OSHEE: UKT, dëmtime të shumta në rrjetin elektrik, abonentët pa drita në disa zona të Tiranës

43
Kryeqyteti po përballet në këtë periudhë me mungesa të energjisë elektrike në disa zona të tij. Grupet e punës janë vënë në ndjekje të problemeve të konstatuara 
Ngritja e temperaturave, thatësira e madhe që ka pllakosur vendin, është shoqëruar edhe me ndërprerjen e shpeshtë të energjisë elektrike në disa zona. Kryeqyteti duket se është më i dëmtuar. Ndërkohë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shprehet se një nga shkaqet e kësaj situate janë ndërhyrjet e vazhdueshme që bëjnë punonjësit e UKT-së, të cilët për të rregulluar punët e tyre shkaktojnë dëmtime të shumta në rrjet. Gjatë ditës së djeshme Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, deklaroi se po ndjek me vëmendje situatën e furnizimit me energji elektrike, në kushtet kur rrjeti elektrik vijon të goditet nga institucione shtetërore dhe subjekte private, për të cilat kompania ka kryer kallëzim penal. Kështu ditët e fundit, OSHEE është përballur me dëmtime të shumta të rrjetit elektrik, kryesisht nga ndërmarrja e ujësjellës-kanalizime, duke sjellë, jo vetëm dëm në bazën materiale, por më e rëndësishmja, duke lënë pa energji elektrike abonentë në zona të ndryshme të Tiranës. Si pasojë e punimeve nga Bashkia Kamëz në ujësjellës-kanalizime është dëmtuar tre herë brenda 5 ditëve sistemi elektrik i OSHEE, duke lënë pa drita Kamzën dhe zonën e Paskuqanit. Tjetër rast, nga firma kontraktore 4AM, duke punuar për Unazën e Madhe, për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, dëmtoi linjat e OSHEE duke lënë një pjesë të Kopshtit Botanik pa energji elektrike. Dëme kanë shkaktuar edhe punimet e kryera nga Bashkia Tiranë apo Ujësjellës Kanalizime Tiranë. Kështu, dy ditë më parë, 2 fidra pësuan dëmtime nga punonjës të ujësjellësit, duke lënë pa energji elektrike zonën pranë ish-Stadiumit “Qemal Stafa” dhe një pjesë të “Rrugës së Elbasanit”, ndërsa dëmi tjetër la pa energji zonën e Tiranes së Re, ish-bllokun, etj. Tjetër rast, vjen nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, e cila la për afro 2 orë pa energji një pjesë të zonës së Liqenit të Thate dhe Saukut. Çdo defekt apo dëmtim është bërë publik në media, ndërsa OSHEE ka marrë masat duke penalizuar dhe kallëzuar subjektet për dëmin material të shkaktuar. OSHEE, i bën thirrje të gjitha kompanive private / palëve të treta, që për çdo punim, të njoftojnë paraprakisht kompaninë e shpërndarjes për tu njohur me azhurnimet e rrjetit. Gjithashtu, kompania ka bërë thirrje disa herë që për çdo punim, shoqëritë të njoftojnë në kohë për të pasur prezencën dhe asistencën e inxhinierëve të OSHEE. Për fat të kaq kjo nuk ndodh gjithnjë dhe pasojat kanë qenë të konsiderueshme, si në dëmin ekonomik të kompanisë për bazën materiale, ashtu dhe për imazhin e OSHEE në opinionin publik për ndërprerje të energjisë që nuk vijnë për shkakun tonë.
OSHEE: Rritje e energjisë së shitur, ulje humbjesh dhe rritje arkëtimesh
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike publikon të dhënat statistikore të treguesve për 5-Mujorin e parë të vitit 2017. Në 5-Mujorin e parë të këtij viti, sasia e energjisë së shitur ka pësuar rritje me 3% ose 56 mijë më më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Arkëtimet totale të OSHEE për këtë periudhë kanë arritur në 27.5 miliard lekë ose thënë ndryshe 4.6 % më shumë. Niveli i humbjeve në rrjet ka zbritur në 28.7% ose 1.01% më pak se e njëjta periudhë një vit më parë. Numri i ankesave të raportuara/të hyra në Maj 2017 është 44% më i ulët krahasuar me Janar 2017 dhe 11.3% më i ulët se Mars 2017. Numri i ankesave për 5-Mujorin e parë përfaqëson 0.61% të totalit të faturave të lëshuara. Borxhi i keq principal, për fatura 2007-2014 është 50.1 miliard lekë në fund të 5-Mujorit 2017 nga 67.8 miliard lekë në fund të vitit 2014.