Njëqind vjet kolonializëm mizor grek në Çamëri (1912-2012)

734
Sigal

SPECIALE/ Intervistë me Ahmet Mehmetin, drejtor i Institutit të Studimeve për Çamërinë

Z.Mehmeti, si shpjegohet historikisht jetëgjatësia njëshekullore e neokolonializmit grek në Çamëri?

Historia e të drejtave ligjore të minoritetit etnik shqiptar në Greqi, të çamëve, është një shkelje flagrante e të gjitha normave të së drejtës të vetë shtetit grek si dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo gjendje filloi me aneksimin e Çamërisë në shtetin grek në nëntor të 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vazhdoi pas Protokollit të Firences e deri sot. Në periudhën 1 -14 nëntor 1913 u hartua dhe nënshkrua Traktati i Paqes i Athinës midis Turqisë dhe Greqisë, ku përcaktohet qartë se banorët e territoreve të aneksuara nga kjo e fundit do të ruajnë administrimin e lirë të pasurive të tyre dhe të drejtat për t`i disponuar ato pa pengesa. Konkretisht në Nenin 6 të këtij traktati shkruhet: “… Në vendet e zotëruara nga Greqia, të drejtat e pasurisë mbi pronat e paluajtshme bujqësore, të zotëruara nga persona privatë me dokumente nga shteti osman, para zotërimit të tyre, do të njihen nga shteti grek. Janë të përfituar përsa i përket të drejtave të pronësisë mbi tokën. Në emër të personave ligjorë të regjistruar ose të zotërimeve në saj të ligjeve osmane të pasardhësve të paqes. Mund të privohet nga prona e vet, pjesërisht ose tërësisht, e cila mbahet për hir të sigurimit të interesit pas një zhdëmtimit të saj”. Plot 4 vjet më vonë, në të njëjtën datë, më 14 nëntor 1917, miratohet ligji nr. 924 dhe me dekret mbretëror në mars të 1918-ës në zbatim të tij, ndalohet rreptësishtë shitja dhe tjetërsimi i pasurive të paluajtshme që gjendeshin në territorin e aneksuar nga Greqia pas luftërave ballkanike. Kjo masë thellësisht e padrejtë që ishte në kundërshtim me nenin 6 të traktatit të paqes e detyroi popullsinë myslimane shqiptare të krahinës së Çamërisë të shikojë veten në perspektivën e trishtuar të të qenit të detyruar të mërgojë duke lënë pasuritë e tyre të paluajtshme dhe fushat e tyre që përbënin, për shumicën dërrmuese, pasurinë e vetme. Zgjedhja e Turqisë në atë kohë duke mos ardhur në Shqipëri, bëhej pasi kësaj nuk i ishte njohur zyrtarisht të qenit shtet i pavarur. Në atë kohë qëndrimi i tyre ishte mjet i vetëm për të ruajtur të drejtën e kërkimit, më vonë, të kombësisë shqiptare. Në këto kushte kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris Luigj Bumçi (atëherë peshkop i Lezhës) i drejtohet kryetarit të kësaj konference Zhorzh Klemanso, më 25 korrik 1919, të ndërhyjë tek shteti grek për shfuqizimin e dekretit mbretëror dhe për pasojë pengimin e dëbimit të shqiptarëve myslimanë, ku thekson se Traktati Turko-Grek “përputhet me parimet më të shenjta të drejtësisë” dhe “asnjë pengesë të mos vihet nga qeveria greke për tjetërsimin e lirë të pasurive të tyre të luajtshme e të paluajtshme”. Një vit më vonë u nënshkrua Traktati i Sevrës (10 gusht 1920) midis Aleatëve dhe Turqisë, si pjesë e negociatave të Konferencës së Paqes të Parisit. Përsa u takon shqiptarëve të Çamërisë në artikullin 2 të këtij traktati midis të tjerave theksohet “Greqia pranon të sigurojë mbrojtje të plotë për jetën dhe liritë e të gjithë banorëve të Greqisë pa dallim origjine, kombësie, gjuhe, race apo përkatësie fetare”. Për më tepër në artikullin 8 të po këtij traktati konfirmohet qartë: “Qytetarët grekë që u përkasin minoriteteve racore, fetare apo gjuhësore, do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe siguri, me ligj dhe zbatim si dhe qytetarët e tjerë grekë. Në veçanti, ata do të kenë të drejtën e barabartë për të ngritur, drejtuar dhe kontrolluar, me shpenzimet e tyre, institucione sociale, fetare apo bamirësie, shkolla dhe struktura të tjera arsimore, me të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre dhe të ushtrojnë besimin e tyre lirisht. Në artikullin 1 të Traktati të Sevrës theksohet “Greqia pranon se kushtet e përshkruara në artikujt 2 dhe 8 do të  njihen si ligje themelore dhe asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të konfliktojë apo do të ndërhyjë me këto kushte, po ashtu asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të mbizotërojë mbi to”. Më në fund Greqia me një dokument ndërkombëtar njeh de jure praninë e minoriteteve kombëtare dhe të drejtat e tyre.

Po më tej si vazhdoi çështja e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë dhe trojeve të tjera etnike shqiptare në Greqi? A u respektua Traktati i Sevrës?

Traktati i Sevrës që nga koha e nënshkrimit e deri sot nuk u zbatua asnjëherë nga shteti grek. Në Çamëri vazhdoi të mohohej identiteti kombëtar i shqiptarëve nga qeveria greke duke shënuar në letërnjoftimin e tyre vetëm besimin fetar, për ata që i përkisnin fesë myslimane, kurse të krishterët shqiptarë, si në kohën e perandorisë otomane, quhen edhe sot grekë, duke u mohuar kështu të drejtat që gëzojnë minoritetet kombëtare në Bashkimin Europian e më gjerë. Një sfilitje torturuese ishte periudha 1923 – 1926 për shqiptarët e Çamërisë, në kohën e Traktatit të Lozanës (24 korrik 1923) midis Turqisë e Greqisë për shkëmbimin e popullsive. Megjithëse bëhej fjalë për grekë e turq, shteti grek me një mori pafund spekulimesh shfrytëzoi rastin të vinte në jetë “Megali -Idenë” për çrrënjosjen e shqiptarëve si turq, nga trojet mijëvjeçare. U desh ndërhyrja e fuqishme e shtetit shqiptar dhe e vetë çamëve që vunë në lëvizje të gjitha organizmat ndërkombëtare për shmangien e pjesshme të spastrimit të dytë etnik (pas atij të periudhës së Konferencës së Londrës), megjithatë u shpërngulën 35 000 shqiptarë autoktonë nga zonat e Konicës, Kosturit e Follorinës si dhe mbi 15 000 të tjerë nga Çamëria.

Çfarë metodash të tjera përdori shteti grek për shpërnguljen dhe diskriminimin e shqiptarëve në Çamëri?

Në periudhën që pasoi diskriminimi ekonomik dhe heqja e mjeteve të jetesës ishte një tjetër mënyre efikase për t`i detyruar shqiptarët të largoheshin nga vendi i tyre. Një varg ligjesh dhe aktesh nënligjore të komplikuara qëllimisht drejtoheshin kundër shqiptarëve myslimanë. Kështu ligji numër 3250 sanksiononte zhvlerësimin e tapive prej 100 vjet e tutje. Ky ligj shkelte Traktatin greko-turk të Athinës. E ashtuquajtura “Reforma Agrare” u bë mjet për t`i hequr myslimanëve çamë çdo bazë ekonomike. Ky shpronësim nuk u bë në favor të refugjatëve të ardhur nga Turqia, por të çamëve ortodoksë për t`i futur në armiqësi dy komunitetet me kombësi të njëjtë. Shpronësimi do të bëhej kundrejt një shpërblimi që s`u dha kurrë. Ndërkohë vazhdonte mos lejimi për shitjen ose dhënien me qira të pronave të tyre. Ligji i reformës agrare i hapi rrugë arbitraritetit dhe grabitjes të popullsisë myslimane shqiptare. Spekulime u bënë në matjet e sipërfaqeve të tokave, p.sh. fshati Goricë që kishte në fakt 7000 dynym u përllogarit 1400 dynym, Januri nga 5000 në 1500, Turkopallku nga 5500 në 1500, Kanellaqi nga 8000 në 1800 etj., kështu pronarët myslimanë u shndërruan në argatë, pa tokë, pa asnjë shpërblim. Ndaj kësaj gjendjeje të padurueshme u ngritën në protesta intelektualët e shquar çamë Ali Dino, Haki Sejko etj., duke ju drejtuar kryeministrit Pangalos, i cili për të zbutur gjendjen e acaruar në kulm pranoi: “Në Epir kemi disa mijëra çamë, të njohur prej nesh dhe që formojnë në shtetin tonë minoritetin shqiptar. Në qoftë se në të kaluarën kanë ngjarë disa veprime të dëmshme për ta, nga ana e organeve vartëse, kjo nuk duhet kurrsesi të bëhet një vijë veprimi kundrejt tyre”. Por ky qëndrim i një autoriteti të lartë shtetëror nuk zgjati shumë pasi me ardhjen në fuqi të të diktaturës së Metaksait e deri në sulmin e Italisë gjendja sa shkonte rëndohej më shumë në kushtet e mohimit absolut të të drejtave të njeriut si mohimi i shkollës dhe i gjuhës amtare në publik, mohimi i votës etj. etj. të cilat u sanksionuan me ligje e pa ligje si në një regjim tipik fashist.

Si u veprua me pasurinë e shqiptarëve?

Me administrimin e pasurisë së grabitur të çamëve u morën autoritetet lokale duke spekuluar me ligjin 1539/ 1938, Art.34. Sipas As. Prof. Kyriakos D. Kentrotis në vitin 1947 çamëve ju hoq shtetësia greke në mënyrë kolektive me dy protokolle: Nr. 49 343 / E / 2 / 29.10.1947 i autoriteteve për çështjet juridike në Ministrinë e Jashtme dhe Nr. 3976 / 8.11.1947 të Ministrisë së Brendshme. Të dy protokollet janë bazuar në akuza false për “bashkëpunim dhe veprime kundër interesave të popullit grek”  Grabitja e pasurive të shqiptarëve u bë për të realizuar kolonizimin e ëndërruar e planifikuar të Çamërisë qysh në vitin 1844 me famëkeqen Megali -Ide duke jua ndarë tokat dhe pasuritë e tjera të shqiptarëve kolonëve grekë dhe duke proceduar me Bankën Agrare. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto akte ligjore e nënligjore në vitet 1966 dhe 1998 shteti grek miraton dhe dy ligje të tjera me numra përkatësisht 4506 dhe 2664. Ironia e këtyre dy ligjeve qëndron në atë se mbështeten në Ligjin famëkeq të Luftës me Shqipërinë nr. 2636 / 1940 kur çamët ndodheshin në vendet e tyre në Greqi dhe gëzonin të gjitha të drejtat si qytetarë grekë.