Pas suksesit në Fier dhe Elbasan, “Salome” me Ermira Hysaj zbret në skenën e teatrit të Durrësit

1152
Sigal

Shfaqja teatrore “Salome” vazhdon turin, duke ndaluar javës që vjen në teatrin “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit. Shkruar nga Oscar Wilde me regji nga Carlo Sciaccaluga dhe me një kast aktorësh të njohur, tragjedia “Salome” pas suksesit në teatrin e qytetit të Fierit dhe të Elbasanit do të jetë në datat 8 dhe 9 tetor në Durrës. Vepra po shfaqet në skena të ndryshme, duke marrë vlerësimin e publikut dhe javës që vjen do të jetë publiku i qytetit të Durrësit ai që do të ketë mundësinë të ndjekë tragjedinë e shkruar nga Oscar Wilde. “Salome” është tragjedi me një akt dhe në role janë Ermira Hysaj, Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri, Yllka Mujo, Alesia Xhemalaj, Emiljano Bufazi, Ermir Hoxhaj, Ilia Kaçi, Ismail Shino, Kleivert Ibrahimllari, Marsel Greva, Urim Aliaj. Tragjedia “Salome”, produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” erdhi në muajin prill premierë në skenën teatrore. E bazuar në personazhe biblike, historia sillet rreth pasionit aspak të zakontë të princeshës së Judesë, Salomes, e cila dashurohet dhe fiksohet me profetin Jokanaan dhe kur ai e përbuz dhe nuk e pranon, kërkon dhuratë prej Herodit, burrit të nënës së saj, kokën e prerë të tij. Salome është thjeshtra e mbretit Herod Antipas të Judesë. Ai është bashkëshort i Herodias, e cila është e mallkuar nga një profet me emrin Jokanaan (i njohur në Bibël si Gjon Pagëzori). Sipas tij, martesa e Herodit është e paligjshme, sepse Herodia është vejusha e vëllait të Herodit. Në Bibël, Salome e ndihmon të ëmën të marrë hak ndaj Gjon Pagëzorit, ndërsa në veprën e Wilde, vendimet e Salomesë ndaj Jokanaanit vijnë si rezultat i dëshirës së saj për hakmarrje nga epshi. Për tmerrin e mbretit dhe për gëzimin e së ëmës, Salome kërkon kokën e Jokanaanit në një pjatë argjendi, si shpërblim për vallen e shtatë vellove, që ajo do të kërcejë para mbretit Herod.

Kryevepra e Wilde

Tragjedia “Salome” është e cilësuar si një nga kryeveprat e Oscar Wilde provokon emocione tronditëse dhe rrënqethëse të një pasioni të pazakontë. Vepra “Salome” është vënë në shumë skena të botës nga regjisorë të ndryshëm. Por dhe Ricard Shtraus ka kompozuar një opera me të njëjtin titull. Po ashtu dhe aktori i njohur hollivudian Al Pacino ka realizuar një film të mrekullueshëm, por nuk kanë munguar dhe të tjera projekte me këtë vepër. Oscar Ëilde lindi më 16 tetor të vitit 1854 dhe rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo-irlandezë. Gjatë studimeve në Dublin dhe më pas në Oksford, u shfaq si njohës i shkëlqyer i klasikëve dhe që në moshë të re përvetësoi shumë mirë gjuhën frënge dhe atë gjermane. Gjatë kohës në universitet u përfshi edhe në lëvizjen e quajtur esteticizmi. Pasi kreu studimet shkoi në Londër, që ishte qendër e rretheve shoqërore, kulturore dhe letrare të kohës. Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë. I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj, që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890. Për të shprehur më mirë idetë e tij estetike dhe për t’i kombinuar me tema më të gjera sociale, Oscar Wilde u fut në rrugën e dramës. Jo më pak të njohura janë komeditë e tij, ku mund të veçojmë “Një grua pa rëndësi”, “Një bashkëshort ideal” dhe atë që konsiderohet si kryevepër “Rëndësia e të qenët i ndershëm”. Përveç dramave dhe novelës së vetme, krijimtaria e tij përmbledh edhe tregime.