Peticioni, Kerni: Artistët të firmosnin kontratën, do veprohet në bazë të ligjit!

616
Sigal

Një pjesë e artistëve që punojnë pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nuk kanë marrë pagat e qershorit. 91 prej tyre, kanë firmosur një njoftim-peticion përmes të cilin kërkojnë marrjen e pagave dhe shkarkimin nga puna të Ilir Kernit, drejtori i institucionit. Ky i fundit ka dalë sot përpara mediave për të sqaruar situatën, duke theksuar se artistët janë njoftuar me shkresë për firmosjen e kontratës dhe tashmë do të veprohet në bazë të ligjit. Sipas drejtorit të TKOB, Ilir Kerni, 60% e institucionit e ka firmosur kontratën. “Ruajtëm teatrin të paprekur, shtuam 14 punonjës. Folëm për 3 muaj, tani zbatojmë organikën e qeverisë. Kemi njoftuar me shkresë, do veprohet në bazë të ligjit”,- deklaroi Kerni. Gjatë muajit qershor në korridoret e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte vënë një njoftim në lidhje me firmosjen e kontratave, për të cilën  prej muajsh ka përplasje mes artistëve, drejtorisë dhe Ministrisë së Kulturës. Në të, nuk përcaktohej data se deri kur duhen firmosur kontratat (2, 3, 4 dhe 5-vjeçare), por thuhej, se me firmosjen e tyre lidhet paga e muajit qershor. Në njoftim thuhej: “Në zbatim të urdhrit të Kryeministrit, 28 mars 2014…, të gjithë punonjësit e TKOB dhe Ansamblit Popullor, të drejtohen pranë zyrës së personelit dhe juristes së institucionit për të firmosur kontratat e punës, për të bërë të mundur hartimin në kohë të listë-pagesës që do të përgatitet nga sektori i financës, për muajin qershor 2014. Mosparaqitja për firmosjen e kësaj kontrate, nënkupton mungesë interesi për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës. Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Kerni.