Përkujtohet 74-vjetori i ndarjes nga jeta i ish-Kryegjyshit Botëror, Riza Ali Dede

999
Për kontributin e dhënë si klerik e atdhetar, Riza Dede është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Nderi i Kombit”
Përkujtohet 74-vjetori i kalimit nga kjo jetë i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Riza Ali Dede, klerik i njohur dhe me merita të tjera në shërbim të kombit. Për kontributin fetar dhe atdhetar, Riza Ali Dede, ndër të tjera i janë dhënë dhe dy dekorata të larta. Kështu, në vitin 1993, Presidenti i Republikës, i akordon pas vdekjes Urdhrin e Klasit I për veprimtari patriotike me motivacionin: “Për kontributin e tij në drejtim të pastrimit shpirtëror të besimtarëve dhe edukimit patriotik të tyre. Armik i betuar i komunizmit.” Në vlerësim të kontributit të shquar, dhënë në drejtim të ngritjes së objekteve të kultit, si dhe edukimit të brezave bektashianë me kulturën e dialogut ndërfetar”. Në vitin 2017, Presidenti i Republikës i jep “Nderi i Kombit” me motivacionin: ‘Në vlerësim të kontributit të shquar, dhënë në drejtim të ngritjes së objekteve të kultit, si dhe edukimit të brezave bektashianë me kulturën e dialogut ndërfetar”.
Kush ishte Riza Ali Dede
Ka lindur në qytetin e Krujës më 18 tetor të vitit 1876 (ndërroi jetë më 22 shkurt 1944), nga një familje me traditë bektashiane. Pas vdekjes së babit, si fëmija më i madh, i ra barra për të mbajtur familjen. Në moshën 14 vjeçare punoi hyzmeqar në Shijak. Në moshën 18 vjeçare shkon në teqen Shememi baba në Fushë-Krujë dhe bëhet myhib dhe më vonë vishet dervish nga baba Haxhiu (Subashi). Në vitin 1902 shkon së bashku me dervish Xhaferin e Përmetit në Qendrën Botërore Haxhi Bektash në Turqi, ku për disa vite bëri shkollë dhe mori njohuritë e nevojshme për udhën bektashiane. Gjatë kësaj periudhe bëri haxh në Mekë,vizitoi varrin e Profetit Muhamed, bëri vizita në vendet e shenjta në Irak etj. Për disa vite me radhë, bëri shkollën teologjike në Siri duke shtuar më tej njohuritë fetare teologjike dhe mësime për mjekësinë. Në vitin 1914 kthehet në Shqipëri, në qytetin e lindjes. Por situate e vështirë dhe lufta e rebelimit të Haxhi Qamilit, bëri që dervish Rizai, së bashku me dervish Asllan Trepshin, të shkojnë për të shërbyer në teqenë e Martaneshit për disa vite. Në vitin 1918 thirret nga baba Hamidi i teqesë së “Pusi që lahet vetë” në Elbasan. Pas vdekjes së baba Hamidit, zuri vendin e tij. Këtu punoi me përkushtim për 25 vjet, deri në vitin 1941. Nga viti në vit u rrit autoriteti i tij dhe fitoi një respekt të veçantë jo vetëm për besimtarët bektashian, por edhe gjithë banorët e Elbasanit e krahinat për rreth. Ai, me punën shumëvjeçare dhe predikimin fetar kishte fituar aftësi, dhunti mistike, të cilat i vuri në shërbim të njeriut. Përgatiti shumë myhibë e dervish, ai ndihmoi edhe dede Ahmetin që ishte dervish në kohën e tij. Teqenë e ktheu në një vend të bukur me kopshte, bimë e lule sa vizitohej nga gjithë qytetarët e Elbasanit. Pasi u vra i ndjeri Kryegjyshi Botëror, Sali Niazi Dedei më 28 nëntor të vitit 1941, këshilli klerikal e zgjodhe baba Rizanë Kryegjysh Botëror më më 10 janar të vitit 1942. Si Kryegjysh, ai përfundoi godinën e madhe që ngriti Sali Njiazi Dedei dhe organizoi punën brenda e jashtë vendit në forcimin e bektashizmit. Gjatë luftës së dytë botërore dha kontribut në përkrahjen për çlirimin e atdheut, duke aktivizuar dervish dhe baballarë në luftën Antifashiste. Këtë detyre e kreu deri në vitin 1944. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1944 në spitalin e Tiranës. Eshtrat e tij sot prehen në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. 
Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj vlerëson Dede Ali Rizain 
Jeta dhe vepra e Riza Ali Dedeit, është vlerësuar dhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ja pjesë nga ky vlerësim: “Dede Ali Rizai, biri i Krujës sonë, djepi i hershëm dhe i sotshëm i bektashizmit, gjatë gjithë jetës së tij klerikale, dëshmoi në kuptimin më të thellë, tiparin universal të dervishëve dhe baballarëve, dashurinë ndaj Zotit dhe vatanit. Ai, askurrë nuk i ndali këto dy dashuri, përkundrazi u dha frymë përmes një mendimi të urtë dhe veprimi të ndjeshëm, duke i harmonizuar, për t’i përcjellë më tej në shpirtrat e mijëra besimtarëve. Tek fjala e urtë e Dede Ali Rizait, gjetën shërim dhe shpresë në ato vite të vështira për kombin tonë, jo vetëm besimtarët e Krujës, por dhe besimtarë të shumtë nga viset e Dibrës, Martaneshit dhe Gjakovës… Akti i zgjedhjes së tij në postin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, pas ndarjes tragjike nga kjo jetë e Sali Niazi Dedejt, tregoi ndërkaq se dituria, atdhetaria dhe urtësia e këtij kleriku të rrugës së Haxhi Bektash Veliut, i kishte kaluar me kohë viset gjeografike të Shqipërisë së Mesme, duke e renditur atë ndër figurat e njohura të bektashizmit botërorë. Veprimtaria e tij në rolin e Kryegjyshit Botëror, ndonëse shumë e shkurtër në kohë, dituria dhe maturia në përcjelljen e problemeve aq të mprehta, jo vetëm me karakter fetar, janë shembulli i shkëlqyer i vetëdijes në nxjerrjen e përgjegjësive historike dhe udhëtimin pa u ndalur në udhë të Hakut. Kontributi i çmuar i Ali Dede Rizait, mbetet ende sot, një shkollë edukimi për brezat e sotëm bektashianë…”.
Përgatiti: K. Boriçi
Sigal