Personeli i ambasadave dhe konsullatave shqiptare, pa sigurime shoqërore qysh nga viti 1998

781
Arjan ZADRIMA
Edhe në shërbimin diplomatik shqiptar, prej 20 vitesh është punuar “në të zezë”… si shitësit e farave!
Skandal tjetër në diplomacinë shqiptare. Ndërsa prej 25 vitesh është folur dhe flitet për luftë kundër informaliteti dhe integrim të Shqipërisë në BE, vetë Shteti Shqiptar ka ushtruar veprimtari diplomatike me punësim “në të zezë”. Këtë nuk e thonë informacionet që vijnë në “Telegraf”, por e pranon vetë Këshilli Ministrave, i cili njofton, se ka marrë vendim të posaçëm, për të kryer pagesat e prapambetura të punonjësve të personelit të ambasadave dhe konsullatave shqiptare, të vendosura nëpër botë. Sipas nenit nr. 54, të Ligjit nr. 23/2015, personel diplomatik quhet jo vetëm ambasadori por edhe zyrtarë të tjerë të shërbimit diplomatik, të cilët sipas ligjit kanë të drejtë të atashohen së bashku me bashkëshortet ose bashkëshortët e tyre dhe persona të tjerë në ngarkim, deri në moshën 18 vjeç, të cilëve u përballon edhe arsimimin deri në këto moshë. Sipas këtij ligji, shteti është i detyruar, që edhe për bashkëshortet ose bashkëshortët e diplomatëve të paguajë sigurimet shoqërore e shëndetësore. Konkretisht, Pikat 2-3 të Nenit 54, të Ligjit Nr. 23/2015, përcaktojnë këtë detyrim: 

Pika 2: “Ministria e Punëve të Jashtme mbulon masën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortin/en e diplomatit/es dhe vetëm sigurimin shëndetësor për fëmijët deri në moshën 18 vjeç në ngarkim të diplomatit, si dhe personat në kujdestari ligjore të tij/saj”. 

Pika 3: Bashkëshortit/es të diplomatit, që e shoqëron në detyrë në misionin diplomatik ose postin konsullor, koha e qëndrimit jashtë shtetit, i njihet për efekt të vjetërsisë në punë. Për këtë periudhë, bashkëshorti/ja i diplomatit përfiton pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të llogaritur mbi bazën e pagës që merrte përpara se t’i bashkohej në këtë detyrë. Në rastet kur bashkëshorti/ja nuk ka qenë në marrëdhënie pune, si pagë referuese do të merret paga minimale e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Pikërisht këto detyrime të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, sipas VKM nr. 411 , datë 10.5.2017, rezulton se nuk janë paguar nga shteti shqiptar. Nuk bëhet fjalë për 2, 3 dhe 6 muaj, por për afro 20 vjet, pa u paguar! Bashkëshortët dhe bashkëshortet e diplomatëve shqiptarë që kanë shërbyer në 20 vitet e fundit në selitë diplomatike shqiptare nëpër botë, rezultojnë se kanë qenë në të zezë! Atyre nuk u janë paguar sigurimet qysh prej 1 Janarit 1998 e deri sot, në maj 2017. tashmë ka dalë vendimi për të kryer këto pagesa që kanë vlerën viteve për vjetërsi në punë, pra për pension. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 411, datë 10.5.2017 “Për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe njohjen si periudhë sigurimi të periudhës kur bashkëshorti/ja ka shoqëruar personelin e shërbimit të jashtëm në misionin diplomatik ose postin konsullor jashtë shtetit”, në zbatim të nenit 54, të Ligjit Nr. 23/2015, “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, Ministria e Punëve të Jashtme ka hartuar listën e personave që kanë shërbyer në ambasada dhe konsullata qysh prej 1 janarit 2018 e deri sot. Në bazë të këtyre listave dhe viteve të shërbimit për secilin, do të kryhen pagesat e sigurimeve shoqërore të viteve që kanë ushtruar veprimtarinë diplomatike “në të zezë”. Vendimi, përcakton edhe skemën e këtyre pagesave. Konkretisht, për periudhën 1 Janar 1998-31 dhjetor 2015, pagesa do të bëhet me kontribute nga dega e pensioneve, ndërsa për periudhën 1 Janar 2016-31 dhjetor 2016, pagesa do të bëhet nga kontributet e të gjitha degëve të Sigurimit Shoqëror Shtetëror, bazuar në normën e kontributit sipas degëve përkatëse të sigurimit, të përcaktuar në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993. 
———————————-
box
Edhe VKM-ja, me 3 shkelje ligji
Sipas VKM Nr. 411, datë 10. 05. 2017, pagesa e sigurimit për ata që kane qenë rezident në ambasadat dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit, do të kryhet duke u klasifikuar në 3 kategori: 
1. Masa e kontributit të sigurimeve shoqërore për periudhën 1 Janar 1998-31 dhjetor 2015, do të llogaritet në bazë të pagës minimale aktuale në shkallë vendi, përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në fuqi për vitin 2016. 
2. Masa e kontributit të sigurimeve shoqërore për periudhën 1 Janar 2016-31 dhjetor 2016, pagesa e sigurimeve, do të bëhet bazuar në pagën që përfituesi kishte përpara ndërprerjes së punës. 
3. Masa e kontributit të sigurimeve shoqërore, për personat që nuk kanë qenë të punësuar asnjëherë, kontributet e sigurimeve shoqërore llogariten bazuar në pagën minimale në shkallë vendi në fuqi për vitin 2016. 
Mirëpo, VKM Nr. 411, datë 10.5.2017 që bënë këto kategorizime është në kundërshtim të plotë me Pikën 3, të nenit 54, të Ligjit Nr. 23/2015 “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, mbasi ky ligj e përcakton: Bashkëshortit/es të diplomatit, i cili e shoqëron atë në detyrë, në misionin diplomatik ose postin konsullor, koha e qëndrimit jashtë shtetit, i njihet për efekt të vjetërsisë në punë dhe pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, i llogaritet mbi bazën e pagës që merrte përpara se t’i bashkohej në këtë detyrë. Përse duhet të sigurohen sipas pagës minimale zyrtare? Shkelja tjetër është kjo: Sipas VKM-së, në rastet kur bashkëshorti/ja nuk ka qenë në marrëdhënie pune, si pagë referuese do të merret paga minimale aktuale! Mirëpo, ligji i sigurimeve shoqërore e ndalon njohjen e sigurimeve për vitet kur nuk janë paguar kontribute financiare, siç veprohet për të gjithë!
Sigal