Panajot Kanaçi, zbulues i talentit të Çelikut

934
Sigal

PERSONAZH/ Flet koreografi dhe shkrimtari Dedin Suli:

 Dedin Suli është koreograf, shkrimtar dhe studiues i artit koreografik. Në vitin 1951 ka marrë pjesë në “Flamuri i Paqes”, “Koncert Koreografik”, “Mbrëmje Baleti”. Është autor i librave: “Artistë të shquar të interpretimit koreografik shqiptar 1950-2012” (me 92 portrete), “Besim Zekthi, korife i vallëzimit shqiptar”, “Agron Aliaj”, “Historiografia e Artit koreografik shqiptar” 2010 dhe së fundi monografinë  Rexhep Çeliku “Valltari fluturues”.  Dedin Suli prej vitesh banon në Itali, por ai kurrë nuk e harron ardhjen në Shqipëri si dhe lidhjen e kahershme me TOB-in,ndonëse ka kohë që është larguar. Ai është autor i dhjetëra shkrimeve të tjera, ku promovon vlera të artistëve dhe të artit koreografik të botuar në shtypin shqiptar dhe atë italian. Libri i tij për Agron Aliajn është shoqëruar me një parathënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ndërsa për studimet e tij nuk janë kursyer të bëjnë vlerësime edhe kritikë të tjerë me zë, ndër ta Adriatik Kallulli e Josif Papagjoni  Libri i tij i fundit monografik  Rexhep Çeliku “Valltari fluturues” ka ngjallur shumë interes tek specialistët.

 Ju keni shkruar për korifenjtë e koreografisë dhe të valltarëve shqiptarë, pse ju ka tërhequr kjo fushë?

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa unë kam qenë vetë valltar, koreograf, por dhe mik i këtyre korifenjve si Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Agron Aliaj dhe së fundi Rexhep Çeliku. Duke qenë vetë ndër valltarët e parë shqiptarë, duke parë mësimet e tyre, duke parë dhe zhvillimin e koreografisë shqiptare, nuk mund të rrija indiferent pa nxjerrë në pah rrugën kaq të bukur, kaq të pasur, kaq sinjifikative, kaq të komentuar të koreografisë shqiptare. Ne jemi me fat që kemi pasur një brez koreografësh në vijimësi, të cilët me punën e tyre, me interpretimet e tyre, e lartësuan emrin e koreografisë shqiptare kudo në botë. Qysh në regjimin komunist dhe deri më sot, arritjet e koreografisë shqiptare kanë qenë impresionuese. Ansambli i këngëve dhe Valleve shqiptare, kudo ku ka qenë, kudo ku marrë pjesë në festivale jashtë atdheut apo koncerte ka ardhur me medalje, në shumicën e tyre “Ari”. Kjo ka qenë shtysa që unë të shkruaj për këtë plejadë krijuesish dhe interpretuesish të koreografisë dhe interpretimit të valleve shqiptare.

A kishit vështirësi në monografinë për valltarin fluturues Rexhep Çeliku?

Sigurisht, të shkruash për një njeri të tillë ke vështirësi, pasi ka një emër të madh, ka një karrierë të shkëlqyer, ka një popullaritet të padiskutueshëm. Kam më shumë se një vit që kam punuar për këtë vepër dhe mendoj se ja kam dalë mbanë. Duhet të kini parasysh se Rexhep Çeliku ka një histori jetësore krejt të veçantë. Ai hyn në rrugën e bukur të artit pas kërkesës këmbëngulëse të Mjeshtrit të Madh Panajot Kanaçi. Ishte punëtor në ndërtim, dhe këtu në punë shikohet fiziku i tij, trupi i bukur, pamja burrërore. Pas kërkesës ai ishte i dyzuar, ishte në mëdyshje. Madje, dyshoi se mos i madhi Kanaçi ishte punonjës i sigurimit të shtetit. Sipas kujtimeve të R. Çelikut, i cili ndërkohë vazhdonte të punonte në ndërtim, ai shprehet: “Duke punuar me varé pranë Teatrit të Operës dhe Baletit e duke shembur betonin e një ndërtese, dikur të quajtur “Krimé”, më sheh një burrë i pashëm, fisnik, i cili po ndiqte nga afër punën që bëja. Ai i kërkoi leje ustait tim të bisedonte pak me mua. Në atë kohë, inxhinieri i punimeve kishte thyer këmbën dhe në çast mendova se kisha të bëja me ndonjë hetues, ndaj dhe luhatesha ta takoja apo jo. Ustai im, i ndjeri Maksut, më afrohet dhe më thotë të shkoja të takoja “profesorin e madh, Panajot Kanaçi”. Por ishte familja dhe vëllezërit që e përkrahën. Kështu jeta e tij ndryshon krejtësisht. E dashuron deri në “marrëzi” vallen, punonte natë e ditë pa ndërprerje, punonte pa asnjë kufizim dhe Rexhepi dhe vallja shqiptare u bënë një. Me entuziazëm R. Çeliku bën fjalë mbi pranimin definitiv në radhët e valltarëve. Dhe ja si shprehet ai: “Erdhi koha që unë të dilja para komisionit së bashku me shokët e grupit, ku ishim 12 çifte. Nga 12 çifte do të dilnin fitues 3 çifte, të cilët do të fillonin menjëherë punë pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në mesin e tre çifteve, fitues doli edhe emri im. Dhe më 20 shkurt 1971 unë fillova punën si valltar pranë Ansamblit me Vallen e Prespës krah valltares Veronika Mano”. Po ashtu si djemtë e asaj kohe, kur Rexhepi kishte nevojë për një dorë të sigurt, për një fjalë të ngrohtë e nxitëse, ishte dora dhe fjala e ngrohtë e Besim Zekthit, Enver Birkos, Fatos Zajmit, Mihallaq Stojës, Ramiz Herrit, Agron Shaqirit, Shefqet Ballës etj., që iu ofrua dhe djaloshi pranoi me shumë dashamirësi. Dhe erdhi një ditë, falë dhuntisë së profesor Panajotit, që Rexhep Çeliku nisi të kërcejë me Lili Cingun, e cila ndër vite u shqua si perla e valles shqiptare.

Sipas jush përse u dashurua kaq shumë pas valles Rexhep Çeliku?

Ai përgjigjen e ka dhënë vetë. Ja si shprehet ai më poshtë: Dhe, po ta pyesësh se përse është kaq i “ngjitur” pas skenës së valles popullore, ai të përgjigjet: “Folku ynë është tepër i pasur në lëvizje, në kostume, në gjuhën koreografike, e cila ndryshon shumë nga zona në zonë. Dhe, nëse ne kemi qenë të njohur në botë, vlerë të madhe ka edhe folklori, të cilin ne e kemi përfaqësuar denjësisht”. Ajo që bie në sy në qëndrimin e këtij artisti, në çdo etapë kohe, edhe kur arti i valles popullore mbas viteve ‘90 pati njëfarë zbehje për shkak të emigrimit të një pjese të madhe të artistëve, për shkak të mungesës së fondeve financiare për të mbajtur një trupë të tillë në këmbë, është se ai kurrë nuk e ka lakmuar “nguljen” jashtë vendit të tij. Dhe këtë e argumenton kështu: “Unë, më shumë se kushdo gjatë këtyre aktiviteteve e kam parë se forca më e madhe e artistit është në atdheun e tij, suksesi më i madh është kur ta jep duartrokitjen populli yt dhe atë sukses që ke në vendin tënd, jashtë shtetit nuk mund ta arrish dot. Kështu që unë kam zgjedhur Shqipërinë, atdheun tim”. Kjo tregon mjaft qartë përse Rexhep Çeliku ishte, është dhe mbetet i suksesshëm në skenën e valles së bukur e të zjarrtë shqiptare. Ai, as më shumë e as më pak nuk është veçse një Ante, i cili forcën e qëndrueshmërisë e merrte nga vendosja e këmbëve të tabanin e tokës mëmë. Për herë të parë ai kërceu si solist “Vallen e Prespës”. “Prespa” sikur e përcolli Rexhepin të hidhte valle kudo, në mbarë vendin e pse jo, edhe në skenat e botës. Dhe kudo si solist i parë. Në vazhdimësi ai interpreton në vallen “Gorarçe”, në “Vallëzimin e shqipeve”, në “Valle me motive çame”, në “Ditë feste në Tiranë”, “Vallja e Korabit”, “Oshtima e maleve”, “Vallja e Lezhës”, “Foleja e shqipeve”, “Vallja e lirisë”, “Ditë feste në Tiranë”, vallja… vallja. Për vite të tëra ky djalosh, artist nga ana profesionale, ka qenë simboli i krenarisë. Vallet luftarake që ai interpretoi në skenë nxorën në pah një valltar të plotësuar me të gjitha akseset: zhdërvjelltësinë, vështrimin syshqiponjë teksa vallëzonte me shqipet e shpesh edhe një vështrim disi të rreptë teksa kërcente vallen e luftëtarit të lirisë.

Dua të ndalemi pak në koncertet recitale të Rexhep Çelikut?

Ishte viti 1986 kur valltari Çeliku hapi siparin e koncerteve recitale. Në krah ishte e mrekullueshmja Lili Cingu e, ndërkohë, koncerti mori zjarr nën zërin e bilbiltë të këngëtares tejet të suksesshme Merita Halili. Kjo treshe bëri që për dy net radhazi salla e Teatrit të Operës e Baletit të zhurmëronte nga thirrjet entuziaste të artdashësve, të cilët ndoqën nga afër mrekullinë e valles e këngës popullore shqiptare. Sigurisht, ndihmesë e madhe në ato vite e konkretisht në ndërtimin e këtij recitali ishte mjeshtri i koreografisë, Panajot Kanaçi, i shquar në njohjen thellësisht të valles burimore. Ajo që ra në sy në vallet e koreografuara prej tij ishte ndërtimi i të pesë valleve në formë dueti. Ishte një gërshetim i lëvrimit të dyanshëm liriko-epik. Ishte një gjeturi kjo e mjeshtrit Kanaçi, i cili sfidoi mendimin e përgjithshëm se ndoshta vallet në duet edhe mund të mos jepnin anën e duhur cilësore, mbasi spektatori ishte mësuar të shihte në skenë shumë çifte valltarësh. Tematika e përzgjedhur e valleve të këtij spektakli zgjidhi çdo nyjë dhe … përfundimi i shfaqjes u shoqërua me entuziazmin e pashuar të qindra e qindra të pranishëmve që kishin mbushur sallën. Të gjitha vallet e interpretuara nga çifti Cingu – Çeliku kishin si taban shpirtin e rinisë. “Bashkë me tufën”, “Të rinjtë e Sopikut”, “Vallja e shotës”, “Kcimi i shotës” siç quhet ndryshe ky krijim me mendësi kosovare, “Motive të Tiranës” dhe “Fluturojnë shqiponjat” ishin pikërisht vallet që ndezën sallën mbarë. Koncerti i dytë recital i Rexhep Çelikut daton në vitin 2001 ku përveç si solist i parë, u shqua edhe si koreograf i këtij koncerti, duke patur në krah të paharrueshmin e të mirënjohurin, koreografin i gati gjysmë shekulli, të nderuarin Agron Aliaj. Dhe këtu, pra, në këtë recital, koreografi Çeliku u prezantua me 12 valle të reja.. Ja emërtimet e valleve: 1. Valle e maratonomakut Kukës; 2. Valle e Malësisë së Madhe; 3. Valle e Tiranës; 4. Valle e Godoleshit; 5. Valle myzeqare; 6. Valle e Delvinës; 7. Valle e Tropojës; 8. Valle e Birbilenjve; 9. Valle cigane; 10. Dasmë tiranase; 11. Valle çame dhe e fundit: 12 “Vallëzojnë shqipet”.
Ju keni qenë ndër valltarët e parë shqiptar; kur përkojnë fillimet e tua në interpretimin e valleve shqiptare si profesionist?

Unë kam filluar si valltar në vitin 1951 pranë Filarmonisë Shqiptare. Por unë, që në fëmijëri e kam pasur pasion vallen, artin e koreografisë. Më 1946-n, kur babai im u transferua në Kukës, në klasën e katërt fillore u krijua një grup i valleve në këtë qytet, me një instrumentist, i cili ishte dhe valltar. Aty pashë për herë të parë se si kërceheshin vallet e bukura kuksiane. Kur mbaronim provat ne na jepnin me vete rrobat e valltarëve, kostumet. Unë ato këpucët me xhufkë, opingat e kërcimit, i veja poshtë jastëkut dhe i përkëdhelja natën. Aq shumë u dashurova me to. Aty filloi pasioni im për vallen. Në vitin 1947 u kthyem përsëri në Shkodër ku unë fillova mësim në shkollën “11 Janari”, ku kisha mësues muzike të madhin Prek Jakova.
Ai merrte me vete disa disqe dhe gramafonin. Aty dëgjova Moxart, Çajkovski, Bethoven përveç mësimeve për të mësuar notat e muzikës.