Opera “Dasma e Figaros” u shfaq suksesshëm në TKOB

2742
Është një opera gazmore me 4 akte nga Mozart dhe ka një larmishmëri karakteresh dhe një lojë shumë të bukur dhe intriga dashurie. Gjatë gjithë kohës, personazhet vendosin veten në situata të ndërlikuara duke e bërë publikun të jetë gjithë kohën kurioz për atë që do të ndodhë më pas. Në qendër të veprës janë Figaro dhe Suzana të cilët janë respektivisht shërbëtorët personal të Kontit dhe Konteshës Almaviva. Konflikti nis pasi Konti dëshiron të ushtrojë të drejtën (që kanë pasur në atë kohë zotërinjtë) për të fjetur me nusen para të shoqit, por sigurisht do ta bëjë këtë pa e marrë vesh kontesha e tij… 
Regjisori Nikolin Gurakuqi duke dashur të përcjellë një vepër koherente me realitetin e sotëm, e ka vendosur ngjarjen në një institucion shtetëror në një vend evropian, ku personazhet janë punonjës në të dhe titullar është Konti Almaviva. Pavarësisht kohës dhe vendit, i rëndësishëm është mesazhi, ai i revoltës ndaj të keqes, abuzimit me pushtetin, dhe ndëshkimi i saj në mënyrë paqësore, të pranueshme për të gjitha palët, pa prekur dinjitetin dhe personalitetin e askujt, pavarësisht se cilës klasë i përkasin personazhet. 
Kasti i kësaj vepre përbëhet nga solistët e TKOB, Armando Likaj (Figaro) Mariana Leka (Kontesha), Eriona Gjyzeli (Suzana), Vikena Kamenica (Cherubini) etj. Janë dy të ftuar specialë në rolin e kontit një prej të cilëve tenori bullgar Valeri Turmanov dhe në rolin e Suzanës për natën e premierës ishte sopranoja e talentuar shqiptare që këndon në skenat botërore Oriana Kurteshi.
Regjia dhe skenografia – Nikolin Gurakuqi
Dirigjent i Orkestrës së TKOB, Francesco Di Mauro 
Dirigjent i Korit – Dritan Lumshi
Sigal