“Pa këngë, jeta ime është bosh”

798
Sigal

INTERVISTA/Flet koreografja, këngëtarja Silvi Dollapi: “Më pëlqen të shkruaj tekstet e këngëve të mia”

 Kur e kam takuar për herë të parë jam ndjerë sikur njihesha prej vitesh. Është një femër e qeshur e dashur, plot frymëzim pa paragjykime. Jeta e saj është lidhur mes Zvicrës, ku ka krijuar familje dhe Shqipërisë atdheut të saj. Qysh në albumin e parë “Të urrej me dashuri”, ajo pati një sukses të jashtëzakonshëm , ku rrallë ndodh që një këngëtare të arrijë rezultate qysh në fillimet e saj. Tashmë po përgatit videoklipin e gjashtë, ku për publikun do të jetë një befasi. Një shtysë për këngën i kanë dhënë asaj dhe studimet e larta të cilat i ka mbaruar për koreografi.

 Pas klipit “Kjo dashnia është bela”, me se po merret Silvi?

Po punoj sërishmi për një klip të ri. Klipi i parë pati shumë sukses dhe mendoj se ishte ndër klipet më të suksesshëm në Shqipëri., pasi ishte  një klip i veçantë si në muzikë edhe në tekst. Sot ka shumë këngëtare dhe dihet është rritur konkurrenca. Një klip i zakonshëm nuk do të përbënte asgjë për mua. Është një këngë me tekst dhe muzikë që i përshtatet kohës, problemeve shqiptare. Dua të theksoj se autore e tekstit jam vetë. Nuk është teksti i parë që unë bëj, por këtë klip e kisha stërholluar shumë në mendje.

 Mos vallë dhe klipi i ri do të jetë me dashuri dhe përse këmbëngulni në këtë temë?

Afërsisht ashtu do të jetë. Por në rastin konkret do të  doja të bëja diçka ndryshe dhe mendoj se do t’ja arrij qëllimit. Nuk do të jetë më ideja për një dashuri që të fut bela që të përcjell imazhe të ndryshme. Dua që këtë herë klipi të përcjellë gëzim, hare, dhimbje, forcë, intrigë, xhelozi, ndjenjë të pa harruar, etj…

 Klipet janë një hap cilësor në veprimtarinë e këngëtarit, sa klipe ka realizuar Silvi?

Është klipi i gjashtë që po përgatis. Dhe them me bindje se ky klip po më merr shumë kohë.

 Sukseset kanë ardhur pas albumit tuaj të parë “Të urrej me dashuri”?

E vërtetë. S’e mendoja të kishte aq sukses. “Të urrej me dashuri” është një album që nuk e kam pëlqyer vetëm unë. Atë e kanë pëlqyer të gjithë. Ai album thuajse është i mbaruar i gjithë, pasi shoh se në treg nuk ka asnjë CD.

 Kishte dhe titull intrigues…?

E drejtë. Titullin e gjeta vetë. Ishte një pjesë e jetës sime në këtë titull. Pra, ka lidhje me jetën time private, një lidhje interesante. Jeta të përplas, ku se pandeh, ndaj jeta duhet marrë ashtu si të vjen. Disa herë u japim rëndësi gjërave që të duket se janë po aq të rëndësishme edhe për ata që janë afër teje. Por ndodh e kundërta. Interesimi nuk është i njëjtë. Këtu niszhgënjimi.

 Jeni një këngëtare e afirmuar, po studimet përse i ka kryer Silvi?

 (Qesh). Ndoshta pak e dinë. Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve për koreografi. Pas përfundimit të studimeve unë punova si koreografe në Tropojë në vendin e origjinës. Ishte një vit që njoha të tjera rezerva tek vetja dhe tek jeta. Ishin vitet 1995-’96, ku më pas unë do të dilja jashtë shtetit me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve. Kjo dalje më shërbeu si shtysë që të jepem pas këngës. Gjermania, Zvicra u bënë atdheu im i dytë. Pastaj erdhi dhe martesa ime në Zvicër me një qytetar zviceran i apasionuar pas këngës.

 Keni vite që banoni në Zvicër, ku keni krijuar dhe familje. Sot si ndiheni në këtë shtet?

Për mrekulli. Jam ambientuar  në mënyrë perfekte. Madje, kam krijuar dhe një familje solide. Në Zvicër jeta dhe rregullat janë strikt. Çdo gjë është në vendin e vet. Pastaj aty ka shumë shqiptarë. Komuniteti i shqiptarëve është i mirëorganizuar dhe ka shumë aktivitet. Ndihesh si në një qytet shqiptar. Jeta është krejt ndryshe, por ka tempin e vet, karakteristikat e veta, mënyrën e saj të jetesës. Është mirë të jetosh në vende të ndryshme.

 Vini shpesh në Shqipëri?

Vij rregullisht. Nuk mund të qëndroj më shumë se tre muaj larg Shqipërisë. Këtu marr çka më mungon. Më tërheq pa kuptuar atdheu.  

 Keni ndonjë peng deri tani?

Them se jo. Peng ishte të bëja një fëmijë. Tani kam një vajzë që e barazoj me botën. Jam e realizuar.

 Je këmbëngulëse në jetë?

Shumë. Pa këtë këmbëngulje s’do të bëja asgjë. Besoj tek vetja, por edhe tek ata që i quaj të besuar.

 Ku pëlqeni t’i bëni pushimet?

Në det. Pikërisht në bregdetin shqiptar. E admiroj bregdetin tonë. Ka thyerje dhe shumë të papritura. Vendet malore janë pjesë e jetës ku jetoj. Në Zvicër nuk mungojnë panoramat malore.

 Ju pëlqen politika?

 Aspak! Dua që politika shqiptare të jetë në shërbim të popullit tim. Kjo më intereson nga politika.

 Sekreti i bukurisë suaj?

Jetë e rregullt, punë, fitness, ushqim pa teprime, korrektesë, lëvizje…

 Motoja e jetës apo motive juaj i jetës?

Këndo bukur, këndo me dëshirë. Mos e lër kurrë këngën.

 Ka dashuri të përjetshme?

Besoj se jo. Jeta këtë e ka vërtetuar. Ka pas shumë dashuri të mëdha  që nuk kanë përfunduar në përjetësi.

 Jeni e lidhur me shtypin?

Gjithmonë lexoj ato çka më duhen për atdheun tim. E gjej kohën kur duhet. Gjej dhe kohën për të lexuar romane.

  Veshja juaj e preferuar?

Ditën vishem në mënyrë sportive. Në mbrëmje serioze sipas vendeve ku do të shkoj. Preferoj të vesh rrobat të firmave “Kavali” dhe “D.Gabana”.

 Parfumi i preferuar?

 Gabana”, “Dior” janë më të preferuarit.

 Shpenzoni shumë për veshjet?

Shumë. Kjo pasi dhe bashkëshorti s’më pengon dhe dëshiron të jem e veshur shumë mirë.

 S’është xheloz bashkëshorti?

Deri tani jo. Kemi besim dhe respekt tek njeri-tjetri. Ai e kupton mirë profesionin tim.

 A është shoqëria shqiptare një shoqëri maskiliste?

Është. Këtë e them me bindje. Në Shqipëri ruhen traditat dhe shumë mirë, por ka dhe ca teprime sidomos në raport me hapësirat që duhet të ketë femra. Në disa fusha të jetës ajo është e paragjykuar. Shihet me mosbesim.

 A janë femrat (brenda profesionit) më xheloze se meshkujt?

Po, janë. Sidomos këngëtaret. Kjo vjen edhe pasi është shtuar numri i këngëtareve.Ndihem mirë kur më xhelozojnë.

  Hobi juaj?

 Tatuazhet.

  Në gjoks yje, ndërsa në dorën e majtë në kyç keni si tatuazh emrin e vajzës?

 Pikërisht. Kiara. Emri Kiara. Vajza ime. Ëndrra ime më e madhe e jetës. Ky është tatuazhi më i bukur i imi. E kam bërë me kënaqësinë më të madhe. Edhe kur jam larg vajzës nëpër turne të ndryshme ajo me këtë tatuazh është kudo me mua në çdo sekondë.

 I doni kafshët?

 I dua. Në shtëpi kam një qen që e konsideroj pjesë të familjes.

 Jeni supersticioze?

 Po jam. Besoj në diçka qiellore për të ecur para apo që dita të më shkojë mbarë. Si besim shpirtëror kam kishën e Laçit. Lutem dhe larg përpara saj.

 Në jetë keni bërë arritje. Po të ktheheshe pas në jetën tënde do doje të ndryshoje diçka?

Asgjë. Besoj se kam vepruar drejt në çdo kohë dhe situatë. Jam përpjekur të gjejë rrugën më të mirë në jetë. Ndoshta dhe kam gabuar, por gabimet janë pjesë e jetës