Sigal

Teatri Profesionist i qytetit të Gjirokastrës shfaqi premierën e tragjedisë “Pirro” të autorit Hetem Haxhiademi. Kjo vepër ngjitet në skenën e një teatri profesionist për herë të parë; 84 vjet pas krijimit të saj dhe 81 vjet pas vënies së saj të parë në skenë nga një trupë amatore e qytetit të Elbasanit, në vitin 1937. Pas çlirimit të vendit, në 1944 dënimi i autorit nga regjimi i kohës bëri që edhe vepra e tij të burgoset me harresën totale ndaj saj, harresë që çuditërisht e shoqëroi krijimtarinë e këtij autori edhe 28 vjet pas ardhjes së demokracisë.

I pyetur mbi përzgjedhjen e kësaj vepre regjisori Ilirjan Lluri shprehet se, së pari, i është shumë mirënjohës regjisorit të njohur Pluton Vasi, i cili e vendosi në kontakt me krijimtarinë e këtij autori duke i dhuruar madje edhe botimin e plotë të saj, ndërkohë që falënderon zotin Selaudin Haxhiademi (djali i autorit), për dhënien e së drejtës për ta vënë në skenë këtë vepër. Por një motiv më domethënës, se pse u zgjodh pikërisht tragjedia “Pirro” sipas regjisorit lidhet me vetë rrugën e krijimit të saj. Ajo u frymëzua dhe u shkrua në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1934. Hetem Haxhiademi për gjatë tre vjetëve 1933-1936 kreu detyrën e kryesekretarit të prefekturës së këtij qyteti. Por ky krijues i mrekullueshëm u ndëshkua nga diktatura që erdhi në pushtet pas çlirimit të vendit. Ai u dënua me vdekje, por falë ndërhyrjes së Aleksandër Xhuvanit shpëtoi prej saj. Tre vjet nga koha e dënimit me burg, si për ironi të fatit ai i kaloi në burgun e kështjellës së Gjirokastrës. Vdiq në vitin 1965 në burgun e Burrelit, gjashtë muaj përpara se të mbaronte krejt dënimin. Një vit më vonë arkeologu Dhimosten Budina, 14 km larg Gjirokastrës do të identifikonte qytetin antik të Antigonesë, themelimin e të cilit, Pirro i Epirit ia dedikoi gruas së tij Antigona. Duket se autori Haxhiademi me parandjenjë e kishte gjetur më parë në fakt atë, përderisa pikërisht në Gjirokastër u frymëzua për shkrimin e tragjedisë “Pirro”. Në një letër që autori i dërgonte Lasgush Poradecit në vitin 1938, mes të tjerash lexojmë:

“Tragjedia Pirro, është vepra ime më e dashtun dhe kam besim të patundun se do të mbesi për shumë kohë, kryevepra e Melpomenës shqipe. Dramatika ka gjetë mbarimin tek unë sikundër ka gjetë lyrika ke ty e novela tek Koliqi”.

Në tragjedinë “Pirro” trajtohet tema e luftës për pushtet. Përmes ngjarjeve me intensitet të lartë dramatik autori duket sikur i jep përgjigje pyetjes që shtrohet që në fillim të saj: A mundet të mbretërojnë dy mbretër në një fron?

Tragjedia e shkruar në vargje nga autori, është përshtatur në gjuhën letrare nga regjisori Ilirjan Lluri. Në të interpretojnë aktorë të ftuar si Myzafer Zifla, (aktor i teatrit kombëtar) në rolin e Neoptolemit, Dori Çaushi (aktore e teatrit Bylis, Fier) në rolin e princeshës Kadme, ndërkohë që aktorët e trupës profesioniste të Gjirokastrës interpretuan përkatësisht: Aleksandër Kondi, në rolin e Gelonit, Kudret Alikaj në rolin e Mirtilit, Delvis Bejleri në rolin e Pirros dhe Seljana Dalipaj në rolin e Antigonës. Rregjisori Ilirjan Lluri pohon se vepra është e destinuar për t’u shfaqur edhe në sitet arkeologjike. Kjo do të jetë hera e parë që një tragjedi do të shfaqet në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Antigonesë, falë bashkëpunimit me zyrën për administrimin e këtij parku. Por fakti bëhet edhe më i veçante, sepse tragjedia është shqiptare. Më vonë ajo do të shfaqet edhe ne teatrin e Adrianopolit përmes bashkëpunimit me misionin arkeologjik Shqiptaro-Italian që prej vitesh kryen gërmime në këtë sit arkeologjik. Skenografia dhe kostumografia e kësaj vepre janë realizuar nga skenografi Gazmend Koçollari, ndërkohë që kolona zanore është krijim i kompozitorit Saimir Skënduli. Selaudin Haxhiademi, djali i autorit të tragjedisë “Pirro” i pranishëm në premierë falënderoi stafin artistik, i cili mundësoi rikthimin e krijimtarisë së Hetem Haxhiademit në skenën e teatrit shqiptar. Me vendosjen në skenë të kësaj vepre, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, duket se kryetarja e Bashkisë së qytetit, Zamira Rami, këshilli bashkiak dhe intelektualët e Gjirokastrës, përmes stafit artistik realizues, gjejnë rastin të nderojnë autorin Haxhiademi, që frymëzimin për ta shkruar këtë tragjedi e gjeti në qytetin e tyre.

Elidon Berberi