Pas divorcit flet Aurela Hoxha: Jetën private e kam të Shenjtë

72
Ka kaluar pak kohe qe nga lajmi për divorcin e saj dhe kurioziteti i mediave për Aurela Hoxhën nuk është venitur aspak. Bukuroshja duket se ka vendosur të jetë prezente në jetën publike, por pa dhënë shumë detaje mbi jetën private. Fotot sensuale, por edhe të rejat në karrierën e saj, nuk bënë që të largohej vëmendja nga historia e ndarjes. Aurela Hoxha do të shënojë një tjetër sukses në karrierën prej modeleje.
Bukuroshja shqiptare do të jetë imazh i ri i markës së njohur “Dolce & Gabbana” për kategorinë “Make-up”. Fotot mahnitëse të Aurelës, siç duket kanë joshur Stefano Gabbana-n, i cili i ka shpërndarë në faqen e tij zyrtare në “Instagram”, ku numëron më shumë se 610 mijë ndjekës. Modelja nuk u ka thënë “jo” mediave të flasin rreth këtij zhvillimi të karrierës, por ka vijuar të mbetet hermetike në historinë e divorcit të saj, bërë publike pak javë më parë.
Pa dhënë shumë detaje rreth kësaj çështjeje, Aurela Hoxha ka qenë në kopertinën e revistës “Star”, ku dhe ka përshkruar pse zgjedh të mos flasë për jetën personale. “E kam të shenjtë këtë pjesë. Nuk dëshiroj ta ndaj me asnjë. Dhe besoj se është kjo ajo çka publiku pret prej meje. Për atë çka ata presin, besoj jap çdo ditë me shumicë, një gjë më takon ta mbaj për Aurelën”. Më tej ‘showgirl’-i ka thënë se ekspozimi i tepërt në publik nuk i bën mirë një historie dashurie.
E pyetur nëse të mbajturit larg fokusit mediatik e mbron një lidhje, ajo ka thënë: “Nuk e di, dhe nuk jam e zonja të rrezikoj. Besoj që secili e di mirë ç’bën. Por nuk mendoj që zhurma i bën mirë”. Ka pranuar të flasë edhe për thashethemet e shumta që vërtiten rreth saj, e sidomos pas divorcit. “Prekem, deri diku. Nuk reagoj. S’ka qenë kurrë qëllimi im të vërtetoj të kundërtën, mendoj se koha tregon gjithçka; për ata që janë të interesuar, gjithmonë”, – ka përfunduar Aurela në intervistën e dhënë.