“NJERIU ME TOP” MAGJEPS GJENEVËN

802
Gazeta “Le Temps”
Gjenevë, Zvicër, Maj 1998

Alter-ego shqiptar i Zhono-s
Ashtu si Kadareja, Dritëro Agolli i përket brezit të sakrificës, asaj të viteve të plumbit e terrorit. Ajo kohë vjen me dy libra që e meritojnë t’iu rikthehesh. Një roman, “Njeriu me Top”, që evokon eposin e vjetër Ballkanik. Mato Gruda, heroi, është një lloj Zorbe shqiptar i gjendur në trazirat e Luftës së Dytë Botërore. Një mbrëmje, në mes të një pylli, ai zbulon një top të stërmadh të braktisur nga trupat e mundura italiane: një armë ideale për të marrë hakun e familjes së tij duke asgjësuar një fis armik ndaj të cilit ushqen urrejtje prej brezash.

Mato ndez kështu zjarret e hakmarrjes/vendetta-s. Të cilën e shohim të bëjë reprezalje mbi një Shqipëri të shpartalluar nga një luftë dyfishe: nga jashtë e nga brenda. Mbi këtë western tragjik, Agolli derdh jo pak sarkazëm, derisa fatkeqi Mato, shembet përtokë, viktimë qesharake e marrëzisë së vet…

Tregimet e vëllimit “Zhurmat së erërave te dikurshme”, na shpien tek e njëjta Luftë, në momentin kur pushtuesi fashist është mposhtur nga guerilasit krenarë të Vendit të Shqiponjave. Mes dy pritave, ata u bien violinave të çakorduara, zbrazin litra me raki, thithin çibukët e gjatë, kërcejnë me dervishët, i kënaqen peizazheve shqiptare ku kodrat bëhen të buta, në vjeshtë, “sa mund t’i hash me lugë”.

Ka pak Zhono tek Agolli. Por është një Zhono i shqetësuar, i kapur mes kultit të Nderit dhe frikës ta shohë këtë luftë të degjenerojë në hakmarrje, një luftë vëllavrasëse, ndërkohë që përballen komunistë e partizanë të regjimit të shkuar. Në një Shqipëri njëherazi magjiplotë dhe djallëzore, që Dritëro Agolli e vizaton si një teatër ku luhet me hijet. Magjepsës.
A.C.
“Le Temps” është një gazetë e përditshme zvicerane e publikuar në Lozanë. Është e vetmja gazetë gjeneraliste frankofone me përmasa kombëtare në Zvicër, e hapur ndaj ideve liberale, e themeluar në 1998, me redaksi ne Lozanë, Gjenevë, Bernë dhe Zurih.
– Zhan Zhono/ Jean Giono (1895-1970) një prej shkrimtarëve më të mëdhenj francezë, autor i mjaft eseve, poezive, dramave, skenarë filmash, si dhe mbi 30 romanesh të përkthyera në shumë gjuhë. Giono ishte një pacifist, për çka u burgos dy herë: pas pushtimit gjerman në 1940, por po ashtu dhe pas çlirimit të Francës, kur për shkak të pacifizmit të tij e akuzuan për kolaboracionizëm. Vetëm mbrojtja e zjarrtë e një personaliteti si Andre Zhidi, bëri që figura e tij të rehabilitohej plotësisht në Francën e pasluftës. Veprën e natyrës epike shpesh e kanë krahasuar me romane të tillë të mëdhenj aventurash, si ato të Stendalit, të Dymasë apo të Melvilit.
Sigal