Pëllumb KULLA/ Ja bre, kjo është Amerika!

1266
Sigal

RRËFENJA E PARË, në vend të parathënies

–          Tëmën bre, prefesor, – nis ligjëratën e përditëshme shoferi, – sa llafe të

ndyra kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu  n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. Çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta!

          Dhe me sytë që i ndrisin Peço shoferi lexon në fytyrën time efektin e ironisë së tij.

      Rradha e veturave në portat me pagesë të Trajboro Brixhit është e gjatë.

Megjithatë unë kam kohë deri në fillimin e punës. Tej mbi Menhetten, që e kemi në krahun e djathtë, kanë rënë rrezet e para të diellit dhe kjo kartolinë e rrallë e shtyn mikun tim Peçon, ashtu me duar mbi timon, të më bëjë një raport përmbledhës me përshtypjet e tij nga Amerika. Ai e ndjen që unë i dua rrëfenjat e tij, në atë gjuhën djalektale korçare, rrëfenja që më zbavisin pa masë dhe nuk shterrin kurrë.

–          Ikë sa të duash larg, ore, – vazhdon Peçoja, – mendjen në Shqipëri do ta

kesh! Një sy këtu e dy atje! Unë atje kam pleqtë, siç i ke edhe zotrote. Edhe shokët e kushurinjtë e mj, pleqtë i kanë në Shqipëri… Mendjen atje e kemi të tërë. Sa bie telefoni, i pyesëm: Keni korrent-o? Po ujë? Si ini me drita, mo?

  Kemi qëndruar tek njëra nga kabinëzat mbi urën e Trajboros dhe Peçoja më

zgjat dorën. I jap paratë për kalimin e urës, ai paguan, hapet trari dhe makina vazhdon rrugën për Kuins.

–          Ja kështuuuu, prefesor! Jetojmë kohëra të mrekullueshme, kur ne

shqiptarët e ardhur këtej, shumica mosha të reja, kemi lënë atje prindërit, pleq e plaka, që të na e bëjnë edhe njëherë elektrifikimnë e përgjithshmë!

   Me Peçon, vendet e punës i kemi pranë e pranë. Vetura është e tija, kurse

pagën e urës e bëj unë. E ai më shpie në punë çdo ditë. Ai më shpie edhe tani kur puna e tij ka pësuar një rënie. Punon në një kompani taksish dhe limuzinash, por kur shterrin pasagjerët Peçon e kanë nga të parët që pushojnë. Po ai nuk e prish terezinë. Paraqitet në mëngjez e pastaj kur i thonë që nuk ka punë për të, futet në një kafe në Kuins e prêt t’u bëjë ndonjë shërbim me pagesë shqiptarëve me makinën e vet.

          Unë punoj në një Strehë, ku rehabilitohen fëmijë me të meta, kryesisht jetimë. Streha është e mbajtur mirë e financuar pjesërisht nga shteti i Nju Jorkut dhe më së shumti nga dhurues kristianë. Po Motër Gjenovefa është aq e zonja, sa shpesh arrin të marrë financime edhe nga qeveria federale. Ajo e ka themeluar vetë Strehën e tani fluturon nga krenaria që Streha e saj është bërë model. Unë aty organizoj argëtimet e fëmijëve dhe mbaj gjallë grupin e theatrit. Motër Gjenovefa që ka sjellë për vete një krevat të thjeshtë dhe fle aty në Strehë, rri orë të tëra duke parë inskenimet e mia mbi fëmijërinë e Linkolnit, Presidentit të lavdishëm të Shteteve të Bashkuara.

          Puna më ecën, edhe më vjen keq që shokut tim, Peços, nuk i vete mbarë sikurse mua. Nganjëherë më duket se ai e di që atë ditë nuk do të ketë punë, as me taksi as me limuzinë, por vjen, ja thjesht, që të më bëjë lehtësi mua. E tërë kohën e rrugës së gjatë nuk lodhet duke folur. Shpesh them që do t’ia mbledh këto rrëfenja. Jam i bindur që do t’i kujtoj të gjitha një e nga një ato që më ka treguar deri më sot. Janë tregime të jetuar nga ai vetë, por ka plot nga të shqiptarëve të tjerë, pasagjerë, që ia rrëfejnë rrugës dhe ai m’i sjell mua taze, të ngrohta. Jam kurreshtar të dij, se çfarë u rrëfen ai të tjerëve për mua. Se nuk mund të rrëfesh asgjë për një njeri të heshtur si unë, që vetëm qesh heraherës duke dëgjuar shoferin gojëkripur, që nuk lodhet kurrë së rrëfyeri. E flet e flet… Ja si tani:

–          Rrimë këtu në Amerikë e ndjekëm me drithërimë të tëra kacafytjet

dashamirëse të politikanëve atje, të cilave u thonë “kacafytje për të gjetur unitetnë”, unitet që nuku vjen, ce është nisur ters…Poështë nisur ters bre, që në përçapje të parë të Skënderbeut. Ce ay e bëri me ugur të keq, o prefesor, qëkure për t’i bashkuarë shqiptarët, zgjodhi për kuvënd Lezhën, që atëhere quhej Lesh!..

          Shoferi u jep një të fshirë xhamave, megjithëse ata mua më duken më të tejpashëm se kurrë.

          –  Ka shumë vjedhje në Shqipëri, thonë, korrupsion. Qeveritarët e politikanët e kanë mendjen te paraja. Si e si, të bëhen milionerë! Prandaj është më mire, bre, kur shtetnë e drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Që shtetnë ta drejtojnë të pasurit, ka dy rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe po ndodh kjo e dyta: ministrat po bëhen të pasur! Atje vjedhjet kanë qëllime të pastra, fisnike… Prandajza, sa herë vete andej-këtej u them shqiptarëve, kudo që janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas… të ini krenarë për mëmëdhenë e dashur! Atje vjedhën për pikësynime të nderçme… Njëherë vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithëshme, sot për të mirë të tij, individi i rrjep lëkurën e përgjithëshme shtetit!…

    Peçoja vështron ca vrapues shalëjashtë, që ndjekin paralel veturën më të

dy anët e rrugës. Një burrë i ngjallmë mezi i lëviz kilet e tij e duket aq i rraskapitur, sa të bësh be se ky është vrapimi i tij i fundit para se ta varrosin.

      –   Sa e kishmë ëndërruarë Amerikën, o prefesor, ëh?… Këtu shëndoshesh, fryhesh pa dashur, o në p.. të sëmës! Ma shëkon ti prefesor, barkun, mullën time? Asnjë thërrime dhjamë, as një çiçkë bark nuku kam patur në Shqipëri! Xhan o ushqim i Shqipërisë! Bëj unë tashi vrap, që të ul barkun, por varet edhe nga puna, bre. Se nuk është fiskultura kryesorja. Më parë, këtu, bënja gjashtë ditë punë, po ama, një ditë ia linja të tërën, vrapit. Nuku do linja punën për të vrapuar, de! Pastaj ra puna. Fillova të bëj pesë ditë punë e dy ditë vrap… Pastaj  .. m’u shkurtua akoma puna e fillova të bëj tri ditë punë e katër ditë vrap. Tani ka një muaj, bëj vetëm  …vrap!

          Dhe miku im nuk ka të rreshtur:

      –  Po sëkur është vetëm ky hall këtu! Mua nuk më janë ndarë hallet, qëkur vura këmbën. Pa gjuhë, bre, pa gjë… Dy vitet e para punova pa letra, fshehur.  Punonja në kat të gjashtë… Gjashtë, po gjashtë për së prapthi, oreee! Gjashtë kate dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë, – se mo na e marrën amerikanët për racizmë! – ata ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë, ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë, ku ishnja, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh, kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja: gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuku paskej qënë anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!!  Kur mos kem babanë! Posi ore asnjëri nuku më tha, se ata hushkulurit ezmerë, kishnë qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë dy vjet. Fillova anglishten nga e para. Zhytem po s’mbytem unë!. Ama, thuaj hë, gjuhë më të zorçme, nuk e bën nëna! Për të folur, hajde de, pa për të shkrojtur, po nuku vajte në shkollë, aha, harro mushkë…! Amerikanët, or byrazer, e shkruajnë “mace” dhe e lexojnë “qen”! Fëmijët venë në shkollë dhe e mësojnë, ne të rriturit, hiç-o, ç‘të na vijë nga veshi. E kështu shtyhemi. Papo, është e bukur bre, kur e dëgjon tjatrin ta bëjë mishmashnë në mes të supermarketit, t’i thotë së bijës: “Na moj ti, dhi e Ziçishtit! Mo më thuaj aj dont kerë, po mbylle grykën, ce të futa një pëllëmbë të mirë, sa të harrosh pasuordin e internetit dhe gjer bë dhjetë numëra celularësh!”…

          Peçoja e le tregimin dhe drejton gishtin nga një veturë që po na le pas.

–          Shëko, shëko!.. E pe atë Mercedesnë? Ia pe flamurë tonë mbi targët?

–          Ia pashë. – i them unë.

–          Gjen këtu dhe shqiptarë që të marrën gjak në vetull. Fitojnë dhe e derdhën

paranë lumë. – vazhdon Peçoja. – Njëditzaj, një i njohuri im, – njëherë vaftit bëmim zborë  bashkë me të, – blevi një shtëpi një miljon dollarë. Kur mos kem babanë! Saktësisht: një miljon dollarë e 99 cent! Gjen bre këtu shqiptarë që hapën biznese, si ata devollinjtë që kishnë hapur një servis veturash dhe kishnë marrë me mëditje vetë amerikanët! Amerikanë bre, orgjinalë, kur mos i kem tërë! Dhe bile u mësojnë atyre korçarçen tonë. Ja, u këtheva nga një vizitë në Shqipëri unë, e vajta e po u rrëfenja devollinjve ç‘kisha parë në mëmëdhe. Por më shumë u trondit pe atyre që rrëfenja unë, ay amerikani zezak, që punonte për ta. Me gojë hapur kamare pe habisë, dolli që poshtë maqinkës që po riparonte e më tha: “Me gjith mënt –o? Ik or t’u mbylltë e mëndjes”, – ma bëri zezaku, -“ ce nuku t’i ha njeri këto!?!”- “ Kur mos kem babanë!” – i thashë. “Kur mos kem babanë, edhe unë s’t’i besoj!” – ma previ zezaku dyke zënë be për babanë zezak!

          Në një udhëkryq të Kuinsit, dy policë amerikanë me fytyra kinezësh, po i jepnin rradhë trafikut. Unë vura bast me veten se Peçoja tani do të hapte bisedë mbi kinezët. Dhe e fitova bastin:

–          Nganjëherë nuk e merr vesh je në Amerikë apo gjëkundi tjatër!.. – nis

sipas parashikimit tim Peçoja. – Dhuratat që shqiptarët, blenë për të dërguarë në Shqipëri, të gjitha mbajnë etiketën e prodhimit Made in China! Po sikur na kanë mallkuarë, që të mos na ndahet Kina kudo që të vemë, or tëmën e sëmës!…  Ore, amerikanët si sistem, fituanë mbi komunizmën,  po si shpërblim e panë ç’u erdhi: iu mbush vendi me..  me…  ruse, do ti a, polakë, do ti a, shqiptarë, do ti! Edhe një fitore kështu mbi Kinën u duhet këtyre e pastaj, që të shohç një amerikan safi, do të duhet të shkosh në rezervuaret e indjanëve!  Edhe atje edhe jalla, kur ta gjesh! Ja, kur mos kem babanë, në e tepëroj! Do të ma shohç pastaj Amerikën! Hë-hë-hë!…  Po amerikanët janë të mençëm, ore, dhe tashi kanë filluarë ta kuptojnë mirë, se të drejtat e njeriut në Kinë, nuku janë edhe aq keq or jo!…

Arritëm përpara Strehës. Peçoja nuk kish më kohë të përfundonte të tërë

temën e kinezëve, të filipinëve, rusëve dhe të tjerëve… Por, ja, kemi ditët e tjera që vijnë. Dhe unë mahnitem sa mirë i zbërthen Peçoja vuajtjet, lumturitë e peripecitë e shqiptarëve të mërguar në këtë tokë të Amerikës, në mes të këtij oqeani mërgimtarësh nga e gjithë bota….

Pëllumb Kulla, mjeshtri i humorit që reformoi artin e madh

  Pëllumb Kulla, njëri nga mjeshtrat e vërtetë që reformoi humorin shqiptar, rreth viteve ‘80-të, paraqitet para nesh me një nga krijimet e tij më të mira, që ka shkruar gjatë qëndrimit të tij në Amerikë. Në këto materiale, të cilat ai i ka quajtur “Rrëfenja”, Pëllumb Kulla jep një panoramë të qartë të psikologjisë së popullit tonë dhe mënyrës së përshtatjes së tij, në vendet e mëdha. Në këtë rrëfenjë të parë, ai përshkruan se si u duket Amerika, fshatarëve dhe qytetarëve shqiptarë që shkelin për herë të parë atje. Por, jo vetëm kaq. Nëse do të thoshim diçka më shumë për Pëllumb Kullën, unë do të zgjidhja vetëm këto fjalë: Faleminderit, që ishe midis nesh, në një kohë të vështirë diktature dhe faleminderit, që je me ne, në mes të këtij absurdi që përjetojmë. Sepse me ty gjithçka na është dukur më e lehtë dhe më e mundshme për t’u kapërcyer. Kjo, ngaqë pasi jemi ankuar shpesh se na kanë rënë për pjesë vetëm ca budallenj të politikës, pastaj kemi thënë, por zoti na ka dhënë si ngushëllim, apo si mbrojte, Pëllumb Kullën. Ai ka mjaftuar për të mundur divizionin e idiotëve të politikës që krijojnë konfuzion kudo ku shkelin. Ai me humorin e tij na ka shtuar besimin te jeta dhe na ka kujtuar edhe njëherë mençurinë klasike, që thotë, se, “komedia u shpik, që njerëzimi të ndahet nga e kaluara e vet duke qeshur”. Tani rreziku kaloi, dhe bandat e të çmendurve politikë, u harruan me gjithë tenderat që morën me vete, apo me ndërtesat që privatizuan, duke nxjerrë sipas rrotacioneve, njëri – tjetrin nga Parlamenti apo qeveria. Vetëm Pëllumb Kullën nuk e shkulën dot nga pushteti absolut që krijoi ai, në këto vite. Sepse duke hequr atë, politika lehtësohet, ministrat punojnë “të qetë”, administrata thur plane për të nesërmen. Herë pas here të gjithë së bashku ndërmarrin fushata kundër tij, por dorëzohen shpejt. Ata janë shumë, por Pëllumb Kulla është vetëm një dhe tani jo vetëm që ka hyrë në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve, por edhe në shpirtrat e tyre.

 I.B