Një traditë e re inkurajuese për talentet

1005
Sigal

Qendra e PEN-it ndan çmimet e vitit jubilar 2012 për letërsi, studime

PEN qendra shpërndan çmime vjetore që nga viti 2011. Me këto çmime PEN nuk pretendon që të vendosë kritere nga katedra apo nga orientime të ndikuara prej korrenteve letrare a të politikës. Kriteri thelbësor mbetet një qasje sa më ngushtë, sa më e drejtpërdrejtë te letërsia dhe te shkrimtarët. E theksojmë këtë se, në vitet e fundit, pjesa që ka marrë kryet e vendit në reklamim, vjen nga ai segment i krijuesve që janë më pranë mediave, TV-ve dhe gazetave, të cilët nuk ka aq shumë nevojë për promovim. Edhe këta krijues kurrsesi nuk i përjashtojmë. Letërsia është një zeje që bëhet nga shkrimtari në vetminë e tij, por jo gjithmonë ajo që reklamohet është letërsia më e mirë. PEN me këtë qasje nga krijuesi bën ndërhyrjen e vet si një propozim, si vënie e gishtit drejt e te burimi, aty ku vlerat lindin, janë e duhen ndriçuar. Mbi këtë kriter ne kemi menduar të veçojmë autorë dhe vepra që e kanë sjellë vlera cilësisht të shënuara në letërsi, në përkthim dhe shkencë. Ibrahim Kadriun për romanin “Pjella e dreqit”, Resul Shabanin për kontributin e tij në dialogun midis kulturave, si veprimtar, si krijues, si botues dhe si përkthyes nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas. Rudolf Markun për librin “Një ballkanas në Londër”. Ndue Gjikën për librin me tregime “Tepër e thjeshtë”, Prof. Xhevat Lloshin si autor i monografisë “Përkthimi i Vangjel Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827”. Një çmim mirënjohjeje për Prof. Neritan Cekën dhe çmim inkurajues për poeten e re 17 -vjeçare, Elida Loci, për vëllimin e saj të parë me poezi. Prof Neritan Ceka si personalitet i kulturës sonë dhe si këshilltar për Kulturën i Kryeministrit i ka dhënë ndihmesën e vet PEN Qendrës së Shqipërisë. Ne i shprehim atij mirënjohjen për këtë mbështetje dhe e urojmë që të jetë si gjithmonë përkrahës dhe inkurajues për mbarëvajtjen e mëtejshme të librit dhe të shkencës sonë.
1.
Resul Shabani është poet, dramaturg, përkthyes, botues me banim në Shkup. Prej tij ne kemi veçuar punën si përkthyes nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas. Kjo për Resul Shabanin, krijues i poezisë e i dramës do të ishte pak. Por rastet nuk do të mungojnë. Ai është një poet që dëshmohet ende me penë të njomë e të mprehtë. Për këtë do të mjaftonte botimi i poezisë së fundit “Meditim tri ditë para vjeshtës”, që, sapo u shkrua pati tri publikime njëri pas tjetrit. Resul Shabanit shumë nga poetët e shkrimtarët shqiptarë duhet t’i jenë mirënjohës. Emrat e tyre janë të dëgjuar e të njohur tashmë edhe në gjuhën maqedone dhe ky kontribut përbën një borxh të kulturës shqiptare ndaj Resul Shabanit. Ai ka botuar në shtëpinë e tij botuese “Serembe” shumë nga autorët më të njohur shqiptarë. Botimi i tij i fundit “E beftë”, poezi të përkthyera nga Risto Lazarov, shënon ngulmimin e tij për vazhdimësinë e dialogut ndërkulturor. Resul Shabani, i nderuar me shumë çmime si krijues i poezisë dhe i dramës, është dhe veprimtar themelues i PEN Qendrës së Maqedonisë, me kontribute dhe për krijimin e PEN-it në Kosovë dhe në Shqipëri.
2.
Monografia e Prof. Xhevat Lloshit “Përkthimi i Vangjel Meksit dhe redaktimi i Grigor Gjirokastriti 18191827” është studimi filologjik mbi përkthimin e botimin për herë të parë në gjuhën shqipe të Dhiatës së Re. Ky studim ka rëndësi se ndriçon figurën e Vangjel Meksit si pionier i parë i Rilindjes shqiptare. Përkthimi dhe botimi i Dhiatës së Re në gjuhën shqipe u vlerësua menjëherë nga shkenca albanologjike e kohës. Për të folën e shkruan Hani, Ksilanderi, Bopi, G. Majeri, Fallermaieri dhe albanologu arbëresh Kamarda. Përkthimi e vuri gjuhën shqipe me dorë të sigurt në hartën botërore të gjuhëve indoeuropiane, si një gjuhë krejt e veçantë ndër gjuhët në botë. Përpara Dhiatës së Re në shqip kishte 26 vepra të botuara, por përkthimi i Dhiatës së Re ishte bërë nën mbikëqyrjen e specialistëve të shoqërisë biblike. Kjo përkujdesje e bëri përkthimin e Dhiatës së Re me pasaportë europiane siç do të thoshim sot. Ndaj dhe roli i saj për albanologjinë e kohës në Europë nuk krahasohet me asnjë vepër të shkruar shqip para saj. Xhevat Lloshi ka bërë një punë të specializuar filologjike për të zbuluar se me këtë vepër u bënë përpjekjet e para për standardizimin morfologjik leksikor të shqipes së shkruar. Bëhet fjalë për një gjuhë të aftë që të shprehë e të prodhojë tekst të një niveli dhe përmbajtjeje normative të cilësuar siç është teksti i Dhiatës së Re. Kjo monografi e një cilësie të tillë kërkon njohje dhe interpretim të specializuar ngushtë në fushën e filologjisë, njohje të alfabeteve të hershme të shqipes, njohje të thella shkencore mbi punimet mbi këtë vepër, përballje me një dokumentacion voluminoz etj. Prof Xhevat Lloshi në këtë 100 vjetor të Pavarësisë e solli këtë studim si homazh për shqiptarët që e përkthyen dhe e redaktuan, por si homazh dhe për ata europianë që e botuan dhe e financuan. Rilindja shqiptare si dhe rilindja e gjithë popujve të Ballkanit vinte si frymë europiane, si nxitje dhe kontribut i Europës. Dhiata e Re, më shumë se çdo tekst tjetër përpara tij, na ka vënë përballë me shkencën dhe me frymën iluministe, emancipuese europiane.
3.
I. Kadriu është shkrimtar me një përvojë të gjatë krijuese në prozë, poezi, dramaturgji dhe një nga publicistët me jetëgjatësi të shënuar në gazetat e Prishtinës. Ai shpallet Romancieri i vitit me romanin “Pjella e dreqit”, botoi Faik Konica, Prishtinë 2012. Prof. M. Hysa në një studim të tijin ka vënë në dukje vlerat e romanit “Pjella e dreqit”. Romani meriton vëmendje sepse mjetet e prozës së gjatë pësojnë një tendosje artistike që e rritin edhe më tej shprehësinë e tyre në vazhdimësinë e përvojës së tij si prozator, por edhe për rrokjen e një teme që të çon te plagët tona, te zbulimi I tyre, te mbartësit e shkaktarët, pikëzuar në mjedise dhe në personazhe nga klima e gjallë e ditëve tona. Në strukturat e romanit, në pajtim me poetikat e postmodernes, janë ndërkallur ndërmjet blloqeve të mëdha të tekstit unik romanor, mikrostruktura tekstuale që hapin dritare dhe kthjellojnë më tej atë që duhet thënë a nënkuptuar mbi personazhet qendrore të romanit. Veçojmë si cilësi të romanit prozën e zhdërvjelltë që e rrok ballas dhe në trungun e saj temën që trajton pa barokun a letrarizimin sipërfaqësor. Kjo rrit dimensionin e tendencës së vlerësimit të figurave përkatëse gjë që pasurohet dhe me ironinë e groteskun e kursyer e jo si qëllim në vete. Është proza e një autori në fazën e pjekurisë artistike, e një mjeshtri të romanit.
4.
Poezia e Rudolf Markut është e njohur prej dekadash për publikun shqiptar. Ai, që në krye të herës, ka qenë poeti i meditimit, i intelektualitetit dhe i rebelimit estetik. Libri i tij “Një ballkanas në Londër” vjen pas gati 17 vjetësh nga libri poetik i mëparshëm “Vdekja lexon gazetën” (1995). Ky libër i ri zgjoi menjëherë vëmendjen e kritikës gjë që shihet në esenë e përcjelljes së librit nga Arjan Leka. Jo aq për vonesën, se sa për rikthimin e R. Markut si poet ky libër ka joshur lexuesin dhe kritikën. Shumë nga bashkëmoshatarët në poezi të R. Markut, edhe pa u zhvendosur në Londër, kanë emigruar nga zeja e dikurshme e shkrimtarisë. Domosdo. Jemi në klimën kur materialja të gjithëve na ka mërguar nga punët e pabuka siç është letërsia dhe jo vetëm letërsia. Aq sa dikush edhe të pyet: vazhdon ende të shkruash poezi. D.m.th, ende po merresh me një punë koti. R. Marku vjet ka sjellë një roman Kësulëkuqja vjen me trenin e orës dhjetë… Ky roman është krijuar në ndërkohë që autori ka shkruar këtë libër me poezi. Këtu vijmë te ajo që dua ta theksoj. R. Marku tashmë po vjen si një autor prej Londrës. Ai është një londinez, një qytetar i Mbretërisë së Bashkuar që shkruan letërsi shqipe, që shkruan sikur ta kishte lënë penën diku fare pranë punëve e përkushtimeve të jetesës së re në një vend të ri. Dhe e rimerr këtë penë edhe si shqiptar, si ballkanas po të doni, por edhe si një londinez. Veç e nis shkrimin po te ajo faqe e bllokut të lënë përgjysmë, të atij blloku që e ka marrë me vete që kur iku nga Shqipëria. E ka vënë aty diku në baulet e tij, diku te çanta e udhëtimeve në botë, diku nën dosjet e punëve të përditshme. Po asnjëherë nuk i është ndarë këtij bllokut të vjetër. Kjo është ajo që ndihet menjëherë. Kush e ka njohur poezinë e tij, e rrok e prek këtë ndjesi: ky është Rudolfi poet, më paskësh marrë malli për stilin e për mënyrat e tij të të shprehurit në poezi. Dhe e lexon një herë, dy herë…
5.
Libri “Tepër e thjeshtë” i Ndue Gjikës sjell përvojën e një prozatori që ka hyrë pa shumë bujë në rrugën e prozës me vëllimet e tij me tregime, por edhe me romanin “Prapësia”. Ndue Gjika lëvron me shumë ngulm prozën e shkurtër, këtë zhanër të letërsisë që tek ne ka një histori të gjatë që me tregimet e M. Frashërit, të mjeshtrave të njohur si Mitrush Kuteli dhe Ernest Koliqi. Edhe më tej tregimi shqiptar gjeti rrëfimtarë të tillë si Naum Prifti dhe Sotir Andoni, pastaj dhe Dhimitër Xhuvani e Teodor Laço. Pas disa përmbledhjeve me tregime nga Lazër Stani e Faruk Myrtaj tregimi sot i ngjan asaj vjollcës së fshehur që ka ndrojtje të ngrejë krye. Romanet, libri publicistik, apo historia si rrëfim divulgativ në dhënien e biografive të personazheve historike kanë zënë mesin e fushës. Tregimi ka mbetur anash. Nuk është kjo arsyeja pse ndalemi te ky libër i Ndue Gjikës. Në librin “Tepër e thjeshtë” vjen një prozë që e ka afirmuar autorin si një nga tregimtarët me prurje të arrira në vitet e fundit. Libri përmban 19 tregime dhe tri novela. Në këto tregime Ndue Gjika nuk ka bërë atë që shumë prozatorë në këto vite, të ndikuar nga leximet, iu drejtuan teknikave të groteskut a të fantastikes, në kërkim të risive teknike e tematike. Ndue Gjika ka ecur nëpër një rrugë të njohur edhe më parë nga tradita jonë tregimtare. Të jetë i mbështetur në jetën e përditshme. Prozaiken, të përditshmen që të ngjan e rrafshët rreh ta ngrejë në nivelin e prozës artistike. Dhe jeta në të vërtetat e saj nuk është te çuditë, as te personazhet e çuditshëm por te e ndodhura që e jetojmë ti dhe unë me të tjerë. Kjo pikënisje të ngjan më e rrezikuara për të bërë art që të godasë, që të joshë e të thërrasë brenda faqeve të një libri. Por Ndue Gjika në tregimet më të mira kësaj ia ka arritur. E për këtë dëshmojnë tregime të tilla si: Marrëzi, Cigania, Hapa në jetë, Lulet e shegës, Dimensioni zero, Burri me trastë. Ndue Gjika është poet i prozës në arritjet e tij më të mira. Ai e rrok jetën së brendshmi. Herë si një rrëfim në vetë të parë. Por kryesorja është poezia e vizatimit të ndjenjave në dramacitetin e tyre kundërthënës e kapërthyes. Një poet i ndjenjës. Dhe kjo është lënda e lëngu i prozës së tij. Edhe vizatimi i peizazhit, i momentit, është në ndihmë të zbërthimit psikologjik. Fraza është e shkurtër dhe e ngjeshur. Fjala vjen e ngjyruar me frazeologji e me figuracion të freskët. Dhe peizazhi merr dritë e orkestrohet në tonalitetet e ndjeshmërisë së personazheve. Dinakëritë e poezisë e quan këtë mjeshtëri Markezi. Fol patjetër për motin e klimën, porosiste Hemingueji. E pra tepërt e thjeshtë ngjarja por magjia e tregimit tepër e vështirë për t’u endur e hollë dhe e tendosur sa të mos griset. Në ndonjë tregim (novelë) përdoret simboli. Druri dhe fruti i shegës janë boshti i rrëfimit sa dramatik aq dhe poetik te tregimi “Lulet e shegës”. Me këto procedime krijuese Ndue Gjika ka siguruar një përvojë që premton për një vazhdim të sigurt në rrugën e tij si prozator.