PËR NJË KONCERT VJENEZ SHQIPTAR…

486
Sigal

  ( Meditim pas shikimit të  Koncertit të Filarmonisë së Vjenës)

Është bërë traditë që përmes TVSH-së, në një nga ditët e para Vitit të Ri, të na serviret  nga ky ekran, koncerti i Filarmonisë së Vjenës që, për hir të së vërtetës, mbetet nga gjërat më të veçanta që i dhurohet publikut artdashës në këto ditë festash. Kam disa vite që e përcjell këtë koncert të jashtëzakonshëm, me audiencë e shikueshmëri të rrallë botërore dhe përherë më zgjon ca ndjenja të papërshkrueshme e që, besoj,  lidhen me magjinë e kësaj krijimtarie të madhe me përmasa të përbotshme, në fushën e artit muzikor. Sa herë e ndjek këtë koncert kam vënë re se nuk do dhe aq shumë kulturë në fushën e pentagramit për të dalluar përsosmërinë dhe magjinë që krijojnë tingujt që dalin nga gjithfarë veglash muzikore, frymore e jo frymore në një orkestër gjigande.  E bashkë me koncertin, fare natyrshëm, shoqëruar me muzikën e mrekullueshme klasike, një interval i magjishëm sa muzikor po aq edhe promovues për vendet  turistike  vjeneze e austriake. Të ngërthen të tërin. Muzikë dhe promovim vendesh e bukurish, njëherësh, brenda një koncerti televiziv.

Është kjo arsyeja që më shtyu t’i hedh këto radhë…

A nuk kemi dhe ne muzikën e vendet tona të mrekullueshme, resurse të rralla turistike në të katër anët e vendit, që të mund ti promovojmë e ta bëjmë këtë  traditë në një event të posaçëm për ta kthyer në tradicional në çdo fund viti… Ne vërtet  nuk kemi Filarmoninë e Vjenës po kemi jo pak vlera tonat edhe në fushën e muzikës, madje në lëmin e trashëgimisë kulturore  shpirtërore  melosi ynë  popullor është i pakrahasueshëm, i rrallë. Mjafton të përmendim iso-polifoninë tanimë edhe si kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit apo eposin e kreshnikëve që është drejt marrjes së kësaj certifikatë botërore pa folur këtu për visaret folklorike që gjallojnë nga Çamëria në Mitrovicë e në të katërt anët e trojeve shqiptare.  Bëhen jo pak Festivale  gjatë vitit ,madje disa edhe në axhendën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës , Rinisë dhe Sporteve , ka të tjera aktivitete folku që mbajnë vulën e shoqatave apo subjekteve private dhe është fare e thjeshtë të qëmtohen vlerat më të spikatura për të mundur të organizojmë edhe ne “koncertin vjenez” shqiptar.  Të trishton e vërteta se askush nuk do t’ja dijë e nuk ka ndërmend të merret me organizimin e një ndërmarrje të tillë që, shërben , veç të tjerash, edhe për  ruajtjen dhe transmetimin e kësaj pasurie shpirtërore, që e kemi tonën e veç për këtë mund të shquhemi mes popujve të tjerë.  Patjetër Televizioni Publik do të ishte një mundësi  edhe si dëshmi  apo arshivë  për vlerat e krijuara e transmetuara në koncerte e festivale të ndryshme gjatë vitit  nga bardet e folkut po edhe nga qindra interpretues, nga jugu në veri, edhe pse të pa motivuar financiarisht. As fare nuk i shkon ndërmend Televizionit Publik që mbahet me taksat e qytetarëve t’i hyjë kësaj pune e asgjë s’na vjen në koncertet e fund vitit nga melosi ynë popullor që e kemi me tepri në të katërt anët e vendit. Edhe këtë vit që ishte edhe  viti i 100 vjetorit të Pavarësisë e që, për të ,u krijuan qindra e qindra këngë folklorike  nga më të mrekullueshmet, ky institucion, i vetmi publik në vend , nuk e pa të udhës të transmetonte më të zgjedhurat  ndër to.   Kaq vite që kënga popullore folklorike vazhdon të qëndrojë e shpallur  “mall e ndaluar” nga Televizioni Publik  thua se nuk ka asnjë detyrim për këto visare të vet popullit, me taksat e të cilit mbahet. Këngën popullore burimore kemi rastin ta shikojmë  vetëm kur shfaqet, herë-herë, e përçudnuar nëpër ekrane gjithfarësh pa as më minimalen përgjegjësi, duke i dëmtuar rëndë e pa rikuperim vlerat e saj. Këto radhë, siç thashë, mi nxiti ndjesia që përjetova duke ndjekur koncertin e Vjenës 2013.  Një arsye më shumë për të kërkuar në këtë vit ndryshimin e madh… Të paktën TVSH-ja t’u kthehet atyre që u takon; qytetarëve.