Osman Mula: Festivali i Këngës Popullore, një risi e TVSH-së

875
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori dhe muzikanti: “RTSH po përmbush kërkesat e publikut”

Këto ditë në TOB u zhvillua Festival i parë i Këngës Popullore. Ky Festival që u përcoll si risi ishte një  sukses i RTSH për shumë arsye. Regjisor i këtij spektakli specifik i pari në llojin e vetë ishte i mirënjohuri Osman Mula. Sipas tij, këngëtarët në këtë festival nuk erdhën me superpozim dhe me skena bosh, pa instrumente dhe pa dirigjentë. Pra Festivali erdhi live, i mirëorganizuar me të gjitha detajet skenike dhe me kompozime të reja të këngëve.

Këto ditë u zhvillua Festival i parë i Këngës Popullore qytetare në RTSH. Si lindi kjo ide?

Kjo ide lindi nga muzikantët, instrumentistët e Radio -Tiranës, që janë muzikantë shumë të nderuar dhe me përvojë, me emër në profesionin e tyre. Ky projekt i tyre për këtë Festival u parashtrua në Drejtorinë e RTSH, i cili u miratua menjëherë. Veç këtij aktiviteti u hodhën sërishmi idetë për Koncertin e Pranverës etj…

Pse dhe çfarë kushtesh duhet të plotësonte?

Ajo që dua të theksoj është se këngëtarët në këtë Festival nuk erdhën me superpozim dhe me skena bosh, pa instrumente dhe pa dirigjent. Pra Festivali erdhi live,  të mirëorganizuara të gjitha detajet skenike dhe me kompozime të reja të këngëve. Festivali u zhvillua me 10 këngëtarët më të njohur të këngës popullore, të cilët e justifikonin plotësisht pjesëmarrjen dhe realizimin me sukses të këtij Festivali të parë. Me këta këngëtarë di se çfarë mund të vësh në skenë dhe publiku e di se çfarë do të ndjekë. Nga ana tjetër ky Festival me këto parametra ngjalli një respekt tek teleshikuesit për vetë karakterin e veçantë të tij.

Çfarë këngësh kënduan këngëtarët?

Këta këngëtarë përveç se morën nga një këngë të trevave që përfaqësojnë nga më të njohurat deri tek jaret  shkodrane, sollën dhe nga një këngë të re popullore të kompozuar enkas për këtë Festival.

Pra këngëtarët kishin nga dy këngë në këtë festival?

Po. Kishin nga dy këngë në dy net Festivali dhe të dyja netët live. Një me traditën dhe një me këngën e re.

Çfarë te re solli ky festival për kompozitorët?

Këtë doja ta theksoja në mënyrë të veçantë pasi ky festival i nxit kompozitorët për të bërë këngë edhe më të bukura, rrit përgjegjësinë e tyre, sigurisht po kjo nxitje është dhe për autorët e teksteve. Ky Festival bëri atë që këngët të mos ishin spekulative, pajis vihet re se tregu të bën që të shkruash në mënyrë spekulante.  Në këtë drejtim  ky koncert kishte hijen pak të rëndë në kuptimin mirë të fjalës të zotnillëkut dhe zhvillimi në TOB i shkonte shumë mirë këtij Festivali sepse solli arritjen  në koncept të dëshirës për t’ju kthyer  edhe njëherë vlerave të vërteta të këngës popullore pa huazime, pasi këngët popullore nëpër qytete i kemi pasur jashtëzakonisht të mira  traditë. Ky Festival ishte një kthesë, një rigjykim, për atë kulturë e cila  për çdo ditë po venitej për shkak të një tregu të marrë dhe të sëmurë me huazime që  na çuditi jo vetëm ne por u kthye në një institucion që donte të diktohej që historia e këngës fillonte tani, në këtë kohë, duke harruar vlerat e mëparshme. Historia e këngës popullore dhe asaj të lehtë nuk është sot. Dhe  ky Festival i pari në llojin e vetë, ku e “Dua më shumë Shqipërinë”  zuri çmim të parë  tregoi më së miri historinë dhe solli një predispozicion më të madh të këngëtarëve, sikur të ishin në Festivalet e RTSH. Mua ky Festival më ringjalli edhe njëherë ato zhurmat në korridoret e TOB dhe të Radios kur zhvilloheshin Festivalet e parë të RTSH me Vaçe Zelën në krye.

Kush i dha kurorën e plotë këtij festivali?

Ajo, e veçanta, vendosja e orkestrës së RTSH në skenë. Ajo që mungonte për vite të tëra. Ishin katër pulte, për foninë, pult të dytë për ndriçimin,  dhe pulteve të tjerë që përcollën 10 inserte  që i takonin  çdo qyteti për këngët që i përkisnin atij qyteti. Pra historia u bashkua me këngët, me ndriçimin, orkestracionin, me zërin, dirigjentin, kameramanët, kompozitorëve si Mond Zhulali (Drejtor Artistik), Saraçi, Fred Kaçinari, etj., sollën një festival perfekt. Më kishte marrë malli për një këngë popullore të kënduar në këtë mënyrë nga Fredrik Ndoci, Poni, Bujar Qamili, Toska, Liri Rasha, Selami Kolonja etj, Ata sollën një atmosferë të ndezur.

A morët kontakte me publikun pas Festivalit dhe si ishin reagimet e tyre?

Po, mora shumë takime, sidomos nga të njohur dhe të gjitha mendimet e tyre konvergonin në një pikë, që Festivali ishte një risi me kapacitete në të gjitha drejtimet. Sipas tyre të tillë koncerte duhet të bëhen sa më shumë sepse sjellin të gjallë jetën, sjellin të gjallë atmosferën dhe kulturën e popullit. Vihet re se shumë herë bëhen kompozitorë edhe ata që s’kanë bërë aneje shkollë të tillë, dhe bëjnë këngë me natyrë orientale apo serbe, tallava, me orkestër  të pakontrolluara vetëm dhe vetëm që të bëjnë publikun që të ndizet, pra vetëm  që ti marrin mendjen spektatorit. Ndërsa Festivali qëllim në vetvete nuk kishte t’i merrte mendjen publikut, por të kënaqte publikun, ta qetësonte, ta kalonte në gjendje shpirtërore shumë të mirë. Ky Festival është një ndër punët më të mira që ka bërë RTSH kohët e fundit.

A do të  vazhdojë më tej ky festival?

Sigurisht. Ky është hapi i parë që do të kaloj si një traditë. Besoj  se vazhdimësia do të jetë më e mirë për vetë faktin se na la shije të mirë dhe neve si specialistë, por edhe publikut. Pra do kthehet në traditë, siç ishte në traditë dhe festival i interpretuesve.

Kush ishte vështirësia më e madhe në këtë Festival që la gjurmë që në hapin e parë?

Të kompletohej më së miri redaksia e muzikantëve e cila u plotësua në mënyrë shumë perfekte me Zhulalin, Saraçin, Kaçinarin, që dhanë garanci. Këtu u kompletua redaksia e muzikës me aspektin regjisorial me të gjithë komponentët. Pra kapërcimi me sukses  i këtij kompletimi ishte vështirësia më e madhe. Kështu u realizua një detyrë e RTSH që të japë koncerte live të kësaj natyre sepse ky RTV mbijeton me taksapaguesit shqiptarë.

Çfarë të veçantash ka RTSH?

Ky RTV nuk është komercial si ato private. Ky RTV ka natyrë tjetër, të plotësoj dëshirat, problemet dhe kënaqësitë e popullit. Ky RTV ka qenë serioz dhe i tillë duhet të vazhdojë. Në vazhdën e aktiviteteve serioze  si Festivali i Këngës së Lehtë në RTSH, Festivali i këngës për fëmijë në Shkodër, dhe ky i fundit  tregoji se RTSH mund të bëjë shumë gjëra madje shumë të bukura.

Çfarë i mungojnë RTSH?

I mungojnë spektakle të kësaj natyre. I mungojnë telenovelat, teledramat, filmi humoristik, etj.. Ka shumë emisione të përnatshme por që nuk kanë kaluar në spektakle. RTSH duhet të ushqehet çdo ditë edhe me spektakle përveç emisioneve me karakter dialogu apo diskutimesh politike që shikuesi të mos lodhet. Aktivitete të tilla bëjnë që RTSH të konkurrojë çdo TV privat. Si regjisor jam i mendimit që këto aktivitete të jenë të përjavshme të shtrira në kohë. Ne kemi shumë resurse intelektuale që mund të prodhojmë filma humoristikë, telenovela si ato turket, festivale si ky i tashmi, apo spektakle ku RTSH ka shumë eksperiencë.