjerë të Kombit në atë kohë aq dramatike, kur, sa pa dalë nga pelenat Pavarësia e Shqipërisë, kafshë të egra gjakatare(fqinjët) i ranë përsipër për ta copëtuar me dhëmbë e me kthetra. Jeta e tij, e gjithë veprimtaria e këtij burri, flet për një patriot të madh, i denjë për t’u mbajtur në histori.

Baba shembullor, tip melankolik, i urtë, me zë basi e vetulltrashë. Gjithmonë vishte këmisha të bardha, lidhur me kravatë të trashë, burrë kuvendesh që të imponohej nga pamja e nga mendja ndaj, jo më kot, e mbante Ismail Qemali në krah të tij dhe gjithmonë e pyeste dhe ia dëgjonte fjalën. Me urdhër të tij (I.Qemalit) në kohën e masakrave greke në jugë të vendit, ai u caktua përgjegjës në dy zona të nxehta, Gjirokastër dhe Himarë. Aristidh Rruci, i vetmi që qëndroi 18 vjet anëtar i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Vlorës, pjesëtar aktiv në çdo vendim që merrej. Ai bashkëpunonte me burra të tillë, si Osman Haxhiu, Ibrahim Avdullai, Ali Asllani, Qazim Koculi, e Qazim Kokoshi, e shumë të tjerë që qene mendja dhe zemra e Vlorës. Ai përgjigjej me bereqet e me bukë, me para e gjë, për financimin e shkollave, librave, armëve, udhëtimeve të patriotëve nëpër Evropë, kishës shqiptare, gazetave, mbledhjeve, festave, vakive etj… Firmën e Rrucit e gjejmë nëpër memorandume, korrespodencë me rilindas të ndryshëm edhe artikuj gazetash sidomos në “Përlindja shqiptare. 
Sigal