Për ata që duam, libri i “19 vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti

669
Doli në qarkullim libri i Atjonit Zhitit, “PËR ATË QË DUA(M)”, botim i “UETPRESS” që shpalos ide, mendime dhe një realitetet i ninëzuar nga një 19 vjeçar plot me freski dhe endërr dhe përkushtim të bukur. Janë 229 faqe me ese dhe statuse në fb, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës deri matanë oqeanit në SHBA, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda, ndëkaq libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografim, një si udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë e qytetarë, të njohur e të të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë rradhë të përndezuar nga Atjoni ynë… Libri lexohet me ëndje, ka shqetësimet e Atjonit, mënçurinë studentore, ëndrrën për një të ardhme më të mirë, duke e pritur nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkarisht, me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurtë e së ardhmes… Nga këtej duket i frymëzuar autori, që tani na frymëzon ne me librin e tij të parë. Libri i ngjan një bisede me Atjonin tonë, ka zërin e Tij, ka pasionin e Tij, ka rrugën e tij dhe dritën e Tij si një brerore qiellore… Ka arkitekturën e duhur estetike, të tërheqe nga njëri kapitull në tjetrin, për sinqeritetin mahnitës, nga intimitetet fëminore deri në angazhimet sociale të një të riu, të tërheq po kaq për lëndën dhe frazën tekstuale, për kulturën që përçon dhe mesazhet e hapura e me rendësi. “Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, thotë Eugjen Merlika. Rrugën e Atjonit e ndërpreu qysh në nisje fati i zi. Ai u nda nga jeta 8 muaj më parë nga shkaku i një aksidenti rrugor…Libri i Atjon Zhitit na trondit jo vetëm për atë që është, por dhe sepse na jep boshin humneror të asaj që ai do të mund të ngrinte, vegimin e asaj që do të donte të shkrunate e të bënte ky autor i ri e i talentuar, i ndëprerë tragjikisht, kur sapo nisi. Libri për koinçidencë del tani, ku autori do të mbushte 20 vjeç. Buzëqeshja e tij, thotë në libër njëri nga shokët e Atjonit, ishte mjeti me të cilin donte të ndryshonte botën.
Sigal