Panairi/ Libri i ri “Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale”

698
Sado që kohët kanë ecur përpara, kanë lëvizur me një progres të habitshëm, janë zbuluar arkiva shtetërore, arkiva familjare, na kanë ardhur në kronikat e të vërtetave dokumente dhe opinione jashtëzakonisht me vlera të nevojshme, në opinionin vlerësues njerëzor dhe të vërtetave historike është shtuar referenca e anashkaluar, mohuar dhe refuzuar për një kohë relativisht të gjatë. Ditë pas dite e kohë pas kohe në duart e lexuesit shqiptar po vijnë libra të rëndësishëm historiko-politik, histori të pazakonta, të cilat po u vijnë në ndihmë shumë çështjeve që ose kanë qenë të errësuara, ose kanë qenë të pastudiuara, ose janë harruar fare.Pavarësisht një prurjeje të shumtë, veçmas pas viteve ‘90-të, të një lloj letërsie dhe historie tematikisht të nevojshme për zhvillimet e kohës dhe të çlirimit për të qenë të lirë në të shprehurin për shumë çështje të prekshme dhe të përjetueshme nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, që kishin lidhje kryesisht me kompleksintotalitar, gjatë këtyre dy dekadave e më shumë ka pasur dhe një prurje të rëndësishme historiografike dhe monografike, e cila ka plotësuar një lloj boshësie të dukshme dhe djerr, e cila në historiografinë shqiptare, ose është lënë ashtu, ose është mbushur me temën e propagandës. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht me dëshminë dhe tregimin e nevojshëm të personaliteteve të dijes dhe të aktivitetit politiko-shtetëror të paraçlirimit të vendit.Ndërmarrje të tilla dhe për figura emblematike të politikës dhe të historisë shqiptare është një zhvillim pozitiv gjatë kësaj periudhe, pasi, edhe pse ka pasur një prurje të veçantë, në letërsi dhe në përvojën e të shkruarit, koha është një mekanizëm racional dhe efektivisht veprues në verifikimin dhe seleksionimin e tyre, në këtë rrjedhë të vrullshme dhe të shumtë librash, ne kemi pasur fatin e mirë të na vijnë libra të rëndësishëm, të cilët kanë zënë vendin e vet në historinë shqiptare, pavarësisht se vonë, siç është edhe studimi monografik “Koço Kota –Për një Shqipëri oksidentale” të autorit të mirënjohur, Harallamb Kota.Në historinë e popujve të vegjël dhe të njohur në botë, ka raste unikale të mekanizmave dhe fakteve të çuditshme se si është shkruar historia e këtyre popujve dhe vendeve. Kështu në historinë më emblematike të Izraelit ka një fakt të çuditshëm, që lidhet me konsideratën e mirë, shpeshherë dhe preferenciale të një personi të vetëm, i cili gjatë jetës së tij kishte ruajtur me mijëra dokumente të natyrave të ndryshme, për t’i paraqitur si dëshmi të nevojshme në shërbim të vendit të tij dhe historisë së Izraelit.Në këtë lloj rrugëtimi bashkëkohor, lexuesit shqiptar po i vjen dhe njëri nga librat më të rëndësishëm të tij, që lidhet me njërin nga personalitetet intelektuale, politike, shtetërore, diplomatike, sociale, Koço Kota të studiuesit Harallamb Kota. Deri në vitet ’90-të Koço Kota nuk njihej, dhe nëse njihej, mbi të rëndonte anatema politike, etiketimi politik i ndërtuar mbi perceptimin ideologjik-politik të sistemit totalitar, nëse njihej, ai konsiderohej armiku i pushtetit popullor, ndërsa e gjithë vlera e tij, e cila ka ardhur në librin “Koço Kota- Për një Shqipëri Oksidentale”, të autorit Harallamb Kota, nuk ishte e mundur të bëhej e njohur, pronë shoqërore dhe historiografike, e për më tepër në një botim voluminoz, në të cilin kërkohet të thuhet gjithçka lidhet me të, referuar kohës, politikës, zhvillimeve kombëtare dhe ballkanike, në një lidhje dhe konvencionalitet të thellë shkencor dhe interpretues. Libri që po i vjen në dorë lexuesit shqiptar përmbush një detyrim shoqëror dhe historiografik, pasi në të nuk flitet për Koço Kotën në vetvete, as për bëmat e tij, as udhëtimet, raportet e tij me dijen dhe kulturën, por përmes tij ka një valorizim të gjerë në të gjithë historinë tonë kombëtare, një jetë dhe një veprimtari që lidhet me një kohë relativisht të gjatë dhe aktive, të përfshirë nga zhvillimet historike, politike, të qeverive dhe mbretërisë, të marrëdhënieve me Lindjen dhe Perëndimin, të problemeve të thella jetike të natyrës së besimit, të ligjit dhe të zhvillimit.Koço Kota është një personalitet i përfshirë dhe i gjendur në zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë, që nisin që në fillimin të shek. XX për të vazhduar me një temp të jashtëzakonshëm deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Fillimvitet 1900, e gjatë tre dekadave të para të shekullit të kaluar kanë qenë të mbushura me zhvillime jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, që nga Shpallja e Pavarësisë, e cila kulmoi të gjithë aktivitetin dhe veprimtarinë kulturore, politike, historike, shoqërore, luftarake dhe intelektuale të Rilindjes Kombëtare, e cila me të drejtë është konsideruar njëra nga epokat më të arta të historisë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut. Koço Kota ka lindur në një kohë (1886) dhe zhvillimet politike e shoqërore të viteve 1900 e kanë nxënës të pjekur, të shkolluar dhe një intelektual universitar, i cili më shumë se kushdo mund ta “lexonte” realitetin brenda vendit dhe rrethanat dhe zhvillimet rajonale dhe ato ndërkombëtare.
Sigal