Panairi i produkteve bio në Skrapar, organizim i shkëlqyer, Meta:Mundësi e shkëlqyer për promovimin e produkteve bio

515

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë
të shtunën, në panairin e produkteve ushqimore të Skraparit, të kthyer tashmë
në një event tradicional. Të pranishëm ishin edhe ish-Ministri i Drejtësisë,
Nasip Naço, deputetë të LSI-së për Qarkun e Beratit, Kryetari i Bashkisë së
Skraparit, Nesim Spahiu, etj.

Sigal

 

Në fjalën e tij, Ilir Meta tha se panairi është kthyer në
një mundësi të shkëlqyer për promovimin e produkteve bio, që janë shumë të
kërkuara kudo.

“Është kënaqësi edhe për mua të marr pjesë në panairin e
produkteve bio të Skraparit, që është kthyer tashmë në një eveniment jo vetëm
për të gjithë banorët e zonës, por është kthyer në një mundësi të shkëlqyer për
promovimin e këtyre produkteve mjaft cilësore, të cilat po kërkohen gjithnjë e
më shumë në tregun vendas por edhe në atë ndërkombëtar”, u shpreh Kryetari i
Kuvendit, duke shtuar se projekte të rëndësishme po realizohen në Skrapar, që
përkthehet në hapjen e vendeve të reja pune.

“Mjaft projekte të rëndësishme kanë filluar të realizohen
në Skrapar, shumë vende të reja pune janë hapur, por unë jam i sigurt se edhe
shumë projekte të tjera janë në nisjen e tyre dhe shumë vende të reja pune do
të hapen gjatë këtij viti dhe në të ardhmen. Ndaj ne jemi këtu për të shprehur
mbështetjen më të plotë për të gjithë qytetarët dhe banorët e Skraparit, për të
gjithë fermerët dhe blegtorët e Skraparit, të cilët punojnë për të ruajtur
traditën më të mirë të këtyre prodhimeve, të këtyre produkteve”, theksoi Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se me
projektet të cilat janë në proces do të ketë më shumë mbështetje për të shtuar
prodhimet bio të Skraparit. Sipas z. Meta, kjo është njëkohësisht edhe një
mënyrë e shkëlqyer edhe për të promovuar turizmin në Skrapar, i cili po njeh
rritje dhe zhvillim të pandërprerë.