Panairi i produkteve bio në Skrapar, eventi me impakt kombëtar, nis të premten

835
“Hapja e sezonit turistik”, kështu është quajtur panairi i këtij viti, i organizuar nga Bashkia e Skraparit i kthyer tashmë në një event tradicional. Ky panair do të zhvillohet ditën e premte më 12 Maj 2017 në orën 10 në sheshin qendror të qytetit. Në panair do të prezantohen produkte bujqësore dhe blegtorale me pjesëmarrjen e prodhuesve nga gjithë Qarku Berat, si edhe do të organizohet Minikampionati i Raftingut i shkollave të mesme të Bashkisë, si edhe do inaugurohen punimet e rrugës Skrapar-Përmet. Në këtë panair do të jetë i pranishëm Presidenti i ri Ilir Meta, deputetët e zonës, deputetët e qarkut Berat si edhe shumë pjesëmarrës të tjerë. Do të jenë të shumë produktet bujqësore që kanë gjetur hapësirë në këtë panair, si rakia, vera, djathi kaçkavall si edhe i bardhe si edhe shume produkte të tjera sezonale. 

Për më shumë informacion rreth këtij panairi flet Kryetari i Bashkisë Skrapar Z. Nesim Spahiu si edhe Z. Krenar Xhaferri, specialist i panaireve në bashkinë Skrapar.

Çfarë përbën për ju si Kryetar Bashkie ky aktivitet? 
Ky aktivitet është duke qenë se hapet sezoni turistik, dhe në zhvillojmë një panair të cilin e bëjmë çdo vit dhe do inaugurohet çelja e punimeve të rrugës Çorovodë-Përmet e cila është një ëndërr për Skraparasit. 

A mendoni ju se këto panaire i japin një shtysë biznesit vendas?
Po patjetër, pasi ka lidhje me turizmin. Ky aktivitet do të zhvillohet para sheshit, te pedonalja e re. 

Duke qenë një zonë e largët, si e keni menduar ta zhvilloni këtë panair për të qenë sa më afër traditave?
Ne s’e humbasim traditën, në panair do kemi prodhime vendase, natyrore. Kjo do jetë esenca e këtij panairi. S’do mungojë rakia, vera, bulmetrat, qershitë e të gjitha prodhimet e kësaj periudhe që sigurisht i kemi shumë cilësore. 

A keni menduar që ta ktheni në një traditë të përhershme, jo vetëm sezonale por edhe kombëtare, pse jo edhe ndërkombëtare?
Patjetër që e kemi menduar, por gjërat vijnë gradualisht. Për prodhimet tona, sidomos djathin, të cilin e kemi shumë cilësor kemi menduar ta stimulojmë, mund të hapim një fabrikë që prodhimet tona të ecin më shumë.

Duke iu drejtuar Z. Krenar Xhaferri, specialist i panaireve në bashkinë Skrapar e vazhduam intervistën: 

Ju jeni specialist i panaireve në bashkinë, Skrapar, si e keni quajtur aktivitetin që do të zhvilloni të premten?
Ky panair mban titullin ‘Hapja e zezonit turistik në Skrapar’. Ky është panairi Rajonal i produkteve bujqësore dhe do të shoqërohet me zhvillimin edhe të një minikampionati të Rafting të shkollave të mesme të rrethit.

Në çfarë ore bëhet hapja e panairit?
Panairi fillon në orën 10 dhe nga ora 10 deri më 11 e 30 do të jetë fjalimi i panairit dhe në 12 do inaugurojmë punimet e rrugës Skrapar-Përmet dhe më pas fillon minikampionati i Rafting për nxënësit e shkollave të mesme.

Cilët do jenë miqtë e ftuar, dhe a keni ndonjë të ftuar të veçantë në këtë panair? 
Sigurisht, do jetë Presidenti i ri i zgjedhur Ilir Meta, deputetët e zonës, deputetët e qarkut Berat. Ne kemi vendosur njoftime në faqen e turizmit si edhe të bashkisë kështu që të gjithë ata që dëshirojnë janë të ftuar të vijnë.

Do të jenë pjesëmarrës edhe fermerë e tregtarë nga zona të tjera?
Po patjetër do të jenë 100 fermerë disa janë nga Berati dhe pjesa tjetër nga Përmeti nga zonat dhe fshatrat rreth e qark sipas kulturave. Do të jetë një panair gjithë përfshirës.

Cilët do të jenë artikujt që do gjejnë hapësirë në tendat e panairit?
Po do fillojmë që nga rakia, djathi kaçkavall, djathi i bardhë, qershia edhe shumë e shumë produkte të tjera. Kemi punimet artistike të ambalazhit të shishëve të verës si edhe punime me bizë të punuara nga gratë e zonës sonë.
Sigal