Një zë i kultivuar drejt suksesit të sigurt

88

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Onanta Spahiu, këngëtarja beratase më famë ndërkombëtare

Rrugës së muzikës i ka hyrë që e vogël, ku në disa festivale për fëmijë ka marrë edhe çmimin e parë. Pjesëmarrjet e saj në eventet e ndryshme muzikore, por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë e bënë atë të njihet gjerësisht, ku gazetat e ndryshme evropiane e kanë vlerësuar për zërin e saj të ëmbël. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Onanta Spahiu shpalos arritjet e saj të deritanishme dhe angazhimet për të ardhmen.

Onanta, si u zbulua talenti juaj dhe si ka ecur jeta juaj artistike?

Të këndoja, e kam pasur dëshirë që në moshë të vogël. Ishin prindërit e mi, ata që më angazhuan në koncerte të ndryshme që zhvilloheshin në qytetin tim. Pjesëmarrja e parë ka qenë në festivalin e fëmijëve, në Shtëpinë e Pionierit, ku me këngën “Po troket adoleshenca”, zura vendin e parë. Po në këtë vit mora pjesë në festivalin që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë, ku mora vendin e tretë. Më pas në moshën 13-vjeçare mora pjesë në “Top Fest” me këngën “Sa frikë kam”. Duke vijuar më tej me këngën “Dashurisë i erdhi vjeshta” (shoqëruar me një videoklip), me të cilën isha pjesëmarrëse në RTSH në eventin “Nata e të rinjve”. Më pas jeta ime artistike vazhdoi më tej në “Top Fest” me një duet me këngëtarin Ernis Çili, me titull “Famë”. Videoklipin e dytë e kam bërë për këngën “Më fal”.

Si u realizua bashkëpunimi juaj me grupin rumun?

Kënga e shoqëruar me klip titullohet “Touch me” është vlerësuar gjerësisht në Europë, ku është komentuar pozitivisht edhe bashkëpunimi me një nga pjesëtarët e grupit “DEEP SYSTEM”. Në Rumani përveç kësaj po transmetohet gjithashtu edhe kënga “Jina Stoeva”. Videoklipin e kësaj kënge e kam realizuar në plazhin e Velipojës.

Pjesëmarrja juaj e fundit, në cilin kompeticion ka qenë?

Për herë të fundit kam marrë pjesë në festivalin rinor “Hit fest”, realizuar nga TVSH-ja. Këtu u paraqita dhe me këngën “Sonte” (versioni shqip i këngës “Touch me”), këngë, e cila u prit mirë nga publiku.

Si e mendoni të ardhmen tuaj?

Për momentin kam primare shkollën, pasi këtë vit do të vazhdoj studimet e larta dhe jam në ankth derisa të sistemohem në degën që dua. Si synim për këtë vit kam pjesëmarrjen në Festivalin e RTSH.