Odiseja për të projektuar hotelin “pesëmbëdhjetë katësh”

833
Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)
Për herë të parë në Shqipëri po ndërtohej një godinë shumëkatëshe që edhe pse nuk i përmbushte kushtet për të qenë një “gradaçielë” sërish do të ishte tërësisht dominuese mbi të tjerat. Përveç kryeqytetit, Tiranës, askush nga qytetet e tjera nuk mund të kishte këtë privilegj. Dhe firma ishte dhënë nga lart: Të ndërtohen 15 kate në qendër të kryeqytetit…
…Tirana kishte hotel “Dajtin” të ndërtuar nga italianët, por arkitektët gjithsesi ishin të papërgatitur për të modeluar një hotel klasi ku mund të kënaqej dhe syri i çdo turisti të huaj që do të akomodohej në të. Duke kujtuar periudhën si pjesëtar i projektit në fjalë, Petraq Kovevica thotë:

Si lindi ideja që në Tiranën me katër dhe pesë kate të nderohej një “pesëmbëdhjetë katësh”?
Ishte viti 1972. Tashmë isha bërë i njohur si arkitekt me projektet e banesave të ndërtuara në Tiranë e në Korçë, si dhe në shkrimet e herë pas hershme në shtypin e përditshëm, mbi probleme të arkitekturës. Ishte bërë takimi i parë kombëtar i arkitektëve, ku ndonëse në radhën e dytë, isha në tribunë dhe fola në atë takim. Në këtë kohë, pushteti donte të bënte diçka që të dukej, të bënte përshtypje në popull e në ata pak të huaj që vinin. Si mjet efikas u gjend ndërtimi i hoteleve turistike nëpër qendrat e qyteteve kryesore, ku mund të bëheshin ndërtime disi të larta. Arkitektëve, kjo gjë, u pëlqente shumë, se ishin të etur të projektonin objekte të këtij lloji. Pra, interesat e pushtetit dhe të specialistëve në këtë pikë shkonin paralel. Gjithashtu, linja moderne në arkitekturë, tashmë ishte bërë fakt dhe ndihmonte në projektimin e hoteleve. Në këtë atmosferë, na dha lajmi i bujshëm, se do të projektohej hoteli i madh në qendër të Tiranës. Vendi i ndërtimit dhe forma relativisht e lartë e objektit, ishte caktuar që më parë nga disa studime urbanistike, të bëra për qendrën. Rëndësi kishte se kush do ta projektonte. 

Dhe kujt do t’i besohej ky projekt?
Kur ishte fjala për projektim objektesh të tilla të rëndësishme, udhëheqja shtetërore e partiake e Ministrisë dhe e Institutit të projektimeve, nën parullën banale të “luftës kundër individualizmit”, e kishte gjetur çelësin e artë. Krijonte një grup pune “me specialistët më të mirë”. Edhe për projektimin e hotelit të Tiranës, ky çelës hyri fort në punë. U krijua grupi i punës, ku ishin: V. Pistoli, K. Çomi, M. Pepa, nga Instituti, Petraq Kolevica nga Zyra e Projektimit e Komitetit Ekzekutiv Tiranë, si dhe disa arkitektë, që posa kishin mbaruar fakultetin, por që duhej t’u hapej vendi në Institut, si K. Kolaneci, N. Theodhosi, etj.. Të gjithëve na mblodhi drejtori, S. Angoni dhe na propozoi që të si kryetar grupi Valentina Pistolin, që – siç tha ai – është arkitekte me përvojë, anëtare partie… Shpejt, filloi puna. Para se të hiqja vijën e parë, e kisha vendosur të thosha deri në fund fjalën time, megjithëse e dija që nuk do të dëgjohej. Kjo ma bënte më të lehtë të mos kërkoja bashkëpunim. Gjithashtu, M. Pepa, për arsyet e veta, e dinte që nuk e kishin për zemër, as të rinjtë e as të vjetrit, prandaj dhe ai u përpoq të punonte i pavarur. K. Çomi dhe bijtë e baballarëve të mëdhenj, u afruan më shumë si fraksion i padukshëm i grupit. Valentina mundohej ta dridhte shkopin e dirigjentit, por orkestra me instrumente frymore të atij grupi, ekzekutonte melodi të parapëlqyera. Për fat të mirë, të gjithë e pranuam mangësinë e madhe që kishim: Ne, që do të projektonim hotelin e madh të Tiranës, nuk kishim parë: asnjë hotel turistik të vërtetë. 

Çfarë masash do të merreshin pas pranimit të këtij “handikapi”?
E ngritëm problemin në Ministri. Nga Komiteti i Partisë ndihmoi F. Paçrami dhe Ministri Rahman Hanku, keqdashës i deklaruar i arkitektëve, mbeti ngushtë dhe tha: “Mirë, le të venë në Jugosllavi, por unë kaq para kam. Me këto para le të shkojnë. Për sa ditë do t’u sosin, aq le të rrinë”. E pranuam. i mbushëm valixhet tona me sallam, konserva e kaçkavall, na dhanë një mikrobus, prodhim polak, na dhanë ato të shkreta pasaporta për jashtë shtetit dhe u nisëm. Ishim gjashtë përfaqësues të Turizmit. V. Pistoli, F. Stërmasi, K. Çomi, P. Kolevica, R. Agalliu dhe shoferi. Fjetëm një natë në Shkodër dhe të nesërmen ishim në Titograd. Të pritur nga përfaqësuesi i Turizmit, filluam me hotelet aty. Shihnim me radhë ambientet, merrnim ndonjë përmasë. Unë kisha marrë aparat fotografik dhe fotografoja gjërat që më dukeshin me interes. Pas Titogradit, i ramë përgjatë bregut të Dalmacisë, nga Dubrovniku, deri në Rijeka e pastaj në Slloveni (në Lubljanë, ku pamë hotelin “Sllon”) e zbritëm poshtë, duke parë hotelet në Zagreb, Beograd, Shkup. Pastaj nuk pati interes tjetër, përveç se natyra e bukur e Shën Naumit, Kisha e Manastiri i atjeshëm, disi Struga dhe kaq. Në dy javë udhëtimi të lodhshëm, pas kësaj fasade, që mund të duket e bukur hapej kapaku i varfërisë së turpshme. Pesë inxhinierë, të njohur në vendin e tyre, hanin bukë e djathë, apo bukë e sallam e ndonjë konservë duke ikur udhëve me makinë, pa guxuar të hynin në ndonjë gjellëtore, të hanim makar një supë orizi të ngrohtë. Flinin nëpër hotelet më të lira të periferive dhe copat e sallamit e të djathit, që ende nuk i kishim ngrënë, i vinin natën jashtë dritares, që t’u rrinin në fresk e të mos u prisheshin. Në aventurën e trishtuar të të ushqyerit tonë autarkik, nuk do të mund të harroj të gjorën Valentinë: Si ushqim, ndër të tjera, ajo kishte marrë një pulë të zier. Ditët e udhëtimit ishin të nxehta, ca më shumë brenda në makinë dhe pula filloi të binte erë. S’mbetej veçse të hidhej. Pastaj, gjatë rrugës, e gjora Valentinë, mblidhte fara trëndafili të egër, se, siç i kishte thënë Cirili, kishin shumë vitamina dhe Valentina bënte me to çaj dhe njomte bukën. Po, Valentina Pistoli, që kishte punuar një çerek shekulli si arkitekte! Nga dieta mizerabël, mundoheshim të kursenim diçka, për të blerë diçka. 

Si do të vazhdonte puna pas kthimit në Shqipëri?
Pas kthimit, puna filloi edhe më intensive. Diskutuam të gjithë e ramë me zgjidhjen planimetrike të katit, të formës, mobilimit e të dhomave, banjove e ambienteve të tjera. Me vizatimin, konkret të tyre u mor kryesisht Valentina. Kur erdhi puna e trajtimit arkitektonik të fasadave, mendimet u ndanë. Ndërkohë po formohej një si variant projekti më i preferuar, ku zë i parë dëgjohej K.Kolaneci. Ai këmbëngulte me kryeneçësi që fasada të ishte rretheqark krejtësisht xhamllëk. Kundër isha unë e M.Pepa, kurse K.Çomi, ndonëse i mbështeste, vazhdonte të bënte më vete zgjidhjen planimetrike e vëllimore të dy kateve të para. Unë gjithashtu, vazhdoja të punoja variantin tim. Po afrohej dita e Këshillit Teknik. Atje, e dija se zëri im nuk do të dëgjohej, prandaj idetë e mia dhe kundërshtimet për variantin që po parapëlqehej, i shkrova e ia dorëzova S. Angonit. Mbledhja e Këshillit Teknik u bë në sallën e Komitetit Ekzekutiv (që u prish). Mori pjesë dhe F. Paçrami. Atë ditë mua më kishte qëlluar radha të bëja roje te porta e brendshme e Komitetit Ekzekutiv. Mbledhja e Këshillit Teknik për miratimin e projektit të hotelit, bëhej 10 metra larg vendit, ku unë bëja roje, por asnjëri nga kolegët e as nga Drejtoria, nuk u kujtuan të më thërrisnin brenda, duke më zëvendësuar me dikë, në mënyrë që të ruante portën e Komitetit Ekzekutiv, të mos hynte “armiku”. Projekti u miratua, por unë, anëtari i grupit, refuzova të quhem autor i atij projekti dhe nuk firmosa asnjë fletë.
Mehmet Shehu shan piktorët: Jeni gomarë!
Më dërguan të ndihmoja në bërjen e Ekspozitës me rastin e 15-vjetorit të Çlirimit, d.m.th. më 29 nëntor ’59, të cilën e drejtonte ish-profesori im, arkitekti Besim Daja. Me prodhimet më të mira të asaj kohe dhe me mundësitë materiale minimale, disa arkitektë e piktorë-dekoratorë mundoheshin të paraqisnin bukur disi me art “sukseset e arritura” duke përdorur ngjyra të pastra, kontraste të efektshme, vizatime të thjeshta, shkrime me karaktere moderne, të cilat në ekspozitat rutinë të mëparshme nuk ishin përdorur. Në atë kohë Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ishte piktori Foto Stamo, vigjilent i zellshëm në mbrojtje të dogmatizmit partiak. i shqetësuar shkroi një letër mbi modernizmat dhe revizionizmat që po shfaqeshin në atë ekspozitë dhe e mbajti vrapin në Komitetin e Partisë së qytetit, ku sekretare e parë ishte Fiqerete Shehu. Fiqeretja e alarmuar i paskësh thënë Mehmetit. Mehmeti i tërbuar çatisi afër mesnatës në Ekspozitë, ku piktorët vazhdonin të punonin dhe në mes të sallës klithi; “Ç’është këtu, Beograd?” Në një panel pa të vizatuar me viza të drejta dekorative figurën e një kameriereje. “Kush e ka bërë këtë?”- pyeti.“Unë”, i tha piktori K. D. qe para pak kohësh ishte kthyer nga studimet në Çekosllovaki. “Ç’je ti?” “Piktor”, – u përgjigj K. D. “Ti je një gomar!” klithi Mehmeti. Pastaj pa diçka dekorative të vizatuar me kontraste ngjyrash të forta. Poshtë asaj figure ishte piktori dekorator i talentuar F. A. “Ti e ke bërë këtë?” “Po” tha F. A. “Ç’është kjo?” “Paraqitje e mineralit të kromit”. “Pse s’thoni që këtu ka plasur modernizmi e revizionizmi?” – tha Mehmeti e vazhdoi – “Unë do të kërkoj nga Byroja Politike që kjo ekspozitë të mos hapet!” – dhe iku. Ata që e jetuan atë kohë, e dinë se ç’rreziqe përmbanin ato fjalë të Mehmetit! Asaj nate, Besim Daja dhe piktorët që punonin me të, nuk e patën të vështirë ta shihnin fare pranë të hapur portën e burgut, prandaj deri në mëngjes i lyen me bojë të bardhë panelet, që pa Mehmeti e tjera të ngjashme me to. Në mëngjes erdhi Ramizi. “Ku janë ato modernizmat, që pa shoku Mehmet?” “I prishëm”, ishte përgjigja. Pa, ç’pa, Ramizi iku. Ca më vonë erdhi Liri Belishova. i ra qark ekspozitës dhe në një vend pa një tendë me tri ngjyra. “Ç’është ky flamur jugosllav këtu?” – tha
Reflektim
“Sot e nesër, këto që thashë, duken çmenduri, por të mos harrojmë, se për udhëheqjen komuniste marksiste-leniniste shqiptare ende të pakonsoliduar, atmosfera ishte e disfavorshme, prandaj tërbohej dhe jo pa shkak. Nuk kishte shumë kohë që në Hungari ishte bërë kundërrevolucioni (apo revolucioni? Si ta quajmë?). Në ato ditë të vitit 1956, Mehmet Shehu, përpara oficerëve të mbledhur në Kinema “Brigada” këlthiste: “Janosh Kadari është, apo Janosh Kodoshi, ne nuk e dimë. Dimë se Hungaria e prishi kampin socialist”. Ishte bërë Konferenca e Tiranës ku, me gjithë pasojat tragjike për disa, i ishte ngritur peta lakrorit dhe populli i pa lakrat që mbaheshin mbuluar. Kishte ardhur Hrushovi, që me gjithë fasadën e bukur të mikpritjes, pati disa battibeco (përplasje) me udhëheqjen shqiptare e pastaj vajti u puth me Titon, armikun e saj numër një”.
Sigal