Një vit pa drejtorin e teatrit të Fierit, Xhelal Hoxhën

177

Nga Luftar Paja , “Artist I Popullit”

U mbush një vit që është ndarë nga jeta miku dhe shoku ynë i dashur, Xhelal Hoxha. Xhelali u nda nga jeta, më 10 shkurt 2018. Ai ka mbetur në mendjen dhe në zemrën time, një burrë i mençur, i kthjellët dhe i qeshur. Ka një fillesë origjinale njohja jonë qysh në moshë të njomë në vitet e hershme në Patos. Ndodh që njerëzit të flasin shpesh herë fjalë të mira për njerëzit që ikin nga kjo botë, por për Xhelalin nuk është e stisur kjo dashamirësi. Ai plotësonte disa kushte dhe norma në shoqërinë që e rrethonte. Unë kam pasur fatin e madh që u njoha qysh herët me një mik të mençur si Xhelali. Që nga vitet ’60 jemi njohur në lëvizjen amatore në Patos.

Rasti e solli që me mbarimin e studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, Xhelali u emërua në Teatrin “Bylis” në Fier. Në atë kohë ishte vetëm estrada. Me krijimin e teatrit Xhelali u emërua drejtor i parë i tij. Në çdo detyrë Xhelali ka qenë njeriu rregullator midis artistëve. Ai kishte aftësi cilësore në forcimin e mjediseve artistike. Xhelali mundohej të hidhte hapin e duhur në moment shumë të mprehta që shfaqeshin. Unë dhe shokët e mi kemi mësuar shumë nga virtytet e vyera të tij. Bashkë me Sandrin dhe Sazanin çdo ditë mblidheshim tek kafeja e Aleancës. Vendi i Xhelalit nuk është zëvendësuar. Na mungon njeriu me vlera të rralla. Them, të rralla, sepse ai i rriti fëmijët duke ua transmetuar këto vlera e duke i bërë ata njërin më të vlefshëm se tjetrin për shoqërinë. Ai ishte një intelektual i rrallë me bagazhin që kishte, e të bënte ta dëgjoje me dëshirë. Veçori e karakterit të Xhelalit ishte pasqyrimi i të vërtetës në jetë dhe në shoqëri me seriozitetin e duhur. E vërteta për Xhelalin ishte thesar i shpirtit të bukur të njeriut që duhet çmuar dhe ruajtur pa e shpërdoruar. Ja kështu m’u shpërfaq në këtë përvjetor kujtese ky njeri me kontribute të vlerësuara shoqërore. Ndonëse u bë një vit nga ndarja e tij ai shpesh më shfaqet i gjallë ashtu siç e kam njohur, njeri fisnik, i ditur dhe i dashur.

Miqtë

Vjen Sandri (Aleksandër Jorgaqi) kujton me shumë dhimbje momentet e ndryshme të bisedave. Sazani (Sazan Gremi) kujton ndonjë bisedë plot vlerë që na bënte përshtypje. Xhelali kishte një shenjë të veçantë me njërën dorë të mbështetur në tavolinë dhe me tjetrën jepte shenjën e largimit me fjalën “Edhe për sot përrallëza jonë mbaroi!”.

Familja

Xhelali edhe pse kishte 5 fëmijë me shumë sakrifica mbaroi Institutin e Lartë të Arteve. Katër vjet në Institut si kryefamiljar pa asnjë ndihmë, por vetëm Naxhmija, bashkëshortja ishte në punë. Ai e mbaroi Institutin me rezultate shumë të mira.

Dashuria për librin

Një veçori e rrallë e Xhelalit. Libri ishte pjesa më e pandarë e jetës së tij. Edhe sot në shtëpinë e tij gjendet një bibliotekë madhështore që do ta kishte zili çdo intelektual. Edhe në sistemin komunist edhe në demokraci, Xhelali do t’i hiqte mënjanë lekët për librat. Nuk e konceptonte dot një ditë pa lexuar. Në bibliotekën e tij gjenden libra të rrallë, pasi ai ishte merakli i librit.

Pasuria

Pasuria më e madhe për të ishin fëmijët, libri, nipërit dhe mbesat. Por një pasuri krejt e veçantë ishte sinqeriteti. Kurrë nuk gënjente dhe kurrë nuk fyente. Të qenit njeri ishte kryefjala e tij jetësore. I varfër, por në veshje dhe sjellje dukej aristokrat.

Vlerat e veçanta

Modest, interpretonte në mënyrë modeste, por si drejtues ishte i rrallë. Nuk kishte llafe, maste 7 herë, pastaj priste një herë. Në rrethet artistike, ku jo pak zënë vend xhelozitë dhe thashethemet ai dallohej se ishte shume i matur. Kishte në qendër të vëmendjes komunikimin me njerëz të ditur dhe me përvojë. Ai ishte fjalëpakë dhe punë shumë. Kishte veshje korrekte dhe ishte shumë xhentil. Dashamirës ndaj njerëzve të punës. Bënte vlerësime pa xhelozi. Ka qenë inspektor kulture, një jetë të tërë.