Panairi i Librit “Tirana 2012”, libri i Hetem Ramadanit, më i suksesshmi në ditën e parë të panairit

783
Sigal

Sot është dita e dytë e Panairit të Librit “Tirana 2012”, një ngjarje nga më të rëndësishmet të vitit në Tiranë. Në këtë event marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës, ente dhe shtëpi botuese, ndër të cilët rreth 30 nga Kosova, Maqedonia e vise të tjera shqipfolëse. Panairi i Librit “Tirana 2012” i çelur si çdo vit në Pallatin e Kongreseve do të qëndrojë çelur deri më 18 nëntor. 1500 tituj të rinj janë ekspozuar ndër 60 mijë botimet që janë paraqitur në stendat e ndryshme të panairit. Ajo që vihet re këtë radhë është se ka një numër edhe më të madh pjesëmarrësish, të cilët kanë stendat e tyre të shpërndara në ta tre katet e hollit të Pallatit të Kongreseve. Ndër prurjet e reja ka shumë botime kushtuar 100 -vjetorit të Pavarësisë. Panairi i Librit në edicionin e tij të 15-të, ngjarja më e rëndësishme e librit në hapësirën mbarë shqiptare. Edhe këtë vit botuesit ftojnë lexuesit të vijnë në Pallatin e Kongreseve prej 14 nëntor deri 18 nëntor për të gjetur aty gjithçka është botuar këto dy dekada në vend, por edhe ribotime të veprave themelore të veprave shqiptare edhe të autorëve të huaj. Panairi është një ngjarje e madhe dhe sigurisht shumë e rëndësishme. Në pesë ditët që ai do të zhvillohet do të ketë dhe aktivitete, promovime të ndryshme. Për botuesit pjesëmarrës, këto janë ditë intensive pune. Përpos veprimtarive promovuese, shkrimtarëve prezent në stendat e panairit, takimet e tyre me lexuesit dhe diskutimeve për problemet me librin shqip ndër profesionistët e fushës do të gjejmë dhe një numër të lartë të titujve të rinj. Gjatë ditëve të Panairit të Librit “Tirana 2012”, Instituti i Librit dhe promocionit “Toena” do të zhvillojë një sërë takimesh promocionale me autorë e përkthyes të ndryshëm si me autorin arbëresh Carmine Abate – fitues i Çmimit Campiello 2012; autorin francez  Patrick Lapeyre – fitues i Çmimit “Femina 2010”; autoren spanjolle Pilar Adon – fituese e Çmimit “Syri i kritikës” dhe shumë autorë shqiptarë që prezantojnë librat e tyre në stendën e Toena-s do t’ju jepet gjatë këtyre takimeve promovuese. Edhe këtë vit nuk do të mungojnë botimet e autorëve të njohur shqiptarë si Bashkim Shehu, Zija Çela, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Mirela Sula, Arben Puto, etj, por dhe autorë të huaj, mes tyre përmendim Fernando Garcia de Cortsazar dhe Jose Manuel Gonzalez Vesga, Matei Calinescu, Umberto Eco, Andrea Camilleri, etj.. Po ashtu nuk do të mungojnë dhe çmimet e panairit që ndahen prej 15 vitesh, për autorin më të mirë, shtëpinë botuese, për seleksionimin e të cilave juria ka punuar prej disa muajsh.

Ceremonia

Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozeje, e cilësuar si festa e përvitshme e librit përshëndetën kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari dhe Abdullah Zeneli botues i shtëpisë “Buzuku” në Kosovë. “Bashkia e Tiranës përfundon së shpejti planin urbanistik në të cilin, ndër të tjera, ka edhe dy piketa kryesore që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me librin”, tha Kryetari i Bashkisë, Basha. “Së pari aty është parashikuar ndërtimi i një biblioteke të re, e cila do të lehtësojë presionin që ndien Biblioteka Kombëtare dhe që do t’i japë akses lexuesit të lidhë kontakte të drejtpërdrejta me librin. Në bulevardin e ri që do të ndërtohet së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i kësaj vepre. Së dyti, unë besoj se të gjithë duhet t’i japim rëndësinë e duhur tregut të lirë të librit. Në planin e ri urbanistik kemi vendosur piketa për ta mbështetur këtë treg. Ata që duan të hapin librari të reja, botues ose jo, do të jenë të lirë nga çdo taksë lokale për shitjen e librit”. Basha hodhi idenë për të mbështetur edhe organizimin e një panairi ndërkombëtar në Tiranë. Ndërsa kryetari i shoqatës së Botuesve tha se ky panair është i veçantë për disa arsye. Është  viti i festimit të 100 vjetëve pavarësi, viti i njëzet për shoqatën e botuesve, organizatore e panairit dhe i pesëmbëdhjeti vit radhazi për Panairin e Librit. “Ditët e panairit të librit janë pa dyshim një rast feste dhe gëzimi për të gjithë njerëzit që e duan librin”, tha ai. “Mjafton të hedhësh një sy përreth, për të rrokur vetëm me një vështrim se Panairi ynë, si për nga dukja edhe nga çfarë ofron, është i një niveli ndërkombëtar.  Në këtë panair do të promovohen shumë tituj , shumë krijues do t’u shtohen radhëve të shkrimtarëve, shumë studiues do të debutojnë me veprat e tyre, shumë përkthyesve do t’u ndrijë  ylli dhe shumë botues do ta surprizojnë lexuesin me titujt e tyre të rinj”. Ymeri bëri një përmbledhje të shkurtër edhe të historisë së Shoqatës së Botuesve Shqiptare, e cila këtë vit mbush 20 vjet. “Kam kënaqësinë të përmend emrat e themeluesve të saj duke filluar me kryetarin tonë të parë e mikun tonë zotin Ramazan Hysa, zonjat Donika Omari e Zana Harxhi,  zotërinjtë Riza Ibrahimi e Petrit Ymeri, Rexhep Hida e Alfred Sejdia, Petraq Risto, Shefki Karadaku e Ibrahim Hoxha, Cezar Kurti e Hysen Canko. Kanë kaluar 20 vjet nga maji i 1992 dhe shohim me krenari rrugën vërtet të vështirë që kemi bërë por edhe rezultatet e mahnitshme që kemi arritur. Mund të themi me siguri që sot libri shqip radhitet në të njëjtin nivel përfaqësimi e cilësie me editoritë europiane e botërore”. Si një ndër arritjet kryesore të kësaj shoqate dhe anëtarëve të saj, Ymeri përmendi respektimin e së të drejtës së autorit, por edhe faktin se tanimë ekziston Ligji për Librin apo Ligji për të Drejtat e Autorit.

Veprimtari komunikuese me lexuesit

Në serinë e aktiviteteve nuk do të mungojë diskutimi i temave profesionale, për komunikim, konferencat, apo dhe ekspozetë, përfshirë edhe atë që Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka parashikuar në këtë vit të 20 vjetorit të saj. I shtrirë në të tria katet e Pallatit të Kongreseve, me një pjesëmarrje më të madhe se asnjë vit tjetër, në këtë edicion panairi është konceptuar në të treja katet, në holl, në ballonadë dhe lart në katin e dytë duke zënë një sipërfaqe mbi 1800 metër katrorë, por edhe duke i dhënë më shumë hapsirë vizitorëve të tij. Nga çdo pikëpamje, nga arredimi, nga organizimi edhe nga mendimi artistik, panairi do të jetë krejt ndryshe krahasuar me vitet e tjera.  Mbi 60 mijë tituj do të ekspozohen në këtë panair, ndër të cilët rreth 1500 janë tituj të rinj. Edhe këtë vit nuk do të mungojnë në Panairin e Librit botuesit nga jashtë kufijve, mbi 30 të tillë, ndër të cilët Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, shtëpi botuese me emër si “Konica” “Buzuku”, e “Zëri”nga Prishtina, shtëpia “Furkan” nga Shkupi etj. Tituj të rinj botimesh do të prezantohen edhe nga Instituti Italian i Kulturës, do të jetë e pranishme Deutche Welle, ndërkohë që, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë do të bëjë sot prezantimin e Këndeve Amerikane  në Shqipëri dhe të platformës së mjeteve të komunikimit social të kësaj ambasade. Ndërkaq në një pjesë të mirë të axhendës vëmendja do të përqendrohet  në datën jubile të këtij viti, 100 -vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Do të ketë prezantohen botime historike, qoftë nga autorë shqiptarë, qoftë të huaj, do të ketë shumë të ftuar, autorë të huaj etj.. Panairi ka marrë një vëmendje të veçantë edhe nga kultura e huaj, e pranishme këtu, nga përfaqësitë diplomatike etj.

BOTUESIT SHQIPTARË NË 20-VJET

Në vitin 1991, bashkë me fillimin e pluralizmit politik shqiptar, lindën shtëpitë e para botuese private: “DITURIA” dhe “Fan Noli”. Më pas edhe disa të tjera “Globus”, “Lura”, “Arbri”, “Kozmosi”, “Elena Gjika” etj.  Shumica e këtyre nismëtarëve vinin nga fushat e kulturës e të shtypit. Dalëngadalë u mendua edhe për një organizatë ku do të diskutoheshin problemet, do të kërkoheshin të drejta e mbrojtje për veprimtarinë botuese, të kualifikimit e kështu me radhë. Në marsin 1992, pas konsultash me juristë e me legjislacionin e kohës, u bënë kërkesat e para pranë Ministrisë së Kulturës. Në maj 1992 në bazë të kërkesës së komisionit nismëtar u miratua kërkesa dhe Statuti i paraqitur dhe u miratua ligjërisht Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Në fund të viti 1992 u organizua Ekspozita e Librit Gjerman në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës (Piramida) ku për herë të parë, nga specialistë të Shoqatës së Botuesve Gjermanë, u shpjeguan nocionet e të drejtës së autorit. Në vitin 1993 u organizua e para pjesëmarrje e katër botuesve shqiptarë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt. Kështu filluan pjesëmarrjet edhe në Panairet e Librit në Bolonjë, në Salonin e Librit në Paris dhe u arritën të sigurohen trajnime të botuesve jashtë vendit. Në tetor 1998 u organizua një  pjesëmarrje e gjerë e botuesve shqiptarë në Panairin e Librit në Frankfurt. Po këtë vit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës u organizua Panairi i Parë i Librit i Tiranës. Në vitin 1999 u ngrit një grup pune në Ministrinë e Kulturës për hartimin e Ligjit të Librit, që përfundoi më 2005, por u miratua më 2006. Gjatë viteve të mëpastajme Shoqata e Botuesve ka punuar në radhë të parë për konsolidimin e mbrojtjes së të drejtave të autorit, të përmirësimit të punës botuese, përmirësimit të sistemit fiskal etj.

TOENA/”SHËNDETI DHE SUKSESI NËPËRMJET MEDITIMIT”, BEST SELLER QË NË DITËN E PARË

Suksesi më i madh në ditën e parë të Panairit të Librit 2012 duket se i takoi përvojës së Hetem Ramadanit me librin “Shëndeti dhe suksesi nëpërmjet meditimit”.  Ishte padyshim prurja më e veçantë në këtë panair të sjellë nga   botimet ‘TOENA’. Nuk ka as më të voglin dyshim që ky ishte edhe libri më i pëlqyer dhe më i tërhequri në ditën e parë. Ishin mbi 350 admirues të Hetem Ramadanit, të cilët duartrokitën përzemërsisht gjatë gjithë kohës që zoti Ramadani po u përgjigjej pyetjeve të shumta të miqve të librit në sallën “Iliria”  të hotel “Sheraton”-it në Tiranë. Pyetjes për  bashkimin e zemrave me Inva Mulen, zoti Ramadani me shumë profesionalizëm dhe kulturë ju përgjigj mes të tjerave se: “Qëllimi i jetës është të akordojë pulsin e vetë të zemrës me pulsin e gjithësisë dhe ta akordojë natyrën e vetë me Natyrën”….