Paro Ziflo, Kapedania e polifonisë labe

124

PORTRET/ Nuk jam penduar që kam kënduar për Enver Hoxhën

Zëri i saj është i magjishëm. Shumë emërtime i kanë vënë emrit të saj, por unë do të thosha që emri më i bukur është ai që i kanë vënë në vendlindje “Kapedania e polifonisë labe”. Gjithmonë e qeshur dhe e sinqertë, gjithmonë mes miqsh dhe njerëzve, por kur del nis skenë ajo s’të fal. Aty nuk

bën kompromis me asgjë, me asnjë. Zëri i saj duket si gurgullima e burimeve të Kurveleshit, një gurgullimë që të magjeps dhe të detyron të lësh çdo punë. Specialistët thonë se dhe pse vitet ikin zëri i saj bëhet më i bukur, më i plotë, me atë ngjyrim, shpërthyes, i fortë, i ëmbël, dykohësh, plot emocion, që nuk ka nevojë për mikrofon. Paro në skenë mbetet me përmasat e viganit dhe pse me shtat të shkurtër. Sipas saj, dhe jeta e saj është një këngë, e cila nuk shteron po rritet bashkë me skenën. Në skenat, ku ajo ka shkelur kushdo është befasuar, ka ndalur dhe ka menduar se mos vallë
bashkë me ‘të është një shoqëri dhe ndonjë orkestër speciale, se ashtu është zëri i saj si bashkim melodish.

Prejardhja
Është nga Lekdushi, një fshat i bukur malor që ka nxjerrë shumë këngëtarë dhe luftëtarë që njihen në mbarë vendin. Në sheshet e shkollës, në rrapet e Progonatit dhe të Lekdushit  ajo këndonte këngë nga më të ndryshmet, kryesisht këngë patriotike dhe të figurave të shquara historike. Ajo që e ka zbuluar se, Parua do të bëhej një këngëtare me emër ishte një grua e moshuar nga fshati, e cila e dëgjonte gjithmonë dhe e nxiste të mos i ndahej këngës. Edhe sot për ‘të, Parua ruan një respekt të jashtëzakonshëm. Ishte nxitja e saj dhe dëshira e Paros, që kënga të zinte ëndrrën e jetës së saj.

 Kënga e parë

Kur shkonte për ujë ajo dëgjonte nën zë këngët e nënave që të mposhtnin lodhjen e largësisë e mbushnin veten me këngë, me optimizëm. Parua i dëgjonte dhe mundohej që t’i mbante mend. Në këngë s’e heq nga mendja. Oshtin kënga e parë që ka kënduar të plotë rrugëve të fshatit për ujë, apo netëve në dhomën e saj.

“Ja, ja, ja shamia/Shamia që mbajmë të dyja/ Me pika dhe me vija”. Ishin këngë të grave labe, të cilat si mposhtnin hallet, por ngriheshin mbi gjithçka në emër të mbijetesës.

 Festivali i Gjirokastrës

Aty ajo mori famë dhe vendosi për të ardhmen si këngëtare. Këndoi një këngë të veçantë. Një këngë që e veshi me rrobat e bukura të emocionit, po aq të bukura sa dhe rrobat që kishte veshur. Ishte hera e parë që ngjitej në skenën gjigante të Gjirokastrës, në atë skenë, ku janë zbuluar këngëtarët më të mirë popullorë shqiptarë. Këndoi një këngë  për “Heroin e Popullit” Mustafa Matohiti. Heroi është nga fshati i Paros. Së dyti, këndoi dhe një këngë lirike. Dy këngë në një skenë magjike. Ishin këngë polifonike, ku ajo i këndoi me shoqet e fshatit, por vetë Paro ishte marrësja. Mbas këtij Festivali ajo ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet e Gjirokastrës. Gjirokastra, për ‘të, u bë si një shtëpi e dytë. Më vonë ajo iu bashkua grupit të Bënçës. Me të u lidh përfundimisht, pasi dhe zërat kombinoheshin dhe e kuptonin mirë njëri-tjetrin. Tek ai grup ajo ka shpirtin pasi i duket si një familje e madhe ku ka lidhur pjesën më të bukur të jetës. Ndoshta rastësisht, ndoshta se i thirri koha, ata e gjenin njëri -tjetrin, pasi së bashku u mbushej zëri, shpirti dhe kënga.

 Kënga më e bukur…

Ajo s’e mohon dhe pse i dedikohet Enver Hoxhës. Sipas saj, kjo këngë mbetet kënga më e bukur e grupit të tyre. Edhe të vjetrit, por edhe shumë të rinj sot e evidentojnë me atë këngë: Shqipëria nënë e gjirit. Të uron bir jetë të gjatë dhe kur thotë dita njëmijë/ nënës prapë i duket pak”. Nga mënyra e të kënduarit, nga mënyra e kombinimit të zërave, nga mënyra e interpretimit, ajo ngelet unike. Ishte viti 1973 kur e këndoi këtë këngë me grupin e Bënçës. Kënga e Mitro Xhanit dhe kënga “Bij çobanësh neve jemi” janë dy këngët e tjera që kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme në Festivalet e Gjirokastrës, të cilat i këndon dhe sot me shumë pathos. Edhe sot, ajo nuk është penduar që ka kënduar për Enver Hoxhën. Unë jam këngëtare dhe do këndoj çdo këngë që më ofrojnë vetëm të mos kenë tradhti ndaj atdheut. Ajo i këndon çobaneshës, punëtorit, traktoristit, dashurisë, atdheut, miqësisë, heronjve. Ashtu ishte koha, ashtu këndonim. Sipas kohës edhe kënga. Edhe sot u këndohet politikanëve dhe udhëheqësve, thotë ajo. Por tek ajo këngë u bashkuan teksti, muzika, zërat dhe isoja e veçantë.

 Sot kënga popullore

Po aq  me bukuri sa këndon polifoninë, ajo këndon dhe këngën popullore të jugut. Ndaj sot ajo nuk thirret vetëm për këngë polifonike, por edhe për këngë popullore. Zëri i saj tashmë i pjekur i jep një ngjyrim tjetër kësaj gjinie kënge kaq të përhapur në jug. Por muzika popullore është dhe pak delikate. Ajo shoqërohet dhe me saze, ku klarineta zë vendin kryesor. Harmonizimi i zërit me tingujt e muzikës është një përgjegjësi ku kënga o humbet o fiton. Kështu që Paro me punën e saj nuk ka dështuar kurrë. Ajo në të dyja këto gjini këngësh ka të njëjtat rezultate. Turbofolku, sipas saj, mbështet tek tabani popullor ndaj ka dhe sukses. Këtu muzika me zërin ruhen në raporte të drejta sa duket se kalojnë ne peshë farmacie.

 Polifonia në harresë

Sot kjo perlë e muzikës shqiptare është lënë ën harresë. Ajo është marrë në mbrojtje nga UNESCO, por qeveritë shqiptare në këto 23 vjet thuajse s’janë kujtuar për të. Kjo këngë është një thesar. Në shumë vende të botës kjo këngë ka ngritur peshë platetë për magjinë e zërave. Madje, ison dhe kthyesin, shumë spektatorë në vendet e huaja e merrnin për një lloj instrumenti të veçantë, që jepte tingull magjik. Sa më shumë të lihet pas dore kjo lloj kënge, aq më shumë do t’i kushtojë trashëgimisë sonë kulturore thekson Paro. Jemi shumë larg kultivimit dhe çuarjes përpara të kësaj kënge. Shteti duhet të bëjë shumë për këtë thesar me vlera të pallogaritshme.

 Dita më e bukur e skenës

S’i ka numëruar vendet që ka shkuar për të dhënë koncerte. Thuajse në të gjithë Europën dhe më larg saj. Dhe skena ka ligjet e veta, ka anët e saj pozitive dhe negative, ka tekat e saj. Skenën o e gllabëron o të gllabëron ajo. Por si ditën më të veçantë ajo mban pikërisht kur këndoi në Festival të Gjirokastrës këngën “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”.  Kjo këngë u prit jashtë çdo parashikimi. Bashkë me të filluan të këndonin dhe spektatorët. Zëri i tyre u bë një. Pas përfundimit të këngës atë e ngritën  në krahë. Ajo për minuta të tëra nuk e dinte, ku ishte në tokë apo në ajër. I dukej vetja në fluturim. Ishte një ditë e paharruar.

 Shoqëria shqiptare është maskiliste

 Dhe pse ajo është rritur mes meshkujve dhe pse është respektuar si rrallë femër në Shqipëri, sërishmi thotë që shoqëria shqiptare është maskiliste. Gruaja shqiptare ende jeton pa të shumë të drejta. Disa herë femrat shihen vetëm si shtëpiake. Madje, ndaj femrave ushtrohet dhunë. Ka shumë vend për të diskutuar për këtë problem thekson ajo. Ka shumë padrejtësi ndaj femrave. Në politikë femrat zënë shumë pak vend, thuajse të papërfillshëm.

O ju nënat shqiptare
Me fëmijët nëpër botë
Parua ju uron nga shpirti
rrofshi nga jetë e mot

Pengu i jetës

Që demokracia e kapi në këtë moshë. Sot është koha e lirisë, koha e lëvizjes, koha pa ideologjizma, pa censurë. Në këtë kohë me këngën mund të bësh mrekullia thotë Paro. Sot kam më shumë hapësira të bëj gjëra më të bukura, por edhe vepra bamirësie. Do desha me gjithë shpirt të këndoja shumë dhe të bëja shumë vepra bamirësie. Ky është pengu im i vetëm.