Osman Mula: Në regjimin komunist arti vlerësohej pasi çdo gjë ideologjizohej

313

PERSONAZH/ Flet Mjeshtri i Madh, regjisori, kompozitori, instrumentisti Osman Mula: Sot mungon kritika muzikore!

Regjisor, kompozitor dhe instrumentist. Kjo trio artistike është bashkudhëtare e jetës së Osman Mulës, “Mjeshtër i Madh”. Një njeri punëtor, gjithmonë i qeshur. Por kohët e fundit ai ka zbuluar dhe një hob, apo talent të fshehur, të qenit piktor. Pikturat e tij tashmë i shikon në muret e shtëpive të shumë punonjësve të RTSH-së.

 Ju keni marrë pjesë në shumë Festivale të RTSH-së dhe si kompozitor dhe si regjisor, por edhe si instrumentist. Në fillimet tuaja në këto festivale çfarë do të veçoni?

Do të veçoj pjesëmarrjen në Festivalin e zhurmshëm të 11-të si instrumentist, pra si saksofonist. Kjo vegël, por dhe veglat e tjera frymore, mbeten për mua më të dashurat. Në këtë Festival n.q.s do e shikoni në televizion unë jam aty në mes të grupit duke i rënë saksofonit. Atëherë isha biond kaçurrel dhe me barseta.

 Me barseta në atë kohë?

Por ajo ishte e veçanta e atij Festivali, kërkesa drejt lirisë, emancipimit, hapjes. Ndoshta ishte veshja ajo që u kritikua më shumë në atë Festival pasi dhe prezantuesja Edi Luarasi kishte dalë me dekolte. Ne ishim të rinj që kërkonim të ndiqnim modën, të thyenim kornizat e kohës, të shihnim më shumë drejt perëndimit. Por koha nuk ishte e tillë. Kufizimet ishin të tejskajshme. Ideologjizimet ishin të paprecedent.

 Me cilin këngëtar jeni prezantuar në atë Festival?

Me këngëtarin shkodran Bashkim Alibali. Atëherë në Shkodër mund të themi se kishte një zhvillim të artit dhe të kulturës më shumë se qytetet e tjera.

 Meqenëse dolët në shteg për Shkodrën, çfarë ju ka dhënë Shkodra?

Gjithçka ka ky qytet më të bukur. Ky qytet  ka pasur teatër, kinema, kishte estradë, pallat kulture, kishte shkollë muzike, gjithçka duhej në shërbim të artit dhe të kulturës gjendej me bollëk në Shkodër.

Po origjina juaj nga është?

Origjina ime është nga Gjakova, por prindërit  e mi kanë ardhur shumë shpejt. Pra Shkodra u bë origjina jonë e vërtetë. Fisi ynë u vendos aty dhe pastaj pjesa më e madhe u zhvendos në Tiranë, për arsye pune, por pa e larguar asnjë sekondë nga zemra Shkodrën e bukur, të këngës, të barsoletave, të futbollit, të artit, të liqenit, etj…Bashkë me axhën tim Avni Mula ne u vendosëm në Tiranë, por kurrsesi se larguam nga zemra këtë qytet magjik.  Ne jemi një familje artistësh, një familje që nuk numërohen artistët duke filluar nga familja e Avni Mulës, ku ai, ish -bashkëshortja Nina Mula, apo vajza Inva Mula kanë qenë dhe mbeten ajka e këngës lirike shqiptare.

 Kur keni filluar për herë të parë në RTSH?

Fiks në vitin 1974. Tashmë po rikujtoj ato ditë kur shkela në këtë gjigand të medias vizive shqiptare. Të këtij institucioni që ishte zëri i Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Unë mbarova Konservatorin e Arteve siç i thoshin në atë kohë dhe u caktova regjisor në TVSH. Por mbaj mend se stazhin e bëra në Teatrin Popullor. Edhe ky një institucion gjigand dhe i pazëvendësueshëm i aktrimit shqiptar. Më vonë RTSH dhe Teatri Popullor duket se u bënë një, për vetë faktin se të gjitha dramat dhe komeditë që luheshin në Teatri Popullor regjistroheshin dhe shfaqeshin në televizion. Pra lidhja jonë ishte jo vetëm shpirtërore, por edhe institucionale.

 Si ishte në atë kohë TVSH?

Në atë periudhë TVSH po shkonte drejt stabilizimit, pasi shumë aparatura, por dhe mjete të tjera ishin kineze, jo shumë cilësore. Me kohën çdo gjë erdhi drejt modernizmit duke marrë aparatura gjermane nga më të mirat.

 Pra mbushni plot 40 vjet, cilat janë emisionet tuaja më të bukura, ku keni bërë regjinë?

Janë shumë, ku mund të përmend regjinë edhe të Festivaleve në RTSH, por kryesisht edhe regjinë e Koncerteve të Vitit të ri për shumë vjet. Atë kohë kishte shumë koncerte të ndryshme që nuk mund të them se sa emisione kam bërë si regjisor. Në këto 40 vjet kur kthej kokën mbrapa them që janë shumë, por kur shoh se kam ende shumë projekte për të bërë them se janë pak. Kjo është e vërtetë absolute. Shumë herë koha nuk të premton.

 Si ka qenë interesimi i regjimit në drejtim të artit?

Dua të flas si e ndjej, pa dorashka. Nuk dua të vë në diskutim qëllimin që kishte regjimi për artin, pasi dihet që një regjim kërkon dhe zbaton vendosjen e artit në shërbim të tij. Përdor të gjitha mjetet dhe mënyrat. Pastaj e ka më të lehtë të qeveris. Pra regjimi i Hoxhës, ishte shumë i egër, por artin e kishte përparësi. Nuk kishte qytet apo fashat pa Vatër Kulture, pa Shtëpi Pionieri, pa kinema, pa teatër, pa kurse të ndryshme për këngë, muzikë, pikturë. Arti ishte masiv. Në Tiranë kishte çdo darkë shfaqje në TOB, në Teatrin Popullor, në kinema, kishte ekspozita të ndryshme. Kishte aktivitete masive të papara të Ansamblit të Këngëve të valleve. Ruhej tradita dhe kënga e bukur dhe e pastër shqipe. Ndërsa sot? Ç’të të them. Dikur të shkoje në Teatrin Popullor duhej të çoheshe në katër të mëngjesit të zije radhë për biletë. Kinematë mbusheshin plot. Ishte dhe Estrada e Ushtarit apo Banda e Ushtrisë. Atëkohë aktorët, kompozitorët, këngëtarët respektoheshin.

 Ju keni marrë pjesë si kompozitor në shumë festivale, si ndiheni si kompozitor dhe kur ka qenë përgjegjësia më e madhe në këto pjesëmarrje?

Kompozimi ka qenë një dëshirë e brendshme që ka ngjallur vazhdimisht tek unë. Është e vërtetë që kam marrë pjesë në shumë Festivale apo dhe konkurrime të tjera në rang Kombëtar, ku kam zënë dhe disa çmime, por përgjegjësia më e madhe ka qenë kur kam marrë pjesë me këngëtare vajzën time Evisin dhe kompozim timin. Këtu përgjegjësia ishte e trefishtë, si krijues, si prind, por dhe si regjisor i shumë festivaleve. Një dështim do të thoshte shumë për familjen tonë dhe për të ardhmen e Evisit, por zoti dhe puna jonë ishte me ne. Ja dolëm mbanë.

 Sot ka shumë huazime dhe shumë kompozitorë thonë se tallavaja po e prish muzikën tonë të bukur autoktone?

Po është e vërtetë. Në regjimin komunist një gjë e tillë nuk tolerohej. Ne kur bënim festivalet na vinin mbi 100 këngë dhe për kontroll vinte dhe Instituti i Studimeve Folklorike, për të parë dhe vëzhguar huazimet dhe përmbajtjen autoktone të muzikës sonë. Sot mungon kjo kritikë dhe ky Institucion  as merret në konsideratë. Pra sot lulëzojnë lloj- lloj muzikash, ku vetëm shqiptare nuk mund të thuhet se janë. Këndon kush mund, këndon dhe bën disqe kush ka para dhe profesionistët lihen tek dera.

 Kush ka qenë risia më e bukur në drejtim të muzikës shqiptare në RTSH?

 Për mua mbetet organizmi dhe zhvillimi, ose më mirë kalimi në traditë e Festivalit të Këngës Popullore. Këtë vit do të zhvillohet festivali i katërt dhe për mua mbetet një risi që koha do ta vlerësojë më shumë. Më vjen çudi se si nuk ka qenë zhvilluar më parë ky festival. Kam pasur nderin të jem 3 herë regjisor i këtij festivali dhe e them me bindje se jam ndjerë shumë më mirë se kur kam qenë regjisor në festivalet e tjera. Në këto Festivale këndohet 100 për qind shqip. Por mbi të gjitha nuk këndohet me superpozim dhe me CD. Disa kohë u prish dhe tradita e bukur e Festivaleve në RTSH, pasi edhe aty filloi të këndohet me superpozim. Kjo lloj të kënduari e ka dëmtuar rëndë këngën, muzikën e bukur shqiptare.

 Për ju, kush ngelet Festivali më i bukur, apo aktiviteti muzikor që duhet të merret shembull?

Mbetet Festivali i Këngës për Fëmijë që zhvillohet në Shkodër. Kam 10 vjet që jam regjisor i këtij Festivali të bukur. Aty për këngën më të bukur votojnë vetë fëmijët. Por më e bukura është se për çdo çmim fëmijët gëzojnë dhe përqafohen. Kjo nuk ndodh tek të mëdhenjtë që e shohin me xhelozi njëri-tjetrin.

Por ju jeni dhe piktor…?

Ahaaaaaa… Po vitet e fundit i jam kushtuar pikturës. S’e di, por pikturoja vazhdimisht. Më në fund vendosa të kap penelin dhe shpatullën dhe të pikturoj. Kryesisht pikturoj peizazhe. Nuk janë pak, por me dhjetëra që tashmë zbukurojnë shtëpitë e shokëve dhe miqve. Janë po aq të mira sa të profesionistëve më thonë miqtë.