Përkujtesa e Revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit në Vatër: 20 Maji, të shpallet Dita e Martirëve Antikomunistë

807
Nga Dalip Greca
-Paradoksi shqiptar: Martirët e revoltave, të dekoruar nga shteti demokratik, ende të pa ç’damkosur si terroristë, familjet të pa shpërblyera
Të Shtunën në mesditë, me 20 Maj 2017, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” në Nju Jork u përkujtuan 44 vjetori i Revoltës antikomuniste të Spaçit dhe 33 vjetori i revoltës së Qafë Barit.

Me një minutë heshtje është nderuar kujtimi i martirëve të masakruar nga diktatura komuniste, ndërkohë që në sfond ishte vendosur pllakati”KUJTESË-21 Maj 1973, Revolta antikomuniste e Spaçit-20 Maj 1984, Revolta e Qafë Barit”. Pranë saj një tufë lule të freskëta në kujtim të martirëve: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai; Tom Ndoi, Sokol Sokoli dhe Sandër Sokoli. Veprimtarinë e ka moderuar Editori i Diellit, Dalip Greca.

Zv/Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” z. Agim Rexhaj, në emër të Kryesisë dhe Kryetarit Buçaj i falënderoi organizatorët për këtë veprimtari përkujtimore në mjediset e Vatrës dhe bëri apel për mos harresë. Ai vlerësoi aktin e organizatorëve dhe martirëve të revoltave, shprehu admirim për përballjen me diktaturën. Duke iu drejtuar ish të përndjekurve politikë, ai tha se Shteti shqiptar ka bërë fare pak për vlerësimin e ish të përndjekurve politikë, siç nuk ka bërë asgjë për Memorien Kombëtare për të kthyer në muze vendvuajtjet, qelitë, hetuesitë, burgjet, kampet etj.

Ai tha se personalisht ju kërkoj ndjesë ju ish të përndjekurve politik, për mosnjohje të realitetit shqiptar në kohën e diktaturës. Ne shqiptarët e Kosovës ishim të painformuar se çfarë ndodhte në Shqipërinë Amë, ne nuk mund të shihnim përtej fasadës, për ne ajo ishte kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut, ishte e para për çdo gjë në Botë… Është e pafalshme që diktatori Hoxha ende ka fansa në Kosovën e Shqipërinë tonë!

Më pas mikrofoni ka qenë për ish të përndjekurit, për ata që vuajtën në Spaç, Qafë Bar, Burrel, Tepelenë, Zejmen, Ballësh, Sarandë, në kampet e internimit anë e kënd Shqipërisë.

Organizatori i këtij përkujtimi Pëllumb Lamaj, që prej vitesh e përkujton këtë veprimtari në SHBA, përmes takimeve përkujtimore, intervistave në Zërin e Amerikës, televizionet lokale e median e shkruar, duke mbajtur amanetin që i patën dhënë ish bashkëvuajtësit e tij, autor i dokumentarit për Spaçin, i riu që hyri 19 vjeç në Spaç, në burgun famëkeq, ku izoloheshin e torturoheshin tërë kundërshtarët, që konsideroheshin të rrezikshëm për regjimin,-Tregon duart, ku ende ka të thelluarën e prangave të ngulura në mish dhe i afrohet posterit-flyer -Kujtesë: I shihni këto vidat shtrënguese të prangave? Komunistët shqiptarë i modifikuan prangat e hitlerianëve gjermanë, duke u vendosur Burma shtrënguese, që të depërtonin në mish. Vështrimi i tij rrëshqet sërish tek duart, ku ka vragën e thelluar në mishin e duarve: Ne jemi gladiatorët e arenës së rrezikshme që shpëtuam gjallë. 

Revolta e Spaçit , që zgjati 3 ditë; mbetet e para në Evropën Lindore dhe meriton të ruhet në memorien e kombeve që vuajtën nga komunizmi. Në atë revoltë, nga njëra anë, u shpalos guximi i të burgosurve antikomunistë që sfiduan diktaturën, nga ana tjetër, u manifestua sadizmi më i egër i organeve të dhunshme të diktaturës që nuk i kursyen mjetet e dhunës për ta përgjakur revoltën. Të burgosurit valëvitën në tarracën e burgut Flamurin kuq e zi, pa yllin komunist, duke kënduar këngë atdhetare dhe duke hedhur parulla kundër diktaturës. Mijëra forca të diktaturës, përfshi dhe forcat special-sambistët, e shtypën me gjak revoltën; 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.

Pëllumbi, që u burgos kur ishte 19 vjeç thotë: “…unë kurrë nuk harroj fjalët e të burgosurve më të vjetër që thoshin “Nëse del prej këtu, të lutem thuaj botës së qytetëruar, se ne ishim martirë, se ne kërkuam lirinë, nga ata që na morën lirinë, se ne kundërshtuam shtetin kriminal të sunduar me grusht të hekurt nga tirani i pamëshirë, Enver Hoxha”. Ky amanet, tha Lamaj, më jep kurajë që ta vazhdojë luftën time, edhe pse e ndjej represionin e shtetit shqiptar, i cili për ironi, në vend që të më vlerësonte për përpjekjet që kam bërë për të mbajtur gjallë kujtesën, më ndëshkon duke mos më dhënë as dëmshpërblimin, ndërkohë që disa marrin këstin e shtatë, unë kam mbetur tek i dyti, por natyrisht kjo nuk do t’më tërheqë nga beteja.

Pas Pëllumb Lamaj, mikrofonit i afrohet Lek Mirakaj. Ai sjell në kujtesë revoltën e Qafë Barit, ku kryenin dënimin rreth 500 të burgosur politikë të dënuar me shumë vite burg, shumica mbi 25 vite. 

Lek Mirakaj tregon rrethanat e shpërthimit të revoltës: Ajo që drejtuesit dhe gardianët e burgut e quanin disiplinë, ishte terror e dhunë. Të burgosurit, pa arsye, për shkaqe të sajuar, p.sh përse nuk e ke vendosur drejt vijën e çarçafit, izoloheshin tek “Kaldaja” dhe atje torturoheshin me metoda mesjetare: Të zhvishnin lakuriq, të shtrinin në çimento dhe të godisnin pa e llogaritur se në ç’pjesë të trupit binte goditja. Mania e tyre ishte goditja e shputave të këmbëve me kamxhik, ku dhimbjet ishin të padurueshme. Dënimi në birucë ishte i zakonshëm. Dhuna, torturat dhe shfrytëzimi i të burgosurve ishin bërë të padurueshme, kur më 20 Maj 1984 shpërtheu revolta. Sandër Sokoli e Tom Ndoi ishin trima që s’u trembej syri, por reagimi i makinerisë shtetërore ishte tepër i dhunshëm. I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake. Të plagosurit hiqeshin zvarrë…Sander Sokolin, e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dërrasë dhe e këputen në mes sambistët. Tom Ndoin dhe Sokol Sokolin i pushkatuan.Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë dhe i ridënuan.

Më pas Leka tregon për dy intelektualë të Kosovës, që vuanin dënimin në Qafë Bari, të cilët kishin ikë nga ‘shiu’ Titist dhe kishin rënë në ‘breshërin’ enverian.

Mirakaj, gjatë ndërhyrjes së tij komentoi qëndrimin paradoksal të shtetit shqiptar, që nga njëra anë i ka dekoruar martirët e revoltave, nga ana tjetër nuk ua njeh vitet e burgut dhe nuk shpërblen familjet për shkakun absurd, se shteti komunist i pat cilësuar “terroristë”!

Një tjetër pjesëmarrës në veprimtarinë përkujtimore, i afrohet mikrofoni. -Ish i burgosuri Rajmond Sejko, që përveç ferrit të Spaçit, mbart një nga tragjeditë më të përgjakshme familjare; babai- Teme Sejko i vrarë, dy xhaxhallarët të vrarë e masakruar, vëllai 24 vjeçar i pushkatuar, -Sokoli, nëna-Shpresa e vrarë në mënyrë tinëzare. Në vend të dëshmisë për ferrin e Spaçit, ku kaloi çaste vuajtjesh dhe kalvarin në internim, Rajmondi tregon një episod që i ka ndodhur pak kohë më parë me një gazetar të Shqipërisë: – Më kërkoi një intervistë një gazetar nga Tirana. Ia dhashë, por i kërkova që para se ta publikonte t’ma dërgonte që ta shihja. Ma dërgoi. E lexova. I thashë se nuk mund ta botonte, sepse kishte heqë pohime esenciale të miat. Kishte hequr pjesën kur i thosha: Nëna ime në moshën 14 vjeçare pati shpërndarë trakte për Partinë Komuniste, edhe para se ta vrisnin komunistët ajo kishte shpërndarë sërish trakte, por këtë herë kundër Partisë Komuniste Shqiptare, që i kishte masakruar familjen dhe që ia kishte nxirë jetën…

Moderatori i veprimtarisë, editori i “Diellit”, solli një mesazh të hershëm të shkrimtarit Ismail Kadare, (përmendur nga Frank Shkreli në një shkrim botuar media, një ditë para veprimtarisë). Shkrimtari Kadare deklaronte më 2005-n: “Një mjegull e helmuar vazhdon të rrijë pezull mbi ish-perandorinë e përmbysur. Ajo nuk gjen qetësi dhe, me sa duket, s’ka për të gjetur, pa kryer një operacion të dhimbshëm, por të domosdoshëm: spastrimin moral të saj. Thënë ndryshe njohjen dhe dënimin e krimit. Pikërisht për pengimin e kësaj njohjeje e sidomos e këtij dënimi është ngritur sot në këmbë një armatë e tërë. Me trysni, me kërcënim, me para, me dredhi, me lutje, me shantazh, shkurt me të gjitha mënyrat e mundshme, kjo ushtri e thirrur në shërbim po përpiqet të mbulojë të vërtetën”.

Shkrimtari, ish i burgosuri Hasan Bajo, duke e komentuar pamfletin e Kadaresë, tha se ne ish të burgosurit e ndërgjegjes, kemi shpresuar shumë në kohën kur vuanim, por nuk i kërkuam Kadaresë që të bënte heroin, veçse, së paku të mos na hiqet si antihero”…Më pas Bajo solli mbresa nga vuajtjet në Qafë Bari, ku ai kreu dënimin për akuza të sajuara.

Pjesëmarrës në këtë përkujtimore ishin edhe dy vëllezërit Eqrem dhe Fatmir Mujo, djemtë e Sefer Mujos, njërit prej luftëtarëve antikomunistë më aktivë të Kompanisë 4000 në Mynih (së bashku me vëllain e tij Alo), personazh i spikatur në librin e Nicholas Bethel “The Great Betrayal (Tradhëtia e Madhe) me nëntitull-The untold story of Kim Philby’s biggest coup. Si hakmarrje, regjimi i Enver Hoxhës i përndoqi familjen, ia internoi, dhe i burgosi djemtë. Familja Mujo shtegtoi kampeve, fillimisht në Valias, më pas në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, më pas në Lushnjë, Kryekuq, Kolonjë, Çermë….Eqremi do të përfundonte në Spaç dhe Fatmiri në Ballsh. Pas burgut sërish në internim deri në vitin 1990. Fatmiri, tek takon Mark Mrnaçajn, i tregon atij për atin e tij, Nikollën, me të cilin kaluan kohë të vështira në kampin famëkeq të Ballshit. Fatkeqësisht, babai i Markut, Nikolla, nuk arriti që ta shihte përmbysjen e sistemit, vuajtjet në burgje e rraskapitën, e dërrmuan, ndërroi jetë pas burgimit të dytë.

Zef Balaj, ka falënderuar organizatorët e veprimtarisë dhe ka vlerësuar revoltat antikomuniste dhe martirët, që u sakrifikuan për liri e demokraci. Ai ka sjellë mbresa të njerëzve të tij, të bashkëshortes, që kaluan çaste të vështira në burgjet e komunizmit. Po ashtu, ai kujtoi rrëfimet e mikut të tij, Uran Kostreci, i cili ishte një ndër ish të burgosurit, që bëri më shumë izolime në biruca. Ndonjëra nga rrëfenjat ka dhe humor: E ka pyet gardiani, Uran, kur i do shkopinjtë, para apo pas buke?

Para buke,- përgjigjet Urani.

E pyeta unë, thotë Zefi: -Po përse ishte më mirë para buke tortura, Uran?

Sepse gjatë torturimit çoja në mendje se kur të mbaronin shkopinjtë, do të haja bukë…Kjo më jepte motiv qëndrese dhe harroja dhimbjet.

Zef Përndocaj, përfaqësues i një familjeje të përndjekur mirditore, familje që i ka provuar të gjitha vuajtjet, qëndresën në male, burgjet, internimet, plumbat, – ka qenë i prerë në fjalën e tij. Ai ka kërkuar që në shenjë respekti e nderimi për ata që humbën jetët e tyre, 20 Maji të shpallet si dita e Memories kombëtare për martirët e revoltave. Përndocaj ka kërkuar që ish- burgjet dhee kampet e internimit të kthehen në muze. Kujtese dhe në vend-vuajtjet të ndërtohen memoriale, ku të shkruhen emrat e martirëve dhe të viktimave.

Veprimtari Lek Përlleshi, duke bërë paralelizmin mes diktaturës shqiptare enveriste dhe asaj të ish Jugosllavisë, veçanërisht ndaj Kosovës, solli kujtime të dhimbshme nga persekutimi e torturimi i tij nga policia serbe, si intelektual atdhetar.

Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, ka shprehur dhimbje për vuajtjet e ish të përndjekurve, dhe i ka apeluar klasës politike shqiptare, që të realizojnë integrimin real të ish përndjekurve.

Dr. Skënder Murtezani, pasi shprehu respekt për ish të përndjekurve politikë, kërkoi që kjo klasë të japë një kontribut real për krijimin e së djathtës reale në Shqipëri, e cila mungon.

Veprimtari Eduard Dilo e ka shprehur diskutimin e tij me vargje. Ai ka përcjellë poezi kushtuar martireve te Revoltave“Revolta e Qafë –Barit– Në Spaç”dhe poezine e “Të Mbijetuarëve të Spaçit e Qaf’Barit”.

Moderatori ka kërkuar që përmes kësaj veprimtarie të nderohet dhe kujtimi i VATRANËVE që lanë Amerikën për të bërë Shqipërinë, por që morën si shpërblim nga diktatura plumba, burgje dhe internime. Të tillë ishin: Kristo Kirka, Aqif Përmeti, Kolë Tromara, Bahri Omari, Koço Kota, Aqile Tasi, Kolë Rodhja, Ali Kuçi e të tjerë! 

Moderatori përcolli vargjet e elegjisë të Prof. Arshi Pipës për Kristo Kirkën:

Vdiq flamurtari i moçëm! 
Si rrojti vdiq me nder, 
I pastër, i devoçëm 
E pa u përkulë njëherë 
Nder qela u sos t’Burrelit 
me dhunën e tradhtarit, 
me njolln’ e kriminelit 
mbi ballin e atdhetarit 
Nuk foli, nuk mallkoi. 
Por kur ra, fjala ju pre, 
Ndigjuem qysh lehtë ankoi: 
“Për flamur!… Për atdhe!”…
Në fund u shfaq për të pranishmit dokumentari historik, që përjetëson revoltën e Spaçit i realizuar nga Pëllumb Lamaj” “Spaçi, Simboli i Rezitences Anti- Komuniste, në Shqipëri”. Pjesëmarrësit e përgëzuan autorin.
Sigal