Përvjetori i Konferencës Kombëtare të Mukjes

722
Përgatiti Pertefe Leka
Ndofta, i vetmi i mbijetuar, sot 93 vjeçar, ai ishte pjesëmarrës i Konferencës së Mukjes, ithtar i ideologut nacionalist Mit’hat Frashëri, nxënës i profesorit të nderuar në Liceun e Korçës, Abaz Ermenji. Studenti Agim Leka pati fatin të ndodhej përkohësisht me çetën e profesor Abas Ermenjit në pranverën e vitit 1943 në Përrenjas të Skraparit kur kolonel McLean, kryetar i Misionit anglez që ishte hedhur me parashutë në Shqipëri erdhi të vizitojë profesor Ermenjin për të ndihmuar qëndresën shqiptare kundër okupacionit italian.

Është për t’u vënë në dukje apeli i të riut Agim Leka në malet e Krujës kur ai vizitoi heroin e rezistencës, Major Abaz Kupin në vitin 1943. Në një fjalim që mbajti përpara luftëtarëve të Lirisë, ai kërkoi një front të përbashkët me të gjitha grupet nacionaliste shqiptare, për t’i bërë ballë murtajës komuniste.

Gjithashtu ai shkruante në Gazetën “Zëri i Lirisë”, që drejtohej nga Musine Kokalari. Shkrimet e tij janë botuar në gazetat më të njohura të kohës si, New York Times. Me 23 shtator 1957, u botua në New York Times, letra e tij e titulluar “Për Lirinë e Shqipërisë kërkohet një politikë pozitive amerikane për të nxitur çlirimin nga Sovjetikët. ( Letters to the Times, For Albanian Freedom, Positive American Policy Urged to Spur liberation From Soviets).Letra u botua me pseudonimin, IILLYRICUS, për të mbrojtur familjen e tij në Shqipëri nga përsekutimi.

Letra e dytë u bota me 18 Janar 1969 në “New York Times” me titullin “Shqiptarët e Jugosllavisë” me rastin e vrasjes se një djali kosovar në demonstratën e Prishtinës për ditën e Flamurit.

Letra e tretë u bota me 17 korrik, 1971, kur u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë, dhe mbronte integritetin tokësor të vendit tonë, duke vënë në dukje persekutimet greke në Çamëri.

Artikulli, “Dilema Greke e Shqipërisë “, që u botua në shumë gazeta në gjuhën shqipe, ishte një përgjigje, drejtuar Nikolas Gage, kryetar i një organizate veriepirote, për shkrimin e tij në “Washington Post”, ” “Kosova, fuçi baruti “në Prill të vitit 1995.

Kohët e fundit, shkrimin e gjatë të dokumentuar për çështjen Haradinaj, të trajtuar në planin kombëtar, Dr. Agim Leka ia drejtoi Ambasadorit Francez në Washington DC, i cili iu përgjigj menjëherë duke shkruar se po ia drejtonte organeve kompetente në Francë.

Janë shumë shkrime të tjera të Dr. Agim Lekes, ku janë mishëruar humanizmi dhe atdhetarizmi, si një e pandarë në veprimtarinë bashkëkohore të tij si edhe në publicistikë.
Në një shkrim të Dr. Lekës mora këtë fragment për të njohur pikëpamjet e tij, të pandryshuara për çështjen Kombëtare, që nga mosha 18 vjeçare.

“Në një kohë në të cilën, shumica e shokëve të mi në Liceun shtetëror të Tiranës, me idealizmin e tyre të pamohueshëm për çlirimin e Atdheut tonë dhe për ndërtimin e një “shoqërie të re”, kishin përqafuar një ideologji të huaj gjoja se “internacionale do të jetë bota e re”, unë fillova të zhvilloja dyshimet e mija të përforcuara nga im atë, se asgjë e mirë nuk do t’i vinte kombit tonë nga bota sllavo-komuniste. Im atë më tregonte vuajtjet e shkaktuara nga fqinjët tanë të veriut dhe të jugut, të cilat ai i kishte përjetuar. Ai më shpjegonte me brengë në zemër se si fshati ynë Borshi, i njohur në mesjetë me emrin “Sopot”, bashkë me 314 katunde shqiptare u bë shkrumb e hi nga andartët grekë më 1914, vetëm e vetëm se banorët e tyre ishin shqiptarë dhe, bile shqiptarë brez pas brezi që nga kohët e lashta…….(marrë nga artikulli i Dr. Agim Leka “Nikë Barcolla dhe profesorët e Shkodrës në mbrojtje të Kombit shqiptar”
“Qëndresa e hapur antifashiste me pendë në shtator të vitit 1941.
Duke mbartur vlerat e një të riu të revoltuar nga padrejtësia, Agim Leka në moshën 18 vjeçare përktheu në gjuhën italiane, librin e Dom Nikollë Mazrrekut që mbante pseudonimin Nikë Barcolla. Agim Leka e botoi përkthimin e tij në 2000 kopje në shtypshkronjën Kastrioti, të cilat u shpërndanë nëpër konsullata, librari etj.

Titulli origjinal ishte “Skandali Kordinjano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar ” Ky libër u bë nxitje për shumë demonstrata përpara kryeministrisë për arsye se, prifti katolik Fulvio Cordignano në një artikull që kishte botuar në të përkohshmen “Rivista d’Albania” të marsit 1941, i denigronte shqiptarët si komb the si racë. Duket se qëllimi i tij ishte që të justifikonte pushtimin italian të Shqipërisë si një veprim bamirës i Mussolinit për të qytetëruar popullin shqiptar, ashtu siç i justifikonin Romakët pushtimet e tyre në botë. Studenti Agim Leka e ndryshoi titullin në “Risposta a Cordignano su i suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi” që do të thotë “Përgjigje Kordinjanos mbi gjykimet e tij për Shqiptarët”, për të lehtësuar marrjen e lejes për botim, sepse Dom Nikollë Mazrrekun, nën/famulltarin e Kishës katolike të Tiranës, e kishin internuar në fshatrat e Malësisë dhe libri i tij ishte sekuestruar me urdhër të Nën Mbretit Jakomoni.


Sigal