Petrit Brokaj/Mos Harroni

124

(Rreth librit “Mbreti  Kaosit” i autorit Mihal Kalia)

Ky është mesazhi i librit “Mbreti i Kaosit”, i autorit vlonjat Mihal Kalia, i cili sapo ka dalë nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.

Edhe pse kanë kaluar relativisht shumë vite që nga koha e dështimit të sistemit socialist, ëndërrimtarët dhe luftëtarët e sistemit të ri pluralist, duken se, në këtë libër ndiejnë zhgënjim dhe pabesi nga klikat qeverisëse e partiake. Me ndjeshmërinë e njeriut që është midis tyre, autori në mënyrë të natyrshme bëhet përcjellës i ndjenjave dhe mendimeve që ata përjetojnë. Jashtë interesave personale dhe me plotë sinqeritet, ai i jep të drejtë vetes të flasë në këtë libër edhe në emër të tyre. Do të jetë edhe për këtë arsye që ky libër nuk do të shihet si një fotografi e disa ngjarjeve të caktuara, por si një kor i madh njerëzish që flasin, debatojnë, protestojnë, paralajmërojnë, pa përmbajtur zemërimin dhe zhgënjimin.

Në qendër të këtyre ngjarjeve janë përballë njeri-tjetrit dy figura: populli dhe ish-presidenti, që sot është kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ngjarjet zhvillohen në kufirin kohor, kur ai ka drejtuar shtetin dhe kur kanë ndodhur ngjarjet më dramatike të tranzicionit shqiptar. Natyrisht, i pakënaqur dhe aspak nostalgjik për sistemin që u përmbys, Mihali qëndron kritik ndaj tij duke i vënë çmimin, si sistemi i diktaturës, i varfërisë dhe padrejtësive njerëzore, në fundin e të cilit populli kishte “një trastë me halle, me derte, me fukarallëk”. Dhe vetëm kaq. Ai s´ka ndërmend të merret me atë që shkoi, por me atë që jetojmë dhe me atë që vjen. Sepse ai është qytetar i kulturuare patriot, që do të shikojë dhe të jetojë një shoqëri të civilizuar dhe krenare evropiane, sepse ai është intelektual që nuk hesht ndaj mohimit të arritjeve të popullit të tij, sepse ai është prind, që nuk do që fëmijët dhe brezi i ri të vuajnë ashtu siç vuajti ai dhe brezi i tij.

Ky libër ka efekte ngacmuese të kujtesës gjë që përbën edhe një vlerë të çmuar të tij. Këtë ne e shohim në ngjarjet që përshkruan, të cilat radhiten si në një ditar, ku Mihali përdor jo vetëm lapsin dhe letrën, por edhe shpirtin e ndjenjat e tij. Kjo i bën ato aktuale edhe kur flitet për disa vite më parë. Ne që i kemi jetuar ato ç’ka pasqyrohen në këtë libër, i japim të drejt autorit për revoltën dhe zemërimin e tij, i dalim dëshmitarë për vërtetësinë e tyre dhe e falënderojmë për shërbimin qytetar që bën në këtë rast.

Viti 1997, ishte viti i zi, viti i turpit të Shqipërisë. Është viti, ku në këtë libër pasqyrohet me disa ngjarje. Përballë janë dy kundërshtarë: populli i revoltuar, sepse i grabitën djersën dhe gjakun e tij nëpërmjet firmave piramidale, por që proteston në mënyrë paqësore dhe kundër tij, kreu i shtetit që u ka lëshuar ushtrinë e armatosur. Përballë njëra- tjetrës përplasen thirrjet “duam paratë tona!” e në krahun tjetër krismat e armëve të mercenarëve dhe hafijeve të SHIK-ut famëkeq të Sali Berishës. Kështu filloi ky vit.

Në ato ditë shteti s’ishte shtet, por varr, qeveria s’ishte qeveri, por një kuçedër që pasi u hëngri njerëzve kapitalet i hëngri edhe vet ata, duke e bërë atë vit (1997), vit lotësh dhe i rrobave të zeza.

Duke u marr vetëm me figurën e Sali Berishës, autori di të ndajë shkaktarin e kësaj situate dhe sistemin e ri. Ne jemi të ndërgjegjshëm se sot njerëzit nuk po vuajnë krizën e sistemit, por krizën e pushtetit të njëshit. Me të drejtë në një nga esetë ai e quan Sali Berishën “Mbreti i kaosit”. Në një vend tjetër e quan “diktator, smirëzi e inatçi, mishërim i shkatërrimit”. Për shkak të tij jeta në Vlorë dhe në shumë qytete të Shqipërisë u paralizua, populli u mbyll brenda, dyqanet hapeshin pak orë vetëm paradite, fushat nuk u punuan dhe as u mbollën, shkollat u mbyllën. I vetmi fakt që qyteti jetonte ishin protestat popullore para dite dhe kortezhet që përcillnin viktimën e ditës. Vendosja e “Gjendjes së jashtëzakonshme”, nuk kishte më kuptim për Vlorën. Vlora jetonte një situatë ankthi që autori e përshkruan tërë dhimbje, kur thotë: “Ka humbur pasiguria e jetës”. Përshëndetjet me njeri-tjetrin janë zëvendësuar me një pyetje të vetme: “A jeni të gjithë?!

Duke kaluar nga një faqe në tjetrën, ngjitim vitet një e nga një, nga 1993 deri më 1997. Viti 1997 ishte shpërthim i shumë ngjarjeve të akumuluara, që autorit nuk i kanë shpëtuar pa i regjistruar.

Deri më 1997 në kurrizin e popullit kaloi grabitja e pasurisë duke shkatërruar ekonominë nën pretekstin e “luftës kundër komunizmit”, u mboll fara e urrejtjes dhe përçarjes nën parullën: “Pensionistët në litar, komunistët në hanxhar!”, lindi dhe u përhap korrupsioni dhe prostitucioni, u tentua për një kushtetutë, që do t’i jepte Presidentit fuqinë e mbretit, komisionet e ndarjes së pasurisë shtetërore përbëheshin nga përfaqësuesit e Policisë, të ShIK-ut, të Partisë Demokratike dhe institucioneve të saj, gjë që solli monopolizimin e pasurisë së popullit vetëm në duart përfaqësuesve të PD-ës. Vendimet e Qeverisë do të ruheshin vetëm një vit dhe pastaj do të asgjësoheshin. Veç këtyre ngjarjeve, që ai i propagandonte si reforma demokratike, njëherësh rritej edhe demaskimi i tij. Në këtë periudhë dalin në skenë miqtë mashtrues të Sali Berishës; Hajdin Sejdia, Xhon Mekgou, Arsidi. Në këtë periudhë ndodhi zhdukja e biznesmenit kosovar, Remzi Hoxha, i torturuar në zyrat e SHIK-ut, ndodhi zhdukja e thesarit që ruhej në Skrapar. Dhunimi i veprimtarive të opozitës së kohës dhe burgosja e drejtuesit të saj, mashtrimi me firmat piramidale, të gjitha këto ishin shenja të një çoroditje mendore që u konkretizua në fushatën zgjedhore më 26 maj 1996, pasuar më pas me dhunimin policesk të Agim Shehut ndaj protestave të opozitës, e më pas organizimi i provokimit të grevës së studentëve të Universitetit “Ismail Qemali”, etj. U bë gjithë kjo rrugë deri në ngjarjet e vitit 1997, ku jo vetëm Vlora, por gjithë Shqipëria pësoi shkatërrimin më të pashembullt në Evropë, si rezultat i një shqiptari që quhej Sali Berisha. Për “rastësi” të njëjtën gjë do të pësonte Kosova pas dy vjetësh, por jo nga një kosovar, por nga një satrap serb që quhej Sllobodan Millosheviç. Dhe kur themi këtë, na shkon mendja edhe te thyerja e embargos që Bota i kishte vënë këtij krimineli, atëherë, kur ai po vriste e masakronte popullin e Bosnjës dhe vëllezërit tanë kosovar.

Duke hedhur këto shënime më sillen në mendje fjalët e një zonje nga Tropoja: “Qeverisja e Sali Berishës,- thoshte ajo, ishte një makinë që duke ecur nëpër vite derdhte rrugës benzinë. Protestat e vitit 1997 shërbyen vetëm si shkrepëse!”

Një vlerë tjetër që ka ky libër është guximi dhe trimëria që frymëzon. Edhe në këtë rast baza qëndron tek e vërteta, te faktet e pamohueshme, që jo çdokush i ka pasqyruar kaq hapur dhe me kaq frymë demaskuese. Natyrisht, kjo ka të bëj me karakterin e autorit dhe me formimin e tij botëkuptimor. Në sajë të kësaj cilësie përshkrimi i figurës së Sali Berishës është një skaner që i bën gjithë personalitetit të tij si njeri dhe si politikan. Ngjarjet që ndodhën në periudhën deri më 1997, nxorën në dukje shkaktarin dhe përgjegjësin e tyre që ishte Sali Berisha. Ne na kujtohet se si në

këtë kohë ndërkombëtarët e quanin qeverinë e tij “Qeveri gangsterësh!” prandaj Mihali është brenda të vërtetës, kur atë e quan “njeri të errësirës, njeri i nëntokës”, “mjeshtër i intrigave, ku dhe vet intriga intrigohet prej tij”.

Mihali është i vërtetë, sepse në gjithë këto ngjarje ai ishte brenda tyre, shpirtërisht i vrarë, fizikisht i kërcënuar nga rreziqet që rridhnin prej tyre, por asnjëherë i trembur dhe i fshehur, siç ndodhi me disa pushtetarë e partiakë vendorë.

Kronologjia e ngjarjeve ndihmon që edhe ata të cilët nuk e kanë jetuar atë kohë të mësojnë se ç’ka ndodhur atëherë në këtë vend, dhe ç’mizori kanë kaluar familjet e tyre.

Sikur pas vitit 2005, kur Sali Berisha rimori pushtetin, të ecte në rrugën e korrigjimeve të gabimeve të tij dhe paraardhësve socialistë, ndofta ky libër do të kishte dy pamje, atë të zhgënjimit dhe atë të optimizmit. Por, fatkeqësisht, jeta vazhdoi rrokullimën keq e më keq. Dhuna ndaj opozitarëve përfundoi në vrasje, mohim i së kaluarës solli monumente e piedestale për tradhtarët, korrupsioni mori përmasat e krimit, gënjeshtra e mashtrimi u vu në qendër të propagandës, varfëria u shtua, prona humbi të zotin e saj, etj. Përfundimi? Në statistikat e forumeve ndërkombëtare ngjitim shkallët lartë e më lartë në rritjen e korrupsionit, në politizimin e organeve të drejtësisë dhe administratës, në rritjen e kriminalitetit, në dhunimin e lirisë së mediave, në mosarritjen e standardeve demokratike në fushatat zgjedhore, në rrugaçërinë parlamentare, etj. Rezultati? Humbasim për herë të tretë kandidimin për në BE. Të gjitha këto pohime, dalin nga ngjarjet e shumta që gjenden në këtë libër, të cilat janë ilustruar nëpërmjet përshkrimeve të gjalla dhe me një gjuhë të pastër letrare që e bëjnë atë me vlera informative, kulturore dhe sqaruese.

Ky është një libër ku secili mund të gjej veten në pozicionin që ka zgjedhur në jetë. Natyrisht do të ketë edhe nga ata që do ta ndjejnë veten keq. Do të ketë edhe nga ata që do të reagojnë duke thënë, se autori ka rënë në pozicion mohues dhe derdh shumë mllef.

Unë mendoj ndryshe. Dhe si unë edhe shumë të tjerë. Mihali në këtë përmbledhje ka marr përsipër një mision; të flas hapur dhe me guxim. Të denoncojë dhe të akuzojë mbi bazën e të vërtetës. Dhe të gjitha këto t´i bëj në interes të shoqërisë që vuan padrejtësinë dhe pabesinë, që i vodhën dhe i shpërdoruan ëndrrën, që i ka shkuar thika në palcë.

Kundërshtarëve do t´ju përmendja fjalët e shkrimtarit dhe kritikut të shquar kosovar, Ali Aliu, ku në një shkrim kritik për një libër, kundërshton ata intelektual që heshtin, “se kur hesht, ti fsheh. Kur fsheh, ti e ke ndërgjegjen të papastër. Heshtja është e pandershme, o zotëri, andaj nuk pushon të dëshmohesh si fundërrinë, dobiç, i pangjyrë, pa karakter…”.