Njerëz, kjofshi të lumtun!

631
Sigal

Sa mirë që u takuam! Zemra më rreh me forcë si me dashtë me dalë prej krahnorit! Kam gëzim të madh! Ju paça për jetë! -Të lumtë goja Rrok Nushi! Ke kenë dhe je burr i fort e fisnik si Bushi. Lum si ne që u bashkuam përsëri! -S’ka ma mirë,- tha Rroku dhe vazhdoi: Si kështu o burra! Nuk qenkeni plak aspak! Ju shoh më të rinj se dikur! Me shëndet marshallah! -S’po kuptoj asgja,- foli si me habi e qësendi mjeshtri i madh i shpirtrave njerëzor Tano Banushi. Ahman, të keqën Rrok, ku ke kenë tan këto vite? U ba një kohë e gjatë pa u pa! Si e kalove atje naltë në yje? – A e dini se ku e kam kalue “Uikendin Shpirtnor”? Sigurisht e keni të vështirë! Në të vërtetë ai s’ishte pushim. Kjo ka kenë një arsye ma tepër që erdha tek ju. Më solli një “Rreth Fluturues” i pilotuem nga dy aliend të planetit “Ylberi” i  galaktikës “Xhixhilloja”. Emrat e tyre s’mund ti tregoj. Janë top sekret. -Mos u zgjat por futu në temë se na turbullove mendjen,- tha me zë të ulët Shtjefën Palushi.  -Po, po, bjeri shkurt, mezi presim të dëgjojmë,- shtoi Biku. -Dakort. Kush ju prish qejfin?Jam në dispozicionin tuej. – Kështu pra. Shumë vite i kalova në Ferr! Mos u çuditni! Jo se e meritoja. Unë bana sikur e hangra. Më saktë ashtu ishte loja. Mbi çdo gja detyra. Kisha porosi të veçantë. E kam marrë  kur kam kenë në Tokë. Si me thanë “Carta Bianca”. Një ditë Kryerojtari i Madh i Qiellit më ngarkoj të kujdesesha për hollin e hyrjes të “Pallatit Fantastik të Drandafilave”. Do merresha, aq sa ma lejonte detyra, me pritjet dhe përcjelljet e”personaliteteve të nalta”. Për këtë më dhanë pjesë nga rregullorja e shërbimit si edhe disa sekrete të zanatit. -Në moment nuk pranova. Kurdoherë  kam kenë sovran.  Nuk jam mësue me i shërbye kurrkujt. Integriteti im asht brilant. A e dini si u përgjigja unë dora vetë dikur ma i madhi mbas të Parit të Pafundësisë dhe mbas meje Lenini. -Njëmijë herë u faleminderit. Ju lutëm,- nuk mundëm. Ende s’ka ardhur koha. Të shohim….. Këtu jemi. -Atëherë ai tha:- Kush kundërshton konsiderohet heretik dhe dënohet menjëherë. Do u dërgojmë për pak kohë në Ferr, mandej në Purgator dhe prej andej këtu tek ne. Qëndro i fort dhe me dinjitet. Pastrohu mirë dhe përgatitu për misione të reja. Ne kemi nevojë për ty. Që tani je”ambasador i tri botëve”. Mos u çuditni! Edhe në Tokë prej shekujsh ka tri botë: – e para, e dyta dhe e treta. -U dorëzova. Fjala e tij në vesh të Perëndisë. Shpirti i Rrok Nushit u ba pronë e tyre. Pa vonesë më dërguen në Ferr. Kur rashë brenda u mrekullova. Thashë:-s’ka ma mirë! Nxehtësi, sipas gradacionit të kërkuem, me të shkri tan damarët e trupit e të shpirtit. Në Ferr kurrë nuk vuajnë nga të ftohtit, acari  dhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Edhe drita s’mungonte. Nga ajo ka ardhë jeta. As taksa nuk kishte.” Si në Komunizëm”, – m’u përgjigj Azer xhevap një djall i ri dhe simpatik. -Do të iu them një të vërtetë, siç thonë rusët, “mjezhdu nami”. Pse të friksohena nga Ferri? Të paktën atje s’ka dhunë, vrasje, vjedhje, grabitje, korrupsion, shfrytëzim të njeriut prej njeriut etj.. Për nder gjynah me i thanë Ferr! Ma besoni, asnjë ferr nuk më hyni në kambë. -Të marsha të keqën Rrok,- i tha Tefa,-a bane sadopak qejf?- Pse s’na dërgove nga një ftesë? Të gjithë kishim ardhë menjëherë. -Po raki a kishte ahman?- ndërhynë brilandët e humorit  shqiptar Bik Pepa dhe Tano Banushi. -Ah, më prekët në  shpirt! Tan trupi më gicilohet. Siç e dini për raki mbaroi. Ajo asht dashnorja ime. Atje kishte me bollëk. Pyetni, i pastë dritë shpirti, Leonardo Da Vinçin shkodran Kolë Idromenon. Të gjithë e keni shikue pikturën e tij të famshme të tri “botëve”. Kujtoni grupin e mëkatarëve ulun kambë mbi kambë tuj pi venë e raki, mandej sherri dhe së fundi hataja. -Shoqni të mirë si me thanë “puro sade”a pate Rrok,- tha me padurim Biku? -Lene mos e luej Bik, sa të duesh dhe si po i don. Më jep sy më pa,veshë me dëgjue, duer me prekë dhe gojë me shijue.Të gjitha llojet dhe markat. Tamam si ngjyrat e ylberit. Një spektakël hyjnor! -Du me të  pyet edhe për diçka tjetër,- tha me za të ulët dhe i mërzitur Tanoja? A  ke dëgjue ndonjë fjalë për Leun, që e kam pasë shokë të ngushtë dhe llogaritar të përsosur? Ndrikullat ku janë?A jetojnë? Më duket se e kanë braktisun shefin e tyre! Njëra u tregue tepër mosmirënjohëse. Në përgjithësi e lanë në baltë. Kanë gjet një tjetër. -Tano, na erdhi shumë keq. Ato u përpoqën me ia…. por ai i fokusoi  aty ku duhet me një mjet special të markës prodhim vendi “Made in Shkodra”. Më besoni vëllazen  e kam dasht dhe e du me gjithë zemër. Ju kujtoj se me atë ngjasoj shumë. Pathuejse jena njëlloj. -Ej ju, gati sa e harruem Paulin Selimin! A e dini që ai na ka ftue? Atë e kemi midis nesh! -Ta marim…., – tha Biku. Me ne asht ma mirë. Ka për të ba një jetë fantastike. Do ta akomodojmë me të gjitha pajisjet e nevojshme si në përrallat e njëmijë e një netëve. Na ndihmon  shpirti i shokut Xhemal. Edhe atje e kanë emnue kryetar në një departament” me rendësi. -Ke të drejtë Bik,- ndërhyri Tanoja. Paulin, do të marrim me vedi. S’ke ç’ban. Mos kundërshto. Vendos shumica. Të siguroj nuk ke me hjek zi dhe as me u mërzit. Na beso, ma mirë sot se mot, mish e venë dhe raki kena plot. Gjithashtu pula të pjekuna. Kur të duesh edhe të gjalla. Të porosisim ekstra brune- misse njala  – Kam një pyetje të fundit,- tha Biku. A keni dëgjue ndonjë fjalë për”Çiftin e lumtun”? Nuk e di ku janë dhe si e kalojnë? Uroj që të jenë plot me nipa e mbesa. Më kanë thanë që njerëzit nuk ngopën tue shikue këtë telekomedi! Sa mirë! Por çuditëm pse e kanë harrue autorin dora vet shkrimtarin e talentuem humorist Bik Pepa? Ata të filmit janë krijesat e mij. I kam pjellë nga mendja. Margaritari edhe në fund të detit shkëlqen! – Këtu komandon Rrok Nushi. Grupi gati për fluturim. Do të shkojmë përsëri atje ku ishim. Njerëz qofshi të lumtun! Ju urojmë shëndet, jetë të gjatë, suksese, paqe, përparim e mirësi! Mos na harroni! Lamtumirë!