Përgjigjet zyrtare të 3 ministrave të “Rilindjes”, që provojnë pengmarrjen nga Vilma e “Check-up”-it

Përparim HALILI

“Telegraf” kërkon të dhënat zyrtare të koncesionit 110 milionë euro që paguhet nga taksat e shqiptarëve, por shteti ka frikë nga bosja e koncesionit

Kërcënimi mafioz i Vilma Nushit, bërë ndaj ministrave dhe drejtuesve të shëndetësisë në qarqe, deklaruar nga një nëpunës në Ministrinë e Financave: “Kush jep informacion për “Check-up”-in, do shkatërrohet…”

Kërkesës së gazetës “Telegraf”, për të marrë informacion lidhur me koncesionin e “Check-up”-it, drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë si Autoritet Kontraktor dhe institucion propozues e kërkues të kalimit në aktivitet privat të kontrollit mjekësor (depistimit), kjo ministri i është përgjigjur me një “sqarim, me të cilin ajo provon skandalin, që bosja Vilma Nushi ka urdhëruar edhe me presion e kërcënime Ministrinë e dhe gjithë institucionet firmosëse të këtij koncesioni, që të mos japin informacion lidhur me procedurën e koncesionit të “Check-up”-it dhe zbatimin e këtij koncesioni të kontrollit mjekësor të popullatës, madje edhe lidhur me ndryshimin e moshës së personave që do të përfshijë “Check-up”-i, duke ulur dhe shtuar moshën. Ministria e Shëndetësisë, me shkresën “Kthim përgjigje”, me nr. 1858/2 prot., datë 14 prill 2017, na njofton e na “sqaron”, se nuk mund të jap asnjë informacion lidhur me koncesionin e “Check-up”-it si procedurë tenderuese, si kontratë e nënshkruar nga kjo ministri dhe si zbatim kontrate në kontrollin mjekësor! Pse? Sepse deklaron kështu: “Ministria nuk e disponon kontratën dhe asnjë informacion tjetër, mbasi janë sekuestruar nga prokuroria në kuadër të një hetimi penal”. Që ky koncesion është vepër penale jo vetëm si procedurë tenderimi e dhënie në favor të Vilma Nushit, kjo dihet dhe nuk ka nevojë për komente, ashtu siç është veprimtari me krim, falsiteti i kontrollit mjekësor, me lista që kanë brenda edhe emra të vdekurish, qysh kur Vilma është pranuar si komuniste në radhët e PPSH! Por ndoshta është rastësi, që kjo përgjigje tipik “rrenë” e plotë është firmosur nga drejtorja juridike e Ministrisë së Shëndetësisë, që e ka mbiemrin “Njehrrena”. Ndoshta, ngaqë i njeh dhe i zbaton rrenat aq mirë dhe i zbaton me aq korrektesë, sa i konkretizon edhe në shkresat zyrtare! E sikur të mos mjaftonte rrena e gjoja “sekretimit të dosjes prej organit të akuzës, rrena e drejtores Andonika Njehrrena shkon deri edhe të deklarimi qesharak, me këtë përmbajtje: “Në bazë të Kontratës koncesionare, institucioni përgjegjës për financimin e projektit të “Check-up”-it dhe prodhimin e të dhënave (informacionit) mbi ecurinë e kontrollit mjekësor është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”! Mirëpo, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, deklaron se dosjen e kontratës dhe ecurinë e “Check-up”-it e ka vetëm Ministria e Shëndetësisë! Kjo lojë me shmangien ligjore për të mos dhënë informacion për koncesionin “Check-up”, bëhet nga të gjithë institucionet, drejtuesit e të cilëve janë nën terrorin e Vilma Nushit, për të bllokuar informacionin. Konkretisht, Ministria e Ekonomisë, me shkresën zyrtare Nr. 2622/1 prot., datë 7 prill 2017, na ka dhënë këtë përgjigje: “… Ky informacion (për Check-up”-in) nuk disponohet nga Ministria e Ekonomisë, por nga Autoriteti Kontraktor, i cili është Ministria e Shëndetësisë. Por ne, do t’i drejtohemi Ministrisë së Shëndetësisë për kërkesën që keni paraqitur ju…”! Si është e mundur, që as ministria e cila ka detyrim të mbajë të dhënat dhe dosjet e koncesioneve në Shqipëri, nuk paska asnjë letër të “Check-up”-it?! Palaçollëku zyrtar, vazhdon me përgjigjen që na ka dërguar Ministria e Financave e cila drejtohet nga “master tenderxhiu” Arben Ahmetaj, që bënë pagesat miliona euro në llogari të boses së koncesionit, ortakes së tij dhe klientes kryeministrore, Vilma Nushi! Ja përgjigja, që na ka dërguar në shqip, anglisht-folësi Arben Ahmetaj: “Lidhur me kërkesën për informacion, ju duhet t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë e cila është Autoriteti Kontraktor në këtë marrëveshje koncesionare dhe Ministrisë së Ekonomisë e cila mban regjistrin elektronik të koncesioneve të Partneritetit Publik Privat (PPP), mbasi kjo ministri është bazë të dhënash për gjithë koncesionet në Shqipëri”. Sot, po publikojmë vetëm këto 3 përgjigje të turpshme, të cilat në përpjekje për të fshehur skandal-krimin “Check-up” të Vilma Nushit dhe Ilir Beqjes, bëjnë një skandal tjetër shtetëror, i cili duhet çuar para drejtësisë, me motivin “Krim, për të fshehur një krim tjetër”! Kjo po bëhet prej institucioneve të “rilindjes”, të cilët fshehin krimin e “Check-up”-it.