Panairi i produkteve natyrore në Skrapar, pjesë e kalendarit të festave lokale

933
Trashëgimia Kulturore e Skraparit
Rrethi i Skraparit shtrihet në Shqipërinë Jugore dhe kufijtë e saj administrativë kanë një sipërfaqe prej 147 km. Skrapari është i përbërë nga dy qytete kryesore dhe nga 99 fshatra. Ai ka një reliev malor dhe një pozitë gjeografike të favorshme. Ai përshkohet nga dy lugina, ajo e Osumit dhe Tomoricës, e cila historikisht që nga koha e Desartëve dhe më pas kanë qenë rrugëkalimi për lidhjen mes ultësirës së Adriatikut dhe Desartisë. Ndodhet në lartësinë 270 metra mbi nivelin e detit (në Sheshin e Pazarit), deri në 1880 metra, lartësi që e arrin me malin e Tomorit. Karakterizohet nga një klimë malore. Një element të rëndësishëm për traditën dhe kulturën materiale përbën veshja, ku elementi më kryesor i saj ka qenë guna, ndërsa kultura përfaqësohet me gjashtë vlera të rëndësishme si: 

Kalaja e Skraparit, 
Kalaja e Prishtës, 
Ura e Sharovës, 
Peshkopata e Hasan Seitajt, 
Teqeja e Backës, 
Gjurma e kalit të Abas Aliut. 

Skrapari është vend i pasur me legjenda. Legjendat janë të ndryshme, ndër më kryesoret është ajo e Abaz Aliut dhe gojëdhëna e mistershme e Malit të Tomorit. Dëshminë e një trashëgimie gati-gati që nga primitivizmi e deri sot mjafton ta shohësh në shtëpinë e një fshatari nga Skrapari që s’mungon kazma, drapri dhe kosorja. Për tradita të lashta në fushën e bujqësisë flasin edhe parcelat me pemëtarinë e zhvilluar, përpunimin i tyre dhe nxjerrja e një sërë nënproduktesh si; Rehania, Pekmezi, Reçeli, Stafidhja, Oshafja, Vera, Rakia, Uthulla etj. Talentin dhe shpirtin e tij prej artist populli i Skraparit e ka shfaqur edhe në punimet me gurë. Në pragjet e dyerve të shtëpive, në harqet e dritareve gjejmë të skalitura shqiponjën, yllin, zogun si edhe ornamente të tjera, kurse në punimet me dru kjo pasqyrohet tek orenditë; dollapet, musandrat, tavanet, kërrabat, kupat etj.

Hapja e sezonit turistik, panairi i këtij viti i organizuar nga Bashkia e Skraparit, i cili do të zhvillohet ditën e premte më 12 Maj 2017, në orën 10, në sheshin qendror të qytetit. Në panair do të prezantohen produkte bujqësore dhe blegtorale që do të shoqërohet edhe me organizimin e Minikampionatit të Raftingut mes shkollave të mesme të Bashkisë, si edhe do inaugurohen punimet e rrugës Skrapar-Përmet. Do të jenë të shumë produktet bujqësore që do të gjejnë hapësirë në këtë panair, si rakia, vera, djathi kaçkavall edhe ai i bardhë, si edhe shume produkte të tjera sezonale. Kryetari i Bashkisë Skrapar Z. Nesim Spahiu tha për Gazetën “Telegraf” se: “Bashkia Skrapar organizon me rastin e hapjes së sezonit turistik një panair, i cili tashmë është kthyer në traditë.” Ai falënderon në mënyrë të veçantë Presidentin e ri të zgjedhur Z. Ilir Meta, i cili pavarësisht impenjimeve të shumta, është gjithmonë i pranishëm në çdo aktivitet. 

Bashkia Skrapar gjatë viteve të fundit ka pësuar ndryshime shumë të mëdha në infrastrukturë, u shpreh Z. Spahiu, si edhe në bujqësi, turizëm, punësim etj. Këto ndryshime janë mundësuar nga zbatimi i shumë projekteve me rëndësi strategjike, nga projektet e vetë bashkisë, nga donatorë vendas, të huaj etj. Në qoftë se kthehemi pas në kohë , 4-5 vite më parë, sektori i turizmit pothuajse nuk ekzistonte, infrastruktura mungonte plotësisht, promovimi ishte i pamjaftueshëm, standardet e shërbimit të ulëta etj. Të ndërgjegjshëm për rëndësinë që paraqet turizmi në zhvillimin e zonës, bashkia e përcaktoi atë si sektor prioritar. Në bashkëpunim me partnerë vendas dhe të huaj, u aplikuan dhe u zbatuan projekte të suksesshme në turizëm, si projekti Devops, Zhvillimi i Mundësive për Promovimin e Skraparit, Zhvillimi Ekonomik Rural dhe Krijimi i Vendeve të Punës tek Gratë dhe të Rinjtë, të cilët krijuan infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin, dhe promovimin e tij. Efektet e para kanë filluar të ndihen që në muajtë e parë të këtij fillimvitit, numri i vizitorëve që kanë vizituar zonën sipas operatorëve i kalon 5 mijë vizitorë deri tani, nga 3 mijë vizitorë që kishte viti i kaluar dhe e gjitha kjo si rezultat i promovimit dhe përmirësimit të infrastrukturës turistike. Aktiviteti i Raftingut tashmë është shndërruar në një turizëm të qëndrueshëm duke tërhequr gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj. Ne synojmë që turizmin të mos e kemi vetëm sezonal, të kushtëzuar me Raftingun, por ta kemi gjithëvjetor, pasi Skrapari ka të gjitha mundësitë për një turizëm të tillë. Projekti i ri që ne do të zbatojmë së shpejti, në harkun kohor prej 3 vjetësh, synon turizmin e integruar rajonal, që parashikon të trefishojë prezencën turistike në rreth 20 mijë turistë në vit. Aksi rrugor që tashmë ka filluar nga puna Çorovodë-Përmet do të krijojë mundësi të mëdha për lëvizjen e njerëzve dhe zhvillimin e turizmit duke e shndërruar zonën në një nga më të vizituarat në vend. Unë mendoj dhe besoj, se Skrapari ka gjithçka, ka natyrën e bukur, ka bujqësinë, blegtorinë, bletarinë, njerëz punëtorë dhe se turizmi mund dhe do të shndërrohet në turizëm gjithëvjetor, dhe shumë shpejt do të jetë si burimi kryesor për zhvillimin ekonomik të zonës.
Sigal