Personaliteti i shquar, Haxhi Dede Reshat Bardhi

1074
Sot është një ngjarje e shënuar vlerësimi dhe mirënjohje për ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi, i cili ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë, plot 15 vite më parë. Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit, në Veriun e Shqipërisë. Në moshën 6 -7 vjeçare fillon të mësojë shkrim e këndim në shqip dhe arabisht nga hoxha i fshatit, i cili rastësisht e kishte shtëpinë ngjitur me fisin Bardhi. Ndërkaq, hoxha kishte kryer studime të larta fetare në Stamboll. Ky nguliti tek djaloshi i vëmendshëm edhe shprehjet e para teorike, si edhe ato të praktikimit të riteve fetarë myslimanë. Në 1944 në Shqipëri, mosmarrëveshjet midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste çuan popullin në mëri të verbra. Jashtë kësaj mërie nuk mbeti as familja Bardhi, shtëpia e së cilës u dogj dhe u rrënua plotësisht. Për këtë shkak, kryefamiljari, Sinani merr rrugën dhe vendoset në rrethina të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë, ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Falë prirjeve fetare, por e tolerancës dhe dashurisë tradicionale bektashiane, ai hyn në biseda të gjata dhe të këndshme me dervishë dhe baballarë që ndodheshin në Kryegjyshatë. Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili ka parë tek djaloshi jo vetëm prirjet mistike dhe fetare, por edhe shembuj të një besnikërie të thellë. Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë në rrugën mistike të çelur nga Haxhi Bektash Veliu. 

Internimi në Mallakastër

Në gusht të 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Për arsye se, shteti komunist shqiptar kishte projektuar rrënimin e besimeve fetarë. Në 1958 ai internohet në Drizar të Mallakastrës, Kryegjyshin Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin. Prej 1958 deri 1967, dervish Reshati do të provonte mbi shpinë një varg torturash psikike dhe fizike të kryera nga Sigurimi famëkeq i Shtetit, por ai nuk do të largohej nga udhëheqësi i vet shpirtëror dhe as nga praktikimi i riteve fetarë bektashianë. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. E vërteta është se teqeja e Drizarit, u shndërrua në Seli të Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Me rrënimin e objekteve të kulteve fetare në Shqipëri në 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti. Ka jetuar gjatë kësaj periudhe tek vëllai i tij, Rexhep Bardhi dhe të afërmit e tij dhe jo rrallë këto shtëpi kanë shërbyer si teqe, në të cilat fshehurazi mbahej gjallë besimi në filozofinë dhe mistikën bektashiane. Me ringritjen e besimit fetar në 1991, ai riorganizon Bektashizmin në Shqipëri me gjithë strukturat e saj. 

Shembull i tolerancës fetare

Njëzëri nga organizmat ndërkombëtarë vendimmarrës më të lartë, Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, me titull “Dede”, në Kongresin e VI bektashian të 1993. E gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Dha një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare. Ka marrë pjesë në konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë në: Më 22 mars 1991 Dede Reshat Bardhi ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhrit të saj nga Kolumbia dhe Spanja. Në nëntor 1991, së bashku me pelegrinët e parë myslimanë shqiptarë, shkon në Mekë. Aty pritet nga autoritete të lartë fetarë të Arabisë Saudite. Sipas rregullit merr titullin “Haxhi”. Në shkurt të 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhepi si dhe personalitete të larta fetare të besimeve të tjera. Baba Rexhebi ka krijuar të parën teqe bektashiane në Detroit- Miçigan dhe ka mbajtur gjallë bektashizmin. Ai e uroi për postin e lartë, duke ia paraqitur edhe autoriteteve vendase amerikanë. Në maj 1993 pritet nga ish kryetari i alevi-bektashive të Turqisë, Z. Bedri Nuajan, i cili organizoi midis të tjerëve një takim me përfaqësues të lartë fetarë të Stambollit dhe Izmirit. Në gusht 1993 viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash Veliut në Turqi ku pritet nga mijëra besimtarë bektashianë të ardhur nga pjesa aziatike e Turqisë, Azerbaxhani, Kazakistani, Pakistani etj. U prit gjithashtu në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash. Që nga 1991 dhe deri më sot në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Dede Reshat Bardhi ka pritur në çdo festë fetare, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, ministrat dhe të gjithë ambasadorët e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran, ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti. 

Në audiencë të veçantë, nga Papa Gjon Pali në Vatikan 

Në mars të 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan. Ky uron për qëndresën gjatë regjimit komunist. Në gusht të 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet midis të tjerëve nga Kryeministri turk i asaj kohe, Eçevit. Ky e uron për misionin fisnik që kryen. Në tetor të 2002 merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbajxhan, ku përshëndet në emër të bektashinjve. Në tetor të 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, së bashku me lider fetarë të ardhur nga e gjithë bota. Pritet sërish nga Papa Gjon Pali dhe autoritete të lartë fetarë katolikë. Në shkurt 2004 gjithashtu merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë të organizuar nga Patriarkati Ekumenal si dhe fondacioni “Apel Ndërgjegjes”. Fjala e tij në këtë veprimtari pritet me ovacion. Në prill të 2004 merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashive në Gjermani. Përshëndet në emër të Komunitetit Bektashian. Në tetor të 2005 pret në Tiranë me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashive, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash. 

Lideri Botëror i Bektashizmit

Në dhjetor 2005 përshëndet në Prishtinë Kongresin e Lidhjes Shqiptarë në botë dhe pritet nga Ministri i Kulturës të Kosovës Z. Astrit Haraçia. Në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola. Midis të tjerave ky u shpreh: “Juve jeni Papa i Bektashinjve”! Në qershor 2006 Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç. Ky i dorëzon Kryegjyshit dekoratën “Për shërbime të shquara të paqes”, të parlamentit të Turqisë. Në gusht 2006, Haxhi Dede Reshat Bardhi ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë. Ai është takuar aty me personalitetet më të shquar fetarë të krejt botës. Në korrik 2007, është pritur në Prishtinë nga Z. Kushner. Me rastin e ringritjes së teqesë së Gjakovës, ka pritur përfaqësuesin evropian në Kosovë, Z. Joakin Ryker. Në tetor 2007, në krye të një delegacioni bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi pritet në Stamboll nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici. Në nëntor 2007 merr pjesë në konferencën botërore për harmoninë ndërfetare në Ohër të Maqedonisë. Përshëndet këtë konferencë dhe pritet aty nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski. Në qershor 2008, Kryegjyshi Botëror ftohet në Ankara nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartakogly. Ai merr pjesë në ceremoninë e dekorimeve të Ansamblit të Muzikës Mistike si dhe fal namazin në Koxha, xhami e Ankarasë. Pritet gjithashtu nga lider teologë myslimanë. Shtator 2008 është pritur në Tiranë nga Kryeministri i Turqisë Taip Erdogan. Më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Në maj të vitit 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes, për kontributin e tij të shquar, në rrafsh të tolerancës fetare. Mbas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë më 2 prill të 2011. Është dekoruar me medaljen: “Pishtar i Demokracisë” dhe urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në shtator 2015 mbas vdekjes i jepet Urdhri: “Flamuri Kombëtar” nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë, si dhe është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës, Mallakastrës. Ai mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e palëkundur të udhës së Hakut, kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë. 
Sigal