Peter TASE/Naim Kelmendi, një krijimtari letrare e pasur me vlera patriotike

720
Sigal

Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryetar i klubit letrar “Faik Konica” në Zvicër, i cili ka lënë gjurmë në jetën letrare të mërgatës sonë atje

Naim Kelmendi u lind në Ruhot të Pejës më 10 shtator 1959. Vazhdoi studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Shkruan poezi e prozë, por merret edhe me gazetari e me publicistikë, duke shkruar gjithmonë për shtypin periodik Kosovar dhe Shqiptar. Ka qenë kontributor i njohur dhe i dëshmuar edhe në këto fusha të shkrimit, sidomos me publikimet e tij, si te gazeta “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia News” etj. Nga veprimtaria e tij poetike janë përkthyer poezi edhe në gjuhët evropiane, duke u prezantuar edhe në antologji të ndryshme, si dhe në shtypin e kohës. Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryetar i klubit letrar “Faik Konica” në Zvicër, i cili për vite me radhë ka lënë gjurmë në jetën letrare të mërgatës sonë atje. Drejtues dhe kryeredaktor i revistës “Top Kultura”, e cila botohej po ashtu në Zvicër. Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryeredaktor i gazetës “Pavarësia”, pastaj ish- redaktor i gazetës “Pavarësia News”. Nga kritika jonë letrare e kohës, konsiderohet si një ndër poetët tanë më të dalluar në poezinë tonë moderne. Edhe në fushën e publicistikës sonë Naim Kelmendi dallohet dhe çmohet si një ndër publicistët tanë më në zë, sidomos për angazhimin dhe guximin e tij intelektual në mision të fjalës së shkruar.

Ishte edhe reporter lufte i gazetës kombëtare “Bota sot” në luftën e Koshares më 1999.

Që nga viti 2002, pas kthimit nga Zvicra, ku kishte jetuar dhe vepruar që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, aktualisht jeton dhe vepron në Kosovë.

Në poezinë “Të jesh vetvetja”(“Është vetëm Kujtesë”) Naim Kelmendi i bënë thirrje bashkëkombësve të tij për të ruajtur traditën, historinë, kulturën dhe folklorin e fshatit apo qytetit të tyre. Kelmendi dëshiron të ftoj të gjithë ata që duan të dëgjojnë, me këto fjalë: “Të jesh vetvetja vertikalisht/ katërçipërisht vetëm vetvetja / në secilën rrugë të fundit e t’fillimit / edhe kur t’lëbyrën sytë / nga dritat vezulluese / të mashtrimit fatzi / edhe kur ta ndrydhin kujtesën e lashtë / edhe kur ta shtrydhin lëngun e t’pathënmes / edhe kur ta hedhin / mendimin në rrashtë/ edhe kur ta dredhin / vetvetja të mbetesh / me atë qëndrimin vertical / mos ia lako as edhe një hap ecjes, siç e ka njerëzisht / e jotja, biografi, përjetësisht / të jesh vetvetja / në substancën tënde / që të mbron nga acari / i imoralitetit njerëzor / të mbron nga kutërbimi/i mendësive t’pamoralshme /  në të gjitha kohët / pra, patjetër të jesh vetvetja / është vlerë që ruan bërthamën / në substancë të qenies / dhe në dritën e vetëdijes. Substanca e ç’do qenie, sipas Naim Kelmendit, është e bazuar në koherencën gjithëpërfshirëse si dhe përqendrohet në prejardhjen kombëtare, brumosjen apo ngjizjen historike të një kombi, pse jo edhe në artin e shkruar dhe viziv të një shoqërie në evoluim e sipër, ashtu siç shfaqjet edhe në keto vargje.  Ndonëse Kosova, është në një rrugë të gjatë dhe të vështirë, në atë të krijimit të identitetit të saj, Kelmendi është plotësisht konshient në ruajtjen dhe mbrojtjen e traditave, të cilat ndër shekuj janë ruajtur dhe lipset të ndiqen të njëjtat praktika për të ruajtur boshtin historik dhe formimin kombëtar të ç’do individi në Kosovë dhe rajonet shqip folëse. Naim Kelmendi është ndoshta ndër të paktët  shkrimtar që përdor elementin e vargjeve për të përçuar një kornizë kuptimore që shkon përtej kufijve të një kombi, fjalët dhe metaforat e Kelmendit janë thjeshtësisht indet e mirëfillta të përcjelljes së vetëdijes kombëtare, si dhe vullneti për të qëndruar ‘vertikalisht’ ndaj ‘mendësive të pamoralshme’  që duan të shtrembërojnë identitetin dhe mënyrën e jetesës së një kombi që është i përgatitur të ruaj “dritën e vetëdijes”.  Periudha e rilindjes Shqiptare në poezi përfaqësohet nga Pashko Vasa dhe patriot të tjerë heronj. Në këtë mijëvjeçar të ri, Naim Kelmendi, hedh sytë nga Pashko Vasa, dhe mundohet të ringjallë ato vlera që pa dashur janë harruar nga shoqëria shqiptare, ai natyrisht merr rolin, nëpërmjet penës së tij, të një ambasadori të vërtetë që stigmatizon dhe “ringjall” patriotizmin, vlerat kombëtare në një njëmijë vjeçar të ri, në Ballkanin e kohëve tona, ku me doemos duhet të jesh “patjetër vetvetja”. Ualt Uitman, në librin e tij, “Gjethet e Barit” shkruan: Rezisto shume, bindu vetëm shumë pak”, këto virtyte mishëron edhe Kelmendi në poezinë e tij më poshtë.

Naim Kelmendi ka botuar këto libra:

Shtreza në fjalë, 1985; Nyja e Gordit, 1992; Albanoi, 1992; Pse ashtu Pandorë, 1993; Çka të bëj me dhembjen, 1993; Satanai me fytyrë tjetër, 1994; Eklipsi i diellit, 1997; Përballje me vdekjen, 1999; Shqiptari vdes duke kënduar, 2000; Kohë për të folur gurët, 2001; Sipërfaqja e padukshme,2003; Vrasja e deputetit-monografi, 2003; Beteja e Koshares…,publicistikë, 2008; Pikëpamje dhe reagime,publicistikë, 2008; Në një jetë pas Krishtit,2010; Esenca,2010; Shqiptari vdes duke kënduar(botim i dytë), 2010; Antologjia e dhembjes poetike, 2012; Është vetëm kujtesë, 2012

KËTO, FJALËT

Fjalët bëhen helm në gojën

e sëmurë të një prostitute fatprer

të lënë nudo në terrin e natës

në një rrugë çorre ku veç qentë e kudrat

zhvillojnë erotikën çençe në grup-

fjalët dalin nga goja e vakët

dhe shëndrrohen shpejtë në helm

gjykojnë rëndë jetën e tjetrit,vrasin

ndërgjegjen e atij që s’diti të

ndërgjegjësohet kurrë për procesin,rrotullim

i gjërave rreth boshtit të vet

dhe fjalët vrasin vetveten më rënd

se plumbi i çdokujt,kur varesh në

fatin e tyre,ua kthen shpinën në

stacionin e ftohët dimëror,kur të gjithë

autobusët kanë ikur n’të gjitha drejtimet

t’i kthehesh i vetmuar nga ai stacion X i vetëm

duke hëngër veten nga breda për mospërgjegjësi

ndaj kohës,ndaj rrethit,ndaj vetes,ndaj rastit…