Pianistja Silva Skënderi dhe violinisti malazez Miran Begiç ndërthurin traditën shqiptare dhe malazeze

624
Pianistja Silva Skënderi dhe violinisti malazez Miran Begiç ndërthurin traditën shqiptare dhe malazeze me muzikën klasike në Tiranë

Edicioni XI i Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” do të mbyllet në Tiranë në 31 tetor 2017 në Hotel Sheraton me koncertin Gala “Aty ku muzika klasike takohet me traditën”. Dy artistë virtuozë Silva Skënderi, pianiste nga Shqipëria dhe Miran Begiç, violinist nga Mali i Zi, do të ndërthurin muzikën klasike me traditën shqiptare dhe malazeze. Programi i koncertit sjell tre sonata nga Wolfgang Amadeus Mozart, Ludvig van Bethoven, Edvard Grieg dhe valle nga Aleksandër Peçi dhe Hercigonja Dances. Me këtë koncert ndërthurja e zhanreve muzikore përmbush dhe misionin e këtij Festivali, pasi në 11 edicione “Argjiro” ka pasur si lajtmotiv ndërthurjen e muzikës klasike me atë tradicionale. Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken dhe modernen, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Silva Skënderi, Pas përfundimit të studimeve për piano me rezultate të shkëlqyera, në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, vijoi studimet për piano në Akademinë e Arteve Tiranë, sot Universiteti i Arteve, ku që prej vitit 2003 është pjesë e stafit pedagogjik të Universitetit, aktualisht Asoc.Profesor në Departamentin e Interpretimit- dega piano dhe muzikë dhome. Pas përfundimit të studimeve punoi për disa vite në Teatrin e Operës e Baletit TOB ku iu dha dhe titulli Koncert Maestër. Gjatë kësaj periudhe ka një aktivitet të gjerë me artistë dhe dirigjentë të shquar të vendit dhe të huaj. Repertori i saj Artistik përmban një sërë koncertesh Recitale dhe të Muzikës së Dhomës , në vend dhe Evropë, në bashkëpunim me instrumentistë shqiptarë dhe të huaj. Soliste me Orkestrën e Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar dhe me Orkestrën e Universitetit të Arteve. Ajo ka interpretuar në disa Koncerte Recitale në Zagreb –Kroaci, Pezaro – Itali, Udine-Itali, Shkup-Maqedoni, disa koncerte në qytete të ndryshme në Greqi, në Tiranë Shqipëri, etj. Silva ka interpretuar disa koncerte Duo piano & violinë me violinisten franceze Luise Chisson, me spalën e orkestrës së Operas së Tiranës, Suela Picirin, me Alban Pengilin, me Rezart Kapetanin, me Morena Kalziqin, me Lirza Zaloshnjën etj. Koncerte Duo ajo ka interpretuar gjithashtu dhe me violonçelistin e parë të Orkestrës së Operës së Pragës Bledar Zajmi, me klarinetën e parë të Orkestrës së Katalunës, Juan Ferrera. Ka pasur disa koncerte recitale me disa këngëtare të shquar në skenat botërore si Josif Gjipali, Angela Baek, Sokol Asllani, Mirjam Tola, Ramona Tullumani etj. Për disa vite me radhë është pianiste e korit femëror të Akademisë së Arteve nën drejtimin e dirigjentit të shquar Prof. Milto Vako, i cili u nderua me disa çmime ndërkombëtare dhe një CD. Për disa vite me radhë ka interpretuar si pianiste e orkestrës Madre Teresa, e orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, e Koncertit 3 Tenorët, e festivalit ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, e Festivalit “Jorgjie Truja”, pianiste zyrtare në konkursin ndërkombëtar “Islam Petrela”, në festivalin Tirana Music Festival, në festivalin “Mozaik”, në festivalin “Takimet Muzikore të dy Botëve”, në Garat internacionale të Kosovës , etj. Pianistja Silvana Skënderi ka interpretuar për herë të parë për publikun Shqiptar disa autore si Poulenc, Piazzolla, Enescu. Miran Begiç, është një profesor i violinës dhe muzikës së dhomës në Music Academy Cetinje. Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur me artistë të mëdhenj si Viktor Uzur, Peter Langgartner, Sergey Smabatyan, Wilfried Sthrele dhe shumë të tjerë. Ai ka pasur një sukses të madh në koncerte me orkestra prestigjioze në vendet e ish-Jugosllavisë dhe në Evropë. Shoqata “Argjiro” e krijuar në qershor të 2007-ës me anë të Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” synon ndërtimin e urave të dialogut kulturor midis Shqipërisë dhe Evropës, ndërgjegjësimin e opinionit publik për mbrojtjen dhe transmetimin e kulturave të ndryshme si pjesë e trashëgimisë kulturore, si dhe rivitalizimi i qendrave historike dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

ATY KU MUZIKA KLASIKE TAKOHET ME TRADITËN
31 Tetor 2017 ora 19:00 – Hotel Sheraton, Tiranë 
Silva Skënderi, piano ( Shqipëri)
Miran Begiç, Violinë (Mal i Zi )

Programi: 
Wolfgang Amadeus Mozart Sonata G major KV 301
Ludvig van Bethoven Sonata Nr 5 , koha l
Edvard Grieg Sonata Nr. 3
Aleksandër Peçi 3 Dances 
Hercigonja Dances
Sigal