Njerëzit më kollaj mund t’i bësh të qajnë se sa të qeshin

640
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktori, regjisori dhe skenaristi Naun Shundi: “Vepra dramatike është matematikë e lartë, komedia është super matematikë e lartë”

Ka mbi 65 role në komedi dhe në dramaturgji, por sërishmi ai thotë se janë pak. Por kur flitet për Naunin përveçse aktor ai është dhe një regjisor dhe skenarist i talentuar. Roli i Faik Konicës tek drama “Ëndrra e Ismail Qemalit”, ai thotë që është një rol specifik dhe me shumë përgjegjësi.

 -Kohët e fundit jeni duke luajtur tek “Ëndrra e Ismail Qemalit” një rol shumë interesant, çfarë përfaqëson në vetvete një rol i tillë si ai i Konicës?

Më lejoni të them  se, për realizimin e kësaj figure më është dashur të shfletoj shumë. Kam lexuar çdo gjë që kishte shkruar Konica dhe çdo gjë  që të tjerët kanë thënë për Konicën.  Për çdo aktor, kur bëhet fjalë për të realizuar një rol autentik, është një ndërmarrje e vështirë dhe me shumë përgjegjësi. Në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”  vetëm dy personazhe janë autentikë: Ismail Qemali dhe Faik Konica. Në cilësinë e kolegut dhe partnerit, dua të nënvizoj se, Fatos Sela në rolin e Ismail Qemalit, ka realizuar një rol të shkëlqyer. Ishte kënaqësi të punoje me të siç kam pasur dhe nderin që u drejtova në këtë vepër nga regjisori Spiro Duni.

-Mendoni se ishte i kompletuar nga ana e tekstit një personazh kaq interesant dhe kaq i komplikuar njëkohësisht?

Vepra ka si objeksion figurën e Ismail Qemalit, rrugëtimin e tij drejt aktit final.  Konica ka vetëm një dialog me Ismail Qemalin, pra është në shërbim të biografisë së heroit  dramatik, duke shpalosur po në të njëjtin dialog dhe tërë pikëpamjet, qëndrimet dhe kundërshtitë me Ismail Qemalin.  Mendoj që ky dialog, nxjerr në pah vlerat e vërteta, karakterin tepër të veçantë të Konicës që për fat të keq, prej shumë kohësh ishte lënë në harresë.  Intelektual si Faik Konica i bëjnë nder kombit, të cilit i përkasin. Më ka lodhur si figurë, më ka lënë pa gjumë, për faktin që në dhjetë minuta jetë skenike, duhet të krijoja një personazh me tërë dimensionet e tij. Njëkohësisht mund të them që puna me të më ka dhënë  një kënaqësi krijuese të veçantë.

-Po ju a keni marrë penën të shkruani diçka për Konicën?

Jo, në këtë rast jo. Të shkruash për Konicën  mua nuk ma mban. Ky është  gjykim. Të shkruash për Konicën do të thotë ta gjykosh atë, ose ta komentosh atë. Unë nuk e kam bërë asnjëherë këtë gjë. Konica mbetet një intelektual potent.

-Ju njiheni nga spektatori shqiptar më shumë si një aktor komik, ky rol tejet  serioz a ishte e vështirë ta luanit?

Unë nuk i ndaj aktorët nga aktorë komik, dramatik apo tragjik. Çdo aktori i qëllon në jetë të luajë role të ndryshme. Varet nga rrethana në të cilën e vendos autori personazhin. Në qoftë se je i besueshëm brenda atij karakteri ose asaj rrethane, bëhesh komik, duke qenë edhe aktor tragjik. Ose e kundërta sado të thonë se unë jam aktor komik, por din të hysh në një personazh që është në një dramë të fuqishme duke përjetuar rrethanën e tij shumë dramatike atëherë bëhesh edhe dramatik. Pra, ke hyrë në rolin tjetër.

-Ju keni afërsisht 65 role dhe pjesa dërrmuese ju e keni role komike. Në këtë   koncept mendoj se keni formuar një figurën tuaj tuajën në drejtim të qenit aktor komik?

Unë mendoj se nuk kanë bërë keq ata që më kanë parë më tepër në drejtim të komedisë. Mbase është një xhaketë që më rri më mirë komedia, për psiko-fizikun tim. Kjo ka të  bëjë me përshtatjen.. Thonë se vepra dramatike është matematikë e lartë, komedia është super matematikë e lartë. Të arrish të përçosh tek spektatori këtë gjë, ti bësh të qeshin me hallin tënd është shumë  humane. Njerëzit më kollaj mund t’i bësh të qajnë se sa të qeshin.

-Ju jeni edhe autori komedish dhe regjisor dhe aktor.  Cili rol nga këta të tre është më i vështirë?

Po ta ndaj veten time si autor, regjisor, aktor dhe unë them se puna më komode është autor se je vetë me lapsin dhe letrën tënde. Pra je komod me veten. Përsa i përket aktrimit është magji e madhe të jesh përballë 1000 syve që të ndjekin ty. Kjo është një përgjegjësi e madhe  dhe të  angazhon emocionalisht dhe të krijon  kënaqësinë që pak vetë e kanë fatin ta kenë. Për të qenë regjisor është përgjegjësi e madhe. Unë më mirë bëj tre role se sa një regjisurë. Për nga ngarkesa që ka, nga përgjegjësia dhe nga të gjitha andrallat që vijnë nga ndërmarrje të tilla, regjisura ndryshon. Kjo ka të bëjë me shumë faktorë dhe jo vetëm me konceptin mbi një vepër. Këtu pleksen të gjitha gjërat. Të vendosësh një vepër në skenë duhet të jesh hero. Duhet të kesh durim për çdo gjë se klima për të ndihmuar regjisorin që është mbreti i kësaj pune është zero në të gjitha drejtimet. Duhet t’i marrësh vetë përsipër të gjitha. Prandaj them se të jesh regjisor është më e vështira. Të vësh një vepër në skenë je hero.

-Vihet re në të gjithë teatrot shqiptare që më shumë vihen në skenë vepra të huaja. Pse ndodh kjo?

Për të vetmen arsye që nuk inkurajohen, trajtohen dhe shpërblehen dramaturgët shqiptarë. Kemi me qindra poetë, romancierë. Dramaturgët numërohen me gishtat e dorës. Ndaj e kanë më kollaj se janë vepra të huaja dhe i kanë rezistuar kohës. Janë të afirmuara, konfirmuara dhe të duartrokitura nga publiku i huaj. Autorët janë të njohur. Nuk thuhet për një regjisor që merr të vendos në skenë Shekspirin dhe t’i thuash e ke bërë keq. Vendosja  e veprave të huaja nuk është gabim për teatrin, por problemi është ndjekja e politikave teatrore. E rëndësishme është se çfarë politike e huaj ndiqet në teatër dhe çfarë ekuilibrash ruhen në raport me veprat kombëtare. Përgjithësisht ka një varfëri të  veprave kombëtare. Kjo vjen nga diskriminimi që i bëhet autorëve shqiptarë. Të shkruash një dramë është e vështirë. Kur mendon si autor se, kjo dramë do të  shikojë dritën e skenës pasi të kalojë shumë porta dhe të aprovohet nga shumë gjëra, dhe në  fund fare autori merr një shifër qesharake të hollash detyrimisht arrin e i thua vetes se përse e ndërtoj gjithë këtë për tu shpërblyer në këtë mënyrë? Kjo është një ndërmarrje e madhe dhe jo efiçente dhe me humbje. Ai që e ka pasion është tjetër punë.

-Në këndvështrimin tuaj kush është problematika e sotme në teatër dhe në komedinë shqiptare?

Problematika e teatrit dhe komedisë është një. Unë nuk e ndaj dot. Në radhë të parë është vlerësimi. Vlerësimi jo vetëm në kuptimin financiar, aq më tepër financiar. Duke qenë profesion thellësisht i veçantë, specifik, duhet respektuar si i tillë sepse jo kushdo mund të bëhet  aktor. Prandaj është shumë specifike. Prandaj duhet inkurajuar dhe vlerësuar që këta aktorë që na kanë ardhur në skenë dhe na dalin përpara, ne duhet t’i mbajmë dhe t’i inkurajojmë, t’i përkëdhelim dhe të mos bëhemi xhelozë për to. Është krim që ta shikosh shtrembër një artist. Duke qenë se kemi vite që merremi me këtë punë kemi arritur në  konkluzionin që të punosh shumë, me dashuri dhe pasion dhe të dashurosh profesion tënd që të mund të arrish diçka. Ka rëndësi mënyra se si trajtohet artisti.

-A është konkurrues aktrimi shqiptar dhe a ka aktorë dhe drama cilësore?

Unë mendoj se po, sidomos përsa i përket vlerave aktoriale jam i bindur, që teatrot shqiptar nuk i kanë munguar elementët dhe aktorët krejtësisht origjinalë nga niveli artistik. Ata mund të përballen me shumë dinjitet në çdo skenë të Europës. Kjo, falë temperamentit tonë mesdhetar, falë shkollës tonë aktoriale.