Parodistët e Vlorës rrëmbejnë duartrokitjet e publikut

678
Sigal

“Parodistët e Vlorës janë legjendë. Trashëgiminë e tyre duhet
ta mbajmë gjallë. Ta përcjellim ndër breza pasionin e tyre për të gëzuar zemrat
e njerëzve. Pasioni i tyre i jetës, buzëqeshja. Kemi fatin t’i njohim e shohim
këta legjendarë. Kemi fatin të marrim nga arti i shpirtit të tyre. Sot në
teatër, rrëmbyen të qeshurat e publikut, zemrat e tyre, sepse ata janë
Mjeshtra, me “zjarrin e parodisë në gji”.Legjendat duhen rrëfyer,
duhen vlerësuar, duhen mbështetur, janë pasuri shpirtërore e një qyteti, e një
Kombi, janë zemra njerëzore që edhe në dhembje, kanë rrahur për të dhuruar
gëzim tek njerëzit e zakonshëm….”

“Jeni Mjeshtra”, kështu titullohet
shfaqja më e fundit e Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës.
Shfaqja e cila po ndiqet nga një numër rekord spektatorësh është e përbërë nga
material të përzgjedhura nga repertori ndër vite i Estradës, kryesisht nga
repertori i parodistëve të Vlorës.
Dhe janë pikërisht tre parodistët Afrim Agalliu, Agron Hamo e Muhamet Lika, të
cilët mbajtën peshën kryesore të shfaqjes, e cila është vendosur në skenë me
ide e regji të Afrim Agalliut, i cili në vitet e fundit ka marrë përsipër të
kryejë dhe detyrën e regjisorit të shfaqjeve të Estradës së Vlorës.
Numrat e zgjedhur për shfaqjen “Jeni mjeshtra” kanë për autor emra të njohur të
humorit shqiptarë si Ferdinand Hysi, Pëllumb Kulla, Muhamet Lika, Afrim Agalliu
dhe Vilson Gjoça..
skenografia është e piktorit të njohur vlonjat Agron Jakupi dhe muzika e Artur Dhamo
(mjeshtër i Madh).
Shfaqja “Jeni mjeshtra” është e dyta për këtë vit, pas shfaqjes së dhënë në
shkurt të titulluar “Vdis, pa të dua”. Gjatë muajit qershor të vitit 2016,
trupa e Estradës ka punuar dhe për përgatitjen e një veprimtarie homazh, në
nderim të aktores së teatrit të Vlorës, Evgjeni Shtrepi (Artiste e Merituar).
Sipas regjisorit Afrim Agalliu, në 8 ditë shfaqja është ndjekur nga më shumë se
2500 spektatorë, ndërkohë që shfaqja është ndërtuar mbi një skenar ku Estrada
vuan mungesën e regjisorit, libretistëve dhe aktorëve dhe në të tilla kushte
ata janë të detyruar ta bëjnë vet shfaqjen si Mjeshtra që janë.
shfaqja “Jeni mjeshtra” bashkë me suksesin  e sallës së mbushur plot e
përlot në çdo natë, ka evidentuar dhe problematikat që ka trupa e estradës së Vlorës
dhe vetë parodistët e Vlorës.

Në një statusin e vetë në facebook,
drejtoresha e arsimit të Vlorës Albana Hodaj, ka shkruar ndër të tjera se “Parodistët e Vlorës janë legjendë. Trashëgiminë
e tyre duhet ta mbajmë gjallë. Ta përcjellim ndër breza pasionin e tyre për të
gëzuar zemrat e njerëzve. Pasioni i tyre i jetës, buzëqeshja. Kemi fatin t’i
njohim e shohim këta legjendarë. Kemi fatin të marrim nga arti i shpirtit të
tyre. Sot në teatër, rrëmbyen të qeshurat e publikut, zemrat e tyre, sepse ata
janë Mjeshtra, me “zjarrin e parodisë në gji”.Legjendat duhen
rrëfyer, duhen vlerësuar, duhen mbështetur, janë pasuri shpirtërore e një
qyteti, e një Kombi, janë zemra njerëzore që edhe në dhembje, kanë rrahur për
të dhuruar gëzim tek njerëzit e zakonshëm….”

Zonja Hodaj është e treguar e
gatshme në debatin e lindur në facebook për trashëgiminë e artit të
parodistëve, për të kontribuar si institucion për evidentimin e fëmijëve e të
rinjve që kanë talent në fushën e teatrit, me qëllim tërheqjen e tyre në
teatër. Nga ana e tij, aktori dhe regjisori i estradës Afrim Agalliu ka
përshëndetur gatishmërinë e drejtoreshës së arsimit, duke thënë, se një nga
motivet që Estrada jep shfaqjet për shkollat është pikërisht mesazhi që duhet
të përcillet, se më mirë një orë në teatër ,sesa një orë në PUB, me qëllim
përcjelljen e traditës në humor që ka qyteti i Vlorës edhe tek brezat më të
rinj.

Estrada profesioniste e Vlorës është
krijuar në vitin 1955, ku ndër aktorët e parë të saj kanë qenë Gaqi Vishi, Leka
Kruta, Myqerem Ferra, Vangjel Panozaqi, Evgjeni Shtrepi, etj.
Këta aktorë e trashëguan artin e tyre tek humoristët më të rinj si Agron Hamo,
Muhamet Lika, Mane Lumani e Afrim Agalliu, ndërkohë që këta të fundit të njohur
në të gjithë Shqipërinë si “4 parodistët e Vlorës” nuk kanë se ku ta
trashëgojnë artin e tyre, për shkak edhe të mungesës së politikave për tërheqjen
e talenteve të rinj në teatër e estradë. Të njëjtën problematikë shfaq edhe
teatri dramatik, i cili aktorin më të ri e ka në moshën 50 vjeç dhe vuan nga
mungesa e aktorëve, duke vështirësuar vendosjen në skenë të pjesëve të
ndryshme.