Pelegrinazhi i përvitshëm në Kishën e Shna Ndout, kulmon me të Martën e Shenjtë të 13 Qershorit

1223
Sigal

Pelegrinë nga i gjithë vendi. Njerëz të bindjeve dhe religjioneve të ndryshme ngjiten në malin e shenjtë të Shna Ndout, (ku gjendet edhe Kryqi në majën më të lartë) në shenjë sakrifice, falënderimi dhe lutjeje për t’iu plotësuar dëshirat. Sipas besimit të krishterë, një pelegrinazh i tillë praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe lutjeve a falënderimi që i dërgohet këtij shenjtori, i cili njëherësh bën edhe mrekulli. Mrekulli, të cilat po sipas besimtarëve janë të faktuara me shembuj konkretë, ku të lindurit të verbër me vajtjen në këtë vend të shenjtë kanë nisur të shikojnë dhe të paralizuarit janë ngritur në këmbë. Në këtë tokë, pelegrinë të shumtë e të besimeve të ndryshme tregojnë që, pasi janë ngjitur në këmbë nga qyteti poshtë i Laçit deri në majën e malit ndjehen edhe më të çlirët dhe më optimistë për jetën. Lutjet në këtë vend të shenjtë thuhen se dëgjohen nga Shna Ndou, i cili bën mrekulli nga më të paimagjinueshmet. Pas ritualit të ngjitjes së mundimshme në mal, ndalesave tradicionale dhe rrotullimit tre herë rreth Kishës, pelegrinët ndezin qirinj dhe luten për mrekullinë që kërkojnë. Të moshuarit, tregojnë se ritualin e 13 të martave e kanë ndjekur edhe në kohën e regjimit, kur besimi në Zot ishte i ndaluar. Qytetarë të shumtë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, etj. të martën e fundit të këtij rituali të përvitshëm mblidhen rreth kishës në majën e malit dhe kalojnë gjithë natën aty, duke u lutur. 13 qershori është edhe dita e shenjtorit, që respektohet nga besimtarët e të gjitha besimeve, katolikë, ortodoksë e myslimanë.

Gjatë shekujsh besimtarët këtu kanë pasur dy pika takimi:

1) – Shpellën e Shna Vlashit,

2) – Shejtnoren e Shna Ndout. Përballë vendit të shenjtë në majë të malit shihen ende rrënojat e një kalaje të vjetër.

Shën Antoni i Padovës – apo siç njihet nga besimtarët shqiptarë, si Shna Ndou – para thirrjes quhej Fernando Bulhao. U lind me 15 gusht 1195 në Lisbonë, prandaj quhet edhe Antoni i Lisbonës në disa vende dhe vdiq me 13 qershor 1231 në Arqela të Padovës dhe njihet më shumë si Shën Antoni i Padovës. Ka qenë një frat (vëlla) françeskan dhe është shenjtor i kishës katolike, i cili njihet për një përkushtim shumë të forte ndaj saj. Në Shqipëri është një nga shenjtët më të dashur e më të njohur nga të krishterët që iu plotëson dëshirat e tyre