Petraq Pecani:“Bienalja e Anglisë ka përmasa botërore”

1103
Sigal

INTERVISTA/  Flet piktori i talentuar Petraq Pecani: Në Bienale janë ftuar 140 piktorë nga 40 vende të botës

 Ka një jetë të tërë që merret me pikturë dhe rezultatet i ka ngjitur shkallë- shkallë me modesti dhe me punë. Ka marrë pjesë në dy Bienale, një në Angli 2013 dhe një në Itali në vitin 2011. Në qendër të pikturave të tij qëndrojnë peizazhet, por pa lënë pas dore dhe portretet dhe natyrat e qeta. Kryesisht punon në vaj pasi me këtë lloj boje është më i sigurt

  -Ju jeni pjesmarrës në Bienalen  e Anglisë. Çfarë përfaqëson kjo Bienale. Sa piktorë do të jenë dhe me sa piktura do të merrni pjesë?

  Kjo Bienale zhvillohet në Old Tovvn Holl në lagjen Chelsea të Londrës. Është edicioni i parë i organizuar nga Galinadi &Partners dhe Muzeu i Artit Chianchiano. Nga aplikimet janë zgjedhur 140 anwtarë nga 40 vende të botës. Është një Bienale shumë dinjitoze dhe me një performancë tepër sinjifikative.

  -Në sa Bienale të tjera keni marrë pjesë dhe çfarë emocionesh keni marrë me vete?

  Ky është rasti i dytë që punimet e mia ekspozohen në një Bienale. E para ishte Bienalja e Chianchianos e zhvilluar në vitin 2011 ku unë u përfaqësova me tre tablo. Në këtë eveniment (Chianchiano-Itali), merrnin pjesë 160 artistë  të përzgjedhur nga 50 shtete.  U paraqitën 470 punime në një hapësirë prej 3 000 metër katror. Për mua si pjesëmarrës ishte një nga aktivitet më të rëndësishme dhe më kualitative. Sigurish pjesëmarrja në të tilla vente të kalon në sitë.  Në këtë aktivitet ishin të ftuara rreth 300 galeri për tu njohur me krijimet dhe për të lidhur bashkëpunime të mundshme me artistët. Ajo që ra më shumë në sy në këtë Bienale ishte se pati shumë kritikë arti, studiues dhe koleksionistë. Gjatë zhvillimit të saj u mbajtën referate dhe biseda për arritjet e artit bashkwkohor. Nga pjesëmarrja në këtë Bienale mua më erdhën oferta nga galeri të ndryshme për ekspozim si dhe nga botues arti. Kështu gjatë vitit 2012 krijimet e mia u përfshinë në volumin e IV të “Internatinal  Contemporan Artist” në Nevv York dhe në revistën “OverArt” Itali.

 -Ka disa Bienale, kush është më e rëndësishmja dhe pse?

Për mua Bienalja e Londrës mbetet më prestigjiozja për vetë mënyrën e përzgjedhjes  dhe mënyrës  së organizimit.

 -Cila gjini e pikturës është më e preferuara, portreti, peizazhi apo abstraksionizmi?

 Pasioni im në pikturë është peizazhi. Aty sikur e gjej më shumë vetveten frymëzohem, mbushem me frymëmarrje, relaksohem dhe gjej hapësirat e nevojshme. Njëkohësisht kam realizuar portretet apo natyra të qeta, por mendoj se më shumë më rrëmben peizazhi, kjo ndoshta dhe për vetë faktin se jeta ime ka qenë e lidhur  me lëvizjen në natyrë dhe kjo më ka shërbyer si burim frymëzimi.

 -Me çfarë bojërash pikturon  me vaj apo akuarel dhe pse?

Më pëlqen piktura me bojëra vaji  aty ndihem më i sigurt dhe i jap jetë ngjyrave.

-Sa ekspozita keni hapur dhe në cilat vende?

Para viteve 1990 unë kam jetuar në qytetin e Fierit  ku aktivizohesha  në ekspozitat vjetore që hapeshin aty.  Ndërsa në vitet 1991-2000 kam jetuar në Greqi ku kam hapur tre ekspozita personale. E para në Igumenicë në Hotel “El Greko” dhe dy të tjerat në Athinë. Me kthimin në Shqipëri hapa një ekspozitë në galerinë Zenith, e cila pasoi shumë të tjera në Itali, Bruksel, Paris, Barcelonë.

-Cila ka qenë ekspozita më e mirëpritur nga kritika?

Suksesin më të madh e kam pasur në Itali, ku u nderova me çmim në konkursin  e VII të trofeut “GBMorom” organizuar nga “Neu Artemisia” galeri dhe Parlamenti Europian. Gjithashtu befasues ishte pjesëmarrja në konkursin e madh të Tokios të vitit 2011 ku morën pjesë mbi 5000 aplikues dhe munda të hyj tek finalistët dhe të nderohem me medalje.

 – A mund të jetohet sot vetëm me artin e pikturës?

Në përgjithësi jo, por në veçanti po. Si çdo art dhe piktura ka fansat e vet, ka spektatorët e vet, por jo gjithkush di ta përcjellw pikturën tek kjo masë e selektuar e shoqërisë që e pëlqen artin e pikturës.

 -A është shkolla shqiptare e pikturës në ato me nivelin e vendeve të tjera Europiane?

Besoj se po. Tek ne ka shumë piktorë me emër që kanë çarë. Ja, pjesëmarrja në Bienale të tilla e shumë shqiptarëve tregon nivelin e piktorëve tanë.

 -Cili është piktori juaj i preferuar?

Më pëlqen çdo lloj arti kur ka nivel pavarësisht nëse është figurativ apo modern. Por veçoj impresionistët me dritën e tyre magjepse dhe veçoj nga ata Van Gogun. Ai është mjeshtër i përdorimit të penelit.

-Kohët e fundit u dëmtuan afresket murale të “Onufrit”, cili është mendimi juaj për këtë veprim kaq të shëmtuar?

 Ishte akti më barbar ndaj artit apo më mirë të themi ndaj pikturës shqiptare. Kjo dorë vrastare e artit nuk mund ta kuptojë se çfarë dëmi i ka sjellë monumenteve të kulturës shqiptare. Ato afreske ishin jo vetëm pjesë e historisë, por mbi të gjitha një arkiv i gjallë i pikturës shqiptare, aq më tepër kur bëhet fjalë për Onufrin.  Jam ndjerë shumë keq nga ajo ngjarje. Një humbje e tillë nuk mund të zëvendësohet kurrë.

 – Veprat (pikturat)  artistike të realizmit socialist  a kanë pasur nivel artistik dhe a ka pas vlera ajo periudhë?

Pavarësisht kufizimeve të kohës për shkak të ideologjizmave duhet thënë se në atë regjim pati shumë artistë që jetën ja përkushtuan pikturës duke lënë pas vepra me vlera të papërsëritshme që për mua janë vepra të nivelit botëror. Nuk e ekzagjeroj aspak kur them kështu. Le të përmendim “Buka e duarve tona” e Skënder Kamberit, “Gjyqi i Sinjës” i Vilson Kilicës, piktura murale kushtuar Skënderbeut në Muzeun  e Krujës nga N. Bakalli e shumë të tjera kanë hyrë në arkivin e pavdekësisë së artit pamor shqiptar.