Peshkimi dhe akuakultura në ekonominë Shqiptare

771
Peshkimi dhe lumenjtë tanë, ligji për peshkimin dhe promovimi i tij
Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës
Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës është krijuar me VKM nr.719, datë 20.10.2011 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e drejtorisë së shërbimeve të midhjes dhe peshkimit, Sarandë”, ndryshuar me VKM nr.1068, datë 14.12.2013 ku ka marrë emërtimin “Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, më pas është ndryshuar me VKM nr.44, datë 29.01.2014 ku është përcaktuar Fusha e Veprimit dhe Detyrat përkatëse që renditen më poshtë, dhe me Urdhrin nr.96, datë 21.02.2014 i është shtuar “Sektori i Monitorimit dhe Kontrollit” me inspektorë në të dymbëdhjetë qarqet e vendit. Kështu struktura e Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës përbëhet nga: Sektori i Akuakulturës, Sektori i Financës dhe i Shërbimeve, Sektori i Menaxhimit të Porteve dhe Sektori i Monitorimit dhe Kontrollit.

Ligji për peshkimin
Në Rregulloren e Këshillit nr. 1224/2009/KEE, datë 20 nëntor 2009 “Mbi krijimin e një sistemi kontrolli komunitar për të garantuar respektimin e rregullave të politikës së përbashkët të peshkimit”, e cila ndryshon rregulloret nr. 847/96/KE, nr. 2371/2002/KE, nr. 811/2004/KE, nr. 768/2005/KE, nr. 2115/2005/KE, nr. 2166/2005/KE, nr. 388/2006/KE, nr. 509/2007/KE, nr. 676/2007/KE), nr. 1098/2007/KE, nr. 1300/2008/KE, nr. 1342/2008/KE dhe shfuqizon rregulloret nr. 2847/93/KEE, nr. 1627/94/KE dhe nr. 1966/2006/KE. Numri CELEX 32009R1224, Fletore Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, nr. 343, datë 22.12.2009, faqe 1-50. Direktivën e Parlamentit Evropian dhe Këshillit nr. 2000/60/KE, datë 23 tetor 2000 “Mbi krijimin e një kuadri për veprimin komunitar në fushën e ujërave”, të ndryshuar. Numri CELEX 32000L0060, Fletore Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, nr. 327, datë 22.12.2000 faqe. 1-73. Rregulloren e Këshillit nr. 2371/2002/KE, datë 20 dhjetor 2002 “Mbi mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve peshkore në kuadër të politikes së përbashkët të peshkimit”, të ndryshuar. Numri CELEX 32002R2371, Fletore Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, nr. 358, datë 31.12.2002, faqe. 59-80.

Peshkimit në Shqipëri 
Peshkimi në Shqipëri është një “zanat” tepër i lashtë, bazuar në të dhënat arkivore, historiografike dhe në të ato që ofrojnë dokumentet zyrtare. Gjithashtu nga dokumentet arkivore mësohet se peshkimi ka qenë i përqendruar fillimisht pranë liqeneve natyrore të Shkodrës, Prespës, Ohrit, në liqenet e Dumresë apo në lagunat bregdetare të Nartës, Butrintit etj. Pas viteve ’20, sidomos në periudhën e Mbretërisë së Zogut, të dhënat për veprimtarinë e peshkimit në Shqipëri janë më të plota dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë mbi mënyrën e shfrytëzimit të burimeve ujore kombëtare për peshkim, mbi detyrimet financiare ndaj shtetit, mbi dhënien me koncesion për peshkim subjekteve vendase apo të huaja etj. Nga vitet 1948 -1952 gjuetia në lagunat e liqenet natyrore përbënte pjesën kryesore të peshkimit, ndërsa në det peshkimi ishte i kufizuar e sporadik dhe përfaqësohej nga sandalla me rrema pa motor, si në Durrës, Vlorë, Lezhë, Himarë e Sarandë. Organizimi i parë i peshkimit pas çlirimit u bë në gusht të 1947 ku me iniciativën e disa peshkatarëve privatë u themelua kooperativa e parë e peshkimit me qendër në Durrës dhe me agjenci në Nartë, Shëngjin dhe Shkodër.

Peshkimi dhe lumenjtë tanë
Peshkimi në lumenj është një veprimtari e njohur dhe e hershme e cila filloi të organizohej ne grupe e skuadra të veçanta që në vitet 1946-1950. Krijimi i kooperativave të para të peshkimit, të cilat më vonë u shndërruan në ndërmarrje, i dhanë një shtysë të re veprimtarisë së peshkimit, sidomos në lumenjtë kryesorë si Buna, Drini, Mati, Drini i Lezhës, Shkumbini, Erzeni, Semani, Vjosa, Drinosi etj. Me forcimin e ndërmarrjeve të krijuara dhe shtimin e përhapjen e përvojës së fituar u bë e mundur të rritet sasia e peshkuar në lumenj dhe grykëderdhjet e tyre. Në zona të veçanta larg ndërmarrjeve të fuqishme si ato të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Sarandës etj.. peshkimi në lumenj ju besua kooperativave bujqësore si grupe peshkimi të cilat furnizoheshin me mjete e u jepej ndihmë teknike nga ndërmarrjet e përmendura më lart. Llojet kryesore qe peshkoheshin deri ne vitet 90 ishin kryesisht skobuzi, mrena, mlyshi (kleni), trofta. Krahas këtyre llojeve peshkoheshin në sasi më pak të rëndësishme edhe cironka, skorti me vizë, mrena e egër, mustakori, skorti i zi e i bardhë, e troftat e malit. Kjo e fundit në disa lumenj malorë zë peshën kryesore. Lloje të tjera si kubla , qefulli i verës dhe qefulli i vjeshtës , të vegjlit e ngjalës që ziheshin jo vetëm ne lumenj por edhe në grykëderdhjet e tyre. Sasia prej rreth 1100 kg që peshkohej çdo vit kishte sigurisht rëndësi ekonomike për zona të veçanta, sidomos ato malore, si dhe luante rol të rëndësishëm edhe për punësimin e njerëzve në këto zona. Krahas kësaj , rëndësi më të madhe kishte ruajtja e rezervave të peshkut,zbatimi i ligjit të peshkimit, mbrojtja e vendeve të riprodhimit dhe strehimit të të vegjëlve të tyre. Grupet e peshkatarëve, që në të shumtën e rasteve e kishin peshkimin veprimtarinë e tyre kryesore ekonomike, ishin shndërruar në mbrojtësit e parë të ligjshmërisë. Veprimtaria e tyre zhvillohej mbi baza e kritere të njohura teknike që garantonin një zhvillim deri diku të qëndrueshëm të rezervave peshkore e për rrjedhojë, edhe të peshkimit në zonat që mbulonin. Ata kujdeseshin veçanërisht që gjuetia të zhvillohej pas riprodhimit të peshqve dhe ruanin me rigorozitet vende të caktuara që njiheshin, në të cilat grumbulloheshin për strehim të vegjlit e peshqve për një periudhë të caktuar kohore. Trajtimi serioz i lumenjve me rëndësi të veçantë lidhur me faktin se disa prej tyre (Drini,Buna) shërbejnë për furnizimin e liqeneve kryesore të vendit tonë si liqeni Shkodrës dhe Ohrit me peshk (riprodhues ose të vegjël të peshkut -ngjala) dhe kuptohet edhe me ujë e lëndë ushqimore që ato sjellin . Shumë serioze është gjendja e furnizimit të liqenit të Ohrit me të vegjël të ngjalës. Para ndërtimit të digës (ura e Spatharit) kishte furnizim normal. Pas ndërtimit të saj të vegjlit zvarriteshin në skarpatet e kësaj prite dhe kuintalë të tërë bëheshin pre e fshatarëve që i peshkonin me qëllim përdorimin e tyre si ushqim për derrat e shpendët.

Promovimi i peshkimit
Synohet që nëpërmjet shkrimeve dhe fushatave promovuese të arrihet ndërgjegjësimi për një shfrytëzim sa më racional dhe të përgjegjshëm të burimeve peshkore të ujërave tona detare dhe të brendshme. Promovimi për një peshkim të shëndetshëm, duke ruajtur ekuilibrat natyrorë, do të konsistojë në nxitjen e peshkimit të përgjegjshëm; në ndërgjegjësimin për ruajtjen e biodiversitetit të habitateve e ekosistemeve ujore, si dhe mbrojtjen e specieve në rrezik; në vlerësimin e pasojave negative mjedisore mbi resurset nga aktivitetet njerëzore, me qëllim korrigjimin e tyre; në zvogëlimin e pasojave të ndotjes nga mbeturinat, zënies së peshkut me mjete të abandonuara etj; në përdorimin e mjeteve dhe teknikave të peshkimit selektiv me leverdi ekonomike dhe të sigurta nga pikëpamja mjedisore; në ndërgjegjësimin e komunitetit për mbrojtjen dhe rehabilitimin e ekosistemeve bregdetare dhe detare, ligatinore dhe lumore; në përmirësimin e përdorimit të baseneve duke i mëshuar rrezikut të aktivitetit njerëzor të pakontrolluar, si mbi shfrytëzimi i inerteve të shtretërve të lumenjve, të cilat kanë ndikuar në rritjen e shkallës së erozionit, denatyrimin e shtretërve të lumenjve dhe rritjen e rrezikut të përmbytjeve në rajon.
Promovimi i porteve 
Portet dhe administrimi i tyre si dhe promovimi i portit të ri të peshkimit në Durrës (në përfundim), si një mundësi e shtuar për parkimin e anijeve të peshkimit dhe jo vetëm, do të jetë një nga shkrimet e planifikuara në këtë projekt. Sektori i peshkimit përbën sot një përparësi kryesore për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, edhe për shkak të potencialeve të pashfrytëzuara të peshkimit në vendin tonë, me një konsum 3,4 kg peshk për frymë në vit përballë vendeve të BE-së që arrijnë mesatarisht deri në 33 kg peshk për frymë në vit. Kjo gjendje ka nisur të përmirësohet dhe, sa i përket Durrësit, që ka edhe flotën më të madhe të peshkimit në vend, përfundimi i ndërtimit të portit të ri të peshkimit do të ngrejë këtë sektor në një nivel më të lartë, të njëjtë me gjithë vendet e rajonit. Gjithashtu, lehtësimi i sektorit të peshkimit nëpërmjet paketës së bujqësisë, duke ulur koston e peshkimit, do jetë një tjetër temë e shkrimeve promovuese. Heqja e taksës së qarkullimit, heqja e taksës së karbonit për naftën që destinohet për peshkarexhat, për anijet e peshkimit, ka ulur automatikisht me 70 lekë të reja çmimin për një litër naftë. Në këtë mënyrë rritet interesi dhe rritet natyrisht edhe kapaciteti për të peshkuar me kosto shumë më të ulët dhe, sigurisht me aftësi më të mëdha konkurruese. 
Sigal