Pak mbi këngën dhe vallen labe

728
Sigal

Dilaver Goxhaj

Të gjitha këngët popullore të popujve fqinjë përpara labërishtes ngjajnë me avazin e këmborëve të kopeve të deleve që kullosin lëndinave. Kështu ka thënë Eqerem Çabej, por edhe studiues të huaj. Ja disa prej këtyre fakteve po i analizojmë. Plutarku (46-125) moralist, gjeograf, historian i Greqisë së lashtë thotë: “Kënga polifonike ka lindur pranë liqenit të Butrintit. Është mbytur një anije dhe njerëzit të mbledhur vajtojnë humbjen e fëmijëve të tyre. Ky është vetëm një fakt. Por si e marrim ne këtë fakt? Meqenëse Plutarku thotë: “Kënga polifonike”, kështu duhet ta themi dhe ne? Plutarku nuk dinte shqip dhe nuk e njihte dhe fisin e madh të labëve. Ai e shkroi për bashkëkohësit e tij dhe në gjuhën e tij. Ne shabllonistët e kohëve moderne i marrim fjalët e tij dhe i përtypim pa u bërë asnjë analizë. Na mjafton që ai thotë vendin e lindjes që ne na përshtatet e na pëlqen. Nuk duhet analizuar se, në atë kohë vetëm gjuha greke shkruhej dhe mesazhi u transportua deri në ditët tona me po të njëjtin emër “Polifoni”. Nuk më thoni studiues të dashur, kush lindi përpara, “Polifonia” apo Labëria nga e cila lindi dhe kënga labe. Çudi! Në Labëri as dhe një fëmijë i vogël nuk e përdor fjalën “polifoni”, të gjithë i thonë këngë labe. Cila është Labëria dhe cilët janë labët? Labët janë epirotasit ilire të Kaonisë (Labëria e sotme). Përdor fjalën fis që ka kuptimin e të njëjtit gjak apo trung. Për këtë bindesh dhe kur dëgjon emrat e fshatrave Lazarat, Çorraj, Luzat, Zhulat, Progonat, Rexhin, Golëm etj.. A nuk janë ato emra fisesh që kanë krijuar këto fshatra? Më lart thamë që këngët “polifonike” këndohen në Greqi, Bullgari, Serbi. Pse? Është shumë e lehtë për të kuptuar. Historiani grek Paparigopulos flet në veprat e tij për koloni greke në Labëri (!!!). Historiani tjetër LL.Spiru nisur nga Paparigopulos shkruan: “ Ndërmjet viteve 736 – 625 p.e.s. në luftërat Mesinike,(Kallamata e sotme) u bë shpërngulja e madhe e Spartanëve drejt zonës së Akrokeraunëve” “Mali Vetëtimave -Himarë” faqe. 21- 22. “Ata u asimiluan nga vendasit, humbën si uji në pendët e rosës”. Edit Dyrhan “Brenga e Ballkanit” faqe – 104. E pra, kjo dyndje nuk mori nga kjo kulturë? Patjetër që mori. Por duke mos qenë vetë në shtratin e lumit nga, e cila doli ajo u varfërua, në ngjyrë, në formë e në harmoni, por, përsëri u quajt këngë “polifonike”. Në të vërtetë në të ka shumë zëra por, jo të harmonizuar. Ndërsa në Labëri në vendlindjen, në rrjedhën e burimit të saj, nuk humbi as kristalizimi, as harmonia, as forma, por u forcuan dhe u bënë më të dukshme cilësitë e saj. Të njëjtën përgjigje do t’u jepja dhe për bullgarët apo serbët, të cilët dhe pse na pushtuan, morën nga kultura jonë në vend që të na impononin të tyren. Pra, është kënga Labërishte ajo që pushton këngën popullore polifonike të vendeve fqinjë dhe jo e kundërta. Ja çfarë shkruan Lorenco Tardos në veprën “ L’antika melurgjia Bizantina”: “Shqiptarët Labë duke e urryer robërinë myslimane e linin truallin atëror. Ata nuk sollën me vete modën e fundit muzikore të Kostandinopulit, as artin e bukur e të çmuar të protopsalltëve të rafinuar, por, sollën një traditë krahinore malore dhe arkaike, një traditë që vjen nga shekulli i 4 – 5. Por që në të vërtetë shkon më larg, në kohën e Basilejve dhe ndoshta dhe më përpara. Kjo tregon se kisha ka imituar këngën popullore “Polifonike” labe. Por për këngën labe ka folur i madhi Eqrem Çabej. Kënga labe, është nga rastet e veçanta, për të mos thënë e veçantë në botë, e cila në vend të veglave ka vetë njeriun dhe frymën e tij, të dalë nga shpirti, që në çastin e këngës është i mbushur me dhimbje apo gëzim, me dashuri apo urrejtje. Në përgjithësi ata që nuk e njohin mirë këngën labe dhe mesazhin e saj, u krijohet përshtypja se, të gjithë këngët janë njëlloj. Një marrës, një kthyes dhe disa të tjerë që mbajnë iso. Por nuk është kështu. Kënga labe është një ekspozitë ngjyrash, shprehjesh shpirtërore, zërash të harmonizuar të akorduar veç e veç si në një orkestër simfonike, ku çdo vegël luan rolin e saj, dhe plotëson një hapësirë në botën e madhe të këngës, sipas tematikës dhe zërave. Është krejt e thjeshtë të dallosh dhe të marrësh mesazhin që ajo dërgon. Ndarja e specifikuar e tyre sipas qëllimit që ka është e dukshme. Një këngë kurbeti, udhëton mbi nota minore monotone me një thirrje të mbytur e të dhimbshme, shoqëruar me tekstin prekës e melankolik. Një këngë dashurie i ngjan flladit dhe isoja dridhjes së petaleve të trëndafilit në çastin e hapjes për lulëzim të plotë. Në një këngë trimërie ritmi dhe pesha e fjalës është një kushtrim i vërtetë, bukurinë e së cilës vetëm kënga labe mund ta shprehë “Në gjininë e saj”. Pra kënga labe është bota shpirtërore, politike dhe ekonomike e ngritur në art, apo dhe në humor.