Panairi i Klik Expo Group, vendi i potencialeve për nxitjen e investimeve të huaja

833
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në çeljen e edicionit të 24-t të Panairit ndërkombëtar të “Klik Ekspo Group”, i ka bërë ftesë investitorëve të huaj që të shfaqin interes për Shqipërinë. Rama tha se tashmë kompanitë e huaja mund të vijnë në Shqipëri, jo vetëm për të investuar më vete në projekte të ndryshme, por edhe të krijojnë partneritet me bizneset shqiptare për të realizuar projektet e tyre.

“Nisma e “Klik Ekspo Group” sot është materializuar në një panair të ri, me një prani shumë të larmishme. Themeluesit e nismës për këtë panair ndërkombëtar mund të thonë me krenari se kanë kontributin e tyre në këtë proces. Pavarësisht kushteve që kanë ndryshuar rrënjësisht krahasuar me 24 vite më parë, sfidat janë të mëdha, shumë më komplekse, dhe vetëm fuqia e imagjinatës mund të na bëjë të gjithëve t’u qasemi sfidave me mundësinë reale për t’i fituar ato”, tha Kryeministri Rama. 

Sot, u shpreh Rama, “Shqipëria nuk është një “tabula rasa” siç ishte në edicionin e parë të këtij panairi, ku gjithçka niste nga e para, sot biznesi shqiptar është një realitet i ri i historisë së vendit tonë, një realitet i konsoliduar, dhe produktet “Made in Albania”: janë duke u zhvilluar dhe duke u rritur, edhe sa i përket fuqisë me ritme të konsiderueshme në nivele të larta”.

“Sot kompanitë e huaja që vijnë në vendin tonë, jo vetëm gjejnë mundësi të reja investimi, por mund të gjejnë edhe partnerë të guximshëm dhe të sigurt me të cilët mund të bashkohen, dhe të realizojnë ambiciet për të investuar dhe për të fituar në këtë vend”, tha kryeministri Rama. Panairi Ndërkombëtar të Tiranës mikpret në Tiranë sipërmarrës dhe vizitorë profesionistë nga mbi 20 realitete ndërkombëtare. Mbi 350 ekspozues të regjistruar dhe mbi 40.000 vizitorë janë parashikuar përgjatë ditëve të Panairit. Ashtu si edhe si në edicionet e shkuara, ekspozuesit e huaj me synim investimet dhe shkëmbime tregtare me Shqipërinë, shohin me interes të veçantë bashkëveprimin me institucionet dhe autoritetet në mbështetje të biznesit që përmbush kërkesat e tyre për informacionin e domosdoshëm në lidhje me tregjet, paketat fiskale, përfitimet dhe lehtësimet sipas llojit te sektorit. Në panair gjendet pavijoni i Republikës Popullore të Kinës nën kujdesin e CCIP-Këshillit për Tregtinë me Jashtë dhe Investimet e Huaja në Republikën Popullore të Kinës; Pavijoni i Bosnje Hercegovinës, organizuar nga Dhoma e Tregtisë me Jashtë e Bosnje Hercegovinës; Pavijoni i Republikës së Serbisë, për të 14-tin vit radhazi në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës (këtë vit fryt i bashkëpunimit edhe me Dhomën e Tregtisë së Serbisë), si dhe pjesëmarrës nga Italia dhe Greqia, Hungaria, Turqia, Maqedonia, Kosova, Republika e Çekisë, Franca, Sllovenia, Mali i Zi, Kroacia etj. Në panair ka edhe të tjera sallone të specializuara kushtuar Librit dhe Medias, Tregut të Sigurimeve dhe Institucioneve Financiare. Pjesë e Panairit është edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, si e vetmja Agjenci Zyrtare e Lajmeve në Shqipëri, e cila prodhon çdo ditë një numër të madh lajmesh nga vendi dhe bota dhe mbulon të gjitha temat në të gjitha formatet.
Sigal