Njeriu kujtohet më shumë kur loton dhe ne e kujtojmë Skënderin se kemi qeshur me lot me humorin e tij

571
Sigal

Në 80-vjetorin e lindjes së aktorit të madh të humorist, Artistit të Popullit, Skënder Sallaku. Flasin për “Telegraf” mjeshtrit e aktrimit dhe regjisë, Bujar Kapexhiu, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Mihal Luarasi, Roza Anagnosti

Më datën 25 janar 2015 ishte 80-vjetori i lindjes së aktorit të madh të humorit, Artistit të Popullit,  Skënder Sallaku. Ai më 11 shkurt mbush një vit nga largimi nga jeta, por mbetet i paharruar për veprën e tij të madhe. Me këtë rast familja, miq dhe një rreth i ngushtë familjar përkujtoi ditëlindjen e tij, në një nga sallat e Estradës së Tiranës, pikërisht në atë vend ku ai punoi me shpirt për të sjellë humor në familjet e varfra shqiptare. Ishte një përkujtim i bukur, nën drejtimin e aktorit Bujar Kapexhiu. Në sallë binin në sy figura të shquara të skenës dhe të humorist shqiptar, si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Mihal Luarasi, Dhimitër Anagnosti, Faruk Kalleshi, Sulejman Dibra dhe shumë të tjerë. Ishte një ditë e bukur, ku të gjithë të pranishmit sollën copëza jetësore nga njohjet dhe bisedat me Skënderin. Mund të themi se i gjithë takimi kaloi vetëm me të qeshura, pasi copëzat e tij jetësore të tilla ishin, si vetë amaneti që la kur ndërroi jetë: Kur të më kujtoni vetëm qeshni mos më qani. Në fund të takimit përkujtimor u shfaq një film dokumentar me humorin më pikant të aktorit të madh.

Bujar Kapexhiu

Është një ditë e shënuar për jetën e Skënder Sallakut, që unë do ta trajtoja si një rast të veçantë, për gjeniun e humorist tonë. Ne së bashku festojmë 80-vjetorin e gjeniut të të qeshurit, i cili gjithë jetës qeshi vetë, por mbi të gjitha me gjithë zemër na ka bërë dhe ne të qeshim, pasi  ky ishte misioni i tij, i karrierës së tij. Zakonisht kur mblidhemi për një ditëlindje, në qendër të vëmendjes është personi që ka ditëlindjen dhe sot ditëlindjen e ka Skënder Sallaku, por ai nuk ka ardhur, ndoshta-ndoshta për të bërë sërishmi humor. Kjo më kujton një rast të veçantë në humorin e Skënder Sallakut. Ishim për ngushëllim tek familja e futbollistit Skënder Hyka. I kishte vdekur i ati. Skënderi e pyeti, -“Hyke, sa kohë ka që të ka vdek baba? -Po ja u bënë nja dhjetë ditë, -përgjigjet Hyka. Ashtu, 10 ditë dhe s’ka ardhë asnjëherë me leje?!” Kështu që edhe në këtë ditë, Skënderi donte ti jepte njerëzve pak gëzim shpirtëror, për të dalë nga gjendja e mërzisë. Edhe ne sot festojmë 80-vjetorin e Skënderit pa qenë Skënderi. Me siguri atij nuk i kanë dhënë leje të jetë mes nesh. Por ai që deshi buzëqeshjen, këtë buzëqeshje na e la dhe sot. Pra edhe këtë ditë na shoqëron buzëqeshja e tij. Ne të afërmit që e takonim çdo ditë, e kujtojmë si gjithmonë pasi edhe në takimin e fundit vetëm shaka, humor na fali. Ai iku nga kjo jetë, por tek ne ai ka mbetur i gjallë me buzëqeshje. Pra sot ne kujtojmë atë që na la pas duke marrë me vete vetëm buzëqeshje. Arabët kanë një thënie shumë të bukur. Njeriu mund të harrojë

 në jetë atë me të cilin ka qeshur, por nuk mund të harrojë atë me të cilin ka qarë. E qarë, do të thotë lot. Pra dhe ne nuk mund ta harrojmë Skënderin pasi me të kemi qeshur me lot. Këtë na ka sjellë ai në jetë. Unë po them me zemër, të flasim për Skënderin, ato që duhet, ato që ka, se tiranasit po i lëvdove shumë të hipin në tavolinë. Për përkushtimin që ka pasur, dashurinë, humorin, ai na bashkonte dhe na gëzonte. E them sot, që atij nuk i kanë dhënë leje, por aty lart në qiell në përjetësi, n.q.s është krijuar ndonjë parti, me siguri Skënderi është caktuar Sekretar Partie. Ne duhet të kujtojmë dhe përcjelljen e tij për banesën e fundit. Ne e përcollëm atë me të qeshura dhe duartrokitje, pasi ashtu e donte Skënderi jetën. Ne jemi njerëzit më të afërm të tij dhe kur ne përmendim Skënderin menjëherë buzëqeshim. Ai është kthyer në simbolin e buzëqeshjes, në simbolin e së qeshurës, ndaj edhe sot në 80-vjetorin, le të qeshim, le ta kujtojmë le ta përmendim me humorin e tij, me buzëqeshjen e tij.

 Margarita Xhepa -Artiste e Popullit

Sa herë që e shikoja së largu Skënderin, menjëherë buzëqeshja dhe unë. Edhe tani sa herë takohemi me të afërmit  e tij, por edhe me miq, na është bërë zakon të falim buzëqeshje dhe këtë e kemi dhuratë nga Skënder Sallaku. Apo më mirë të themi peshqesh. Ai mbetet një njeri pozitiv, i mirë, qytetar i shkëlqyeshëm. Ai nuk dinte të ironizonte apo të fyente njeri. Nuk dinte të merrte nëpër gojë njeri, ishte larg thashethemeve. Ai ishte një baba i shkëlqyer, një bashkëshort i mrekullueshëm, ishte një komshi, një mik  i mrekullueshëm. Unë jam komshi me ta. I shihja shpesh herë nga dritarja kur dilte me Vitoren. Gjithmonë bashkë si një trup i vetëm, si një çift i mrekullueshëm, me Vitoren gojë mjaltë. Sa i takoja i pyesja, ku shkoni? Tek Tafaj për të pirë kafe më thoshin. Nuk keni kafe në shtëpi i thosha? Kemi por na shijon më shumë. Skënderi për mua mbetet një aktor i madh i humorit dhe ndoshta shumë specifik. Unë kam qenë vetë në Estradën e Tiranës dhe e kam njohur që aty. Kam bërë dhe unë ca role aty që nuk shkëlqyen. Aty kam njohur Skënderin e madh, që gjithmonë bënte role të rinj, por gjithmonë ishte i pakënaqur me veten, kërkonte më shumë nga vetja. Kishte një karakter ndryshe dhe një zë karakteristik. Kishte një ekspresion të syve që fliste dhe pa folur. Shikimi dhe syri tij të befasonin. Kishte një plastikë të shkëlqyer. Por ai ka qenë një kloun i shkëlqyeshëm dhe një akrobat i talentuar. Ishte dhe pjesëtar i Cirkut. Ai luante role fshatarësh të ndryshëm, pasi ai shquhej për spontanitet. Ishte intuitiv si aktor, plus eksperiencën. Ai e njihte jetën, e njihte realitetin, mbante lidhje me të gjitha shtresat dhe sillte në skenë figura interesante. Ky spontanitet e bënte atë shumë të pëlqyer. Një shkrimtar i madh grek, Kazanxaqi thotë: n.q.s të do familja është bukur, n.q.s të do shoqëria, është mrekulli, por n.q.s të duan dhe institucionet shtetërore, drejtuesit, atëherë është madhështore. Mendoj se Skënderi i ka arritur të tria. Nuk ka rëndësi sa ke jetuar, rëndësi ka çfarë ke dhënë dhe sa ke dhënë në këto vite që ke jetuar. Çfarë vlerash ke lënë. Ai ka lënë një vepër të madhe,  na ka lënë pas buzëqeshjen e tij magjike. Skënderi na mungon shumë.

  Bujar Kapexhiu

Duke ju referuar Artistes së Madhe Margarita për lidhjet e Skënderit me Vitoren, ne gjithmonë bast me shokët që kur të shihni Vitoren që s’ia ka hedhur krahun Skënderit, atëherë ai që e sheh fiton bastin. Dhe askush se ka fituar këtë bast, pasi Vitorja gjithmonë ja hidhte krahun sa dilnin nga shtëpia. Unë sa herë i shikoja ashtu i ngacmoja. Që nga matanë trotuarit i thosha: O Skënder, ju çdo ditë, çdo çast, për krahu, për krahu. Po nga kuzhina në dhomën e gjumit përkrahu ecni? Ai më  kthehet, po jo si puna jote, gruaja në një trotuar, gruaja në trotuarin tjetër.

 Sulejman Dibra-aktor

Unë me Skënderin kam shumë kujtime. E kam njohur Skënderin e madh në momente shumë të veçanta të jetës dhe ne punuam shumë kohë bashkë në mirëkuptim të plotë. Kur unë u bëra drejtor i Estradës së Tiranës, Skënderi u bë Sekretar partie. Ne u bëmë shumë miq dhe plotësonim njeri tjetrin. Ai kishte një mirësjellje të jashtëzakonshme. Por mbi të gjitha ai ishte një aktor tepër i veçantë. Por e kishte pak qejf rakinë. Por unë i thashë mos shko në lokale të ndryshme por shko në lokalin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Kështu vazhduam që të shkonim tek ky lokal. Mbaj mend që në një shfaqje krijoi një situatë shumë të bukur jashtë asaj që kishte bërë regjisori Vladimir Prifti. Në një fjali bëri një zgjatje të germave të fundit që krijuan një të qeshur të madhe. Ky ishte Skënderi, spontaniteti ishte i natyrshëm  tek ai, por edhe plastika. Lëvizjet, gjestikualcionet, shikimi, rrotullimi i syve ishin tepër të veçanta. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij. Na mungon çdo ditë humori dhe e qeshura e tij plot mirësi.

 Roza Anagnosti

 Shumë vjet më  parë, ku unë isha e re, në shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, kishte ardhur një akrobate që bënte lëvizje të mrekullueshme. Ne mbeteshim pa frymë me lëvizjet e saj. Stepeshim dhe rrinim me gjak të ngrirë. Kjo ishte Vitore Sallaku. Këtu u njohëm dhe me Skënderin. E kujtojmë gjithmonë si një humorist i rrallë, por mbi të gjitha për buzëqeshjen që na dërgonte sa herë që e takonim. Ai kishte një mirësi për të gjithë. Por mbi të gjitha unë e kujtoj Skënder Sallakun, që i shtriu dorën e dashurisë Vitore Sallakut, kësaj fëmije jetim, që i kishin pushkatuar babanë. Pra ai mori risk për vete ndaj dhe nderohet me respekt nga të gjithë. Skënder, aty ku je prehu i qetë, se Vitorja s’të harron kurrë, fëmijët s’të harrojnë por edhe ne shoqëria. U prehsh në paqe!

  Faruk Kalleshi-peshëngritës

 Unë e kam njohur nga afër në cirk. Unë kam qenë një artist amator cirku, ndërsa ai u kthye në legjendë. Ai ngelet një artist i madh, një njeri i qeshur, por edhe një sportist i madh. Dinte të falte mirësi, të falte vetëm gëzim dhe hare.

Zenepe Luka-gazetare

Skënderi mbetet aktori që s’ju nda asnjë ditë fondacionit “Nermin Vlora”. Ai mund të them se e ndjente veten shumë mirë mes nesh dhe e deklaronte “jam i vetmi mashkull, që këtu gjej mirësi, frymëzim, kënaqësi”. Ai na krijonte situata të bukura dhe në çdo aktivitet do të kërcente me gotën plot mbi kokë mbushur me ujë. Ishte një burrë i emancipuar, mbetet një njeri i madh, një aktor i madh. Mbrapa tij ishte dhe një engjëll si Vitorja që kujdesej për të.  Fondacioni që unë drejtoj, do të bëj të pamundurën të gjej mundësitë ta derdhi në bronc figurën e tij, pasi ishte ASI i humorit shqiptar. Buzëqeshja e tij na shoqëron kudo.

 Bujar Kapexhiu

Dakord shoqja Zenepe, por në një pikë nuk jam dakord me jo. Ju thatë kërcente me gotën plot me ujë, por ajo gotë ta kesh të qartë ka qenë vetëm me raki (të qeshura në sallë). Ndoshta ju grave ju thoshte që është ujë, por ne burrat e dinim mirë se ç’kishte brenda (sërish të qeshura).

 Mihal Luarasi

Unë kam pasur fatin të jem prezent kur lindi aktori Skënder Sallaku. Ishte një kënaqësi kolosale, kur e pashë për herë ta parë si kloun të grupit simpatik të akrobatëve. Atë ditë që më caktuan si regjisor i Estradës shkova për të parë provat. Ishin dy akrobatë që po punonin atë ditë në prova. Ishte i madhi Telat Agolli dhe Skënder Sallaku. Ata luanin  mes tyre, kombinonin lëvizjet sepse i dinin lëvizjet mes tyre. Unë nuk i dija dhe trembesha nga lëvizjet e tyre. Për një moment u rrëzua Skënderi mbi shpinën e Telatit.  Menjëherë Skënderi i thotë: Telat, Telat, e pat. Pra mora fund, theva diçka. Këtu pashë një Skënder tjetër, jo kloun. Ai foli dhe interpretoi si aktor në to çaste. Jo thashë më vete ky nuk është kloun, por aktor humori. Telat e pat. Këtu lindi për mua aktori Skënder Sallaku. Ka qenë fat i madh për mua, që me Skënderin kam bërë disa nga shfaqjet më të bukura të asaj kohe me Skënderin si aktor humori. Në atë kohë u bënë disa spektakle me aktor kryesor Skënderin. P.sh Spektakli “Autobiografia”. Kjo premierë ishte një mrekulli ku biletat shiteshin për muaj të tërë para se të jepej shfaqja. Ishte kënaqësi e madhe të punoje me të, pasi regjisorit ai ja gjente vetë materialet dhe idetë për lëvizjet e humorit. Tek “Autobiografia”  kishte një moment që Skënderi ndodhej përpara gradaçelave në Amerikë. Por i shikonte me admirim. E di çdo të thoshte ti shikoje me admirim?! Të na merrte në qafë. E mora veçantë dhe i thashë: Skënder, ti i shikoje me admirim, por mos harro

se ata janë armiqtë tanë. Më fal tha ke shumë të drejtë. U fut përsëri dhe ndryshoi menjëherë situatën. I pa gradaçelat me inat, si me urrejtje. Unë qesha menjëherë për situatën e krijuar. Kështu po i thashë. Ai tundi kokën. Faleminderit Skënder që ma ke lehtësuar punën!

 Tinka Kurti-Artiste e Popullit

Unë me Skënderin dhe Vitoren jemi njohur shumë shpejt. Unë tek Skënderi kam parë njeriun gazmor, njeriun e dashur por dhe artistin e madh. Unë tek ai dhe tek Vitorja kam parë një çift të mrekullueshëm. Ai mbrapa ka lënë  fëmijët, bashkëshorten që e respektojnë dhe nderojnë dhe aty në përjetësi. Kjo ditë është për të e shënuar pasi dhe pse nuk është fizikisht, është me ne shpirtërisht, me veprën e tij, me humorin e tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

  Vitore Sallaku-bashkëshortja

Ju faleminderit për fjalët që thatë. Këtu unë mësova shumë gjëra që nuk i dija. Mësova disa gjëra që vërtet më duheshin. Ju ma lehtësuat dhimbjen, ma sollët sot Skënderin të gjallë. Zoti ua shpërbleftë!

Skënder Sallaku 25 janar 1935 Tiranë – 11 shkurt 2014 Tiranë, një nga aktorët tanë të humorit, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe ka kryer një kualifikim një vjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si kloun akrobatik në cirk, aktor tek Estrada e Tiranës, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.

 Albert Z. ZHOLI