Një pasdite poetike në Shkodër

673
Sigal

Tingujt e kitarës dhe violinës bashkëjetuan atë pasdite Shkodre me mbi 40 poetë

Poezi të ruajtura si shënime e momenteve frymëzuese, të ruajtura në fundqoshe librash, të lexuara intimisht, poezi të gjalla në mendje të lexuesve virtualë, por që akoma nuk kanë marrë jetë që të nuhaten në aromën e librit. ‘Festivali i poezisë së pabotume’ u quajt nga organizatorët Elona Çuliq dhe Mirsad Basha të dy poetë dhe përfaqësues të aktiviteteve të rëndësishme kulturore në Shkodër. Ky organizim solli pranë njeri-tjetrit poetët e rinj, por jo dhe aq disa të tjerë që shkruajnë mjeshtërisht këtë gjini të letërsisë artistike. Të pranishëm nga Shkodra, por jo vetëm, ishin edhe te apasionuarit e poezisë. Tangar ku në vend të prushit ndizej poezia. Tingujt e kitarës dhe violinës bashkëjetuan atë pasdite Shkodre me mbi 40 poetë pjesëmarrës nga Shkodra, Saranda, Durrësi, Vlora, Tirana, Fieri dhe Kosova. Ashtu sikundër kishte edhe shume poetë që jetojnë në Europë dhe kanë dërguar poezitë e tyre për të qenë pjesë e kësaj mbrëmje poetike.

Aty i theu heshtja e poezisë së tyre të pabotuar. Poezi të pabotuara ndoshta për arsye financiare apo edhe për mungese të kurajës gjetën strehëzën në këtë organizim të ngrohtë. Disa prej këtyre poezive te pabotuara kanë arritur të qarkullojnë në rrjetet sociale duke krijuar impakt tek lexuesit, ku këta të fundit kërkojnë ndërrimin e statusit të këtyre poezive të pabotuara, në të botuara. Një ndër poetët shkodran që lexohet dhe pëlqehet shumë nga lexuesit virtual dhe vlerësohet si ndër më të mirët e poezisë së pabotuar dhe që shpejt do të gëzojnë edhe poezitë e tij botimin është edhe Klodian Kojashi. Gjithashtu një ndër organizatorët e këtij eventi Elona Çuliq shpalosi poezitë e saja të pabotuara në një konkurs në internet duke u bërë fituese e çmimit të parë dhe duke iu mundësuar botimi i librit të saj të parë në shqip dhe gjermanisht, në Austri.

Qëllimi i këtij aktiviteti është pasqyrimi i të bukurës, të nxitet sa ma shumë bota e poetit duke mos hezituar ta ndajë mes miqsh dhe poetëve të tjerë e më pas në lexuesit e gjerë, duke u ndjerë të lirë me fjalën e tyre poetike. Një tjetër qëllim është ballafaqimi i vlerave dhe nivelit, duke bërë të reflektojnë pjesëmarrësit për cilësinë e botimeve në mënyrë që gjithmonë të përzgjidhen më elitaret. Kjo tashmë do të kthehet një traditë në çdo fillim stine, ku çdo herë do të ketë një element të ri duke e bërë sa më dinjitoze këtë nismë. Fituesi i vetëm është emocioni, e bukura e poezisë dhe leximi i shpirtit dhe vlerës artistike.

 Cili është qëllimi i këtij organizimi?

Elona dhe Mirsadi: Qëllimi i këtij aktiviteti është pasqyrimi i të bukurës, i asaj të bukure që personat shkruajnë apo mendojnë. Të nxisim sa ma shumë shkruesit që të hedhin poezitë apo prozat e tyre në letër dhe të mos kenë ndrojtje për ‘ti ndarë ata me njerëzit e tjerë. Poezia është energji, nëse ajo ndahet me të tjerë ajo vetëm përfshin dhe bëhet më e fortë.

Sa është numri i poeteve pjesëmarrës?
Elona dhe Mirsadi: Kësaj radhe numri i pjesëmarrësve është mbi 40 poetë. Janë më së shumti nga Shkodra, por na gëzon fakti që ka pjesëmarrës nga Saranda, Durrësi, Vlora, Tirana, Fieri dhe Kosova. Ashtu sikundër ka edhe shume poet që jetojnë në Evropë, por që na kanë sjellë poezitë e tyre për të qenë bashkë në këtë mbrëmje të poezisë.

Mendoni se do e vazhdoni ketë traditë?
Elona dhe Mirsadi: Tradita patjetër që do të vazhdojnë, në çdo fillim stine, e çdo herë do të ketë një element të ri që do t’i bashkohet këtij eventi për ta pasuruar më shumë dhe patjetër për ta shpërndarë edhe më shumë.

Stimulon dhe motivon poetët?
Elona dhe Mirsadi: Patjetër! Ky është festivali i poezisë. Të gjithë brenda nesh kemi një poezi, mjafton që të jemi në qetësi që ta dëgjojmë atë dhe më pas ta hedhim në letër. Motivimi është sepse këtu çdokush është i lirë të vijë si të dojë me poezinë e tij, për ta ndarë me njerëzit.

Keni menduar t’i jepni përmasa të tjera këtij organizimi?
Elona dhe Mirsadi: Kemi menduar dhe madje kemi filluar punën për këtë. Kështu që edicioni tjetër do ketë edhe surpriza në këtë aspekt.
Për këtë edicion të dytë jemi në bashkëorganizim me organizata të njohura për fushën e veprimtarisë së tyre në jetën social-kulturore në Shkodër, si: Acli Ipsia, Radio Pulla dhe I Care.

Pjesëmarrësit janë poetë të rinj kryesisht?
Elona dhe Mirsadi: Pjesëmarrësit e këtij festivali janë të ndryshëm, të profesioneve te ndryshme etj. Kjo është e bukura sepse kështu secila poezi mundet të gjejë hapësirën e vet, e të mos harrohet në fletore apo rrjete sociale.

Po çmime pse nuk jepni?
Elona dhe Mirsadi: Çmime nuk japim për disa arsye sepse fituesi i vetëm është emocioni, e bukura e poezisë. E rëndësishme është që të mblidhemi dhe të lexojmë shpirtin, sepse poezia është fjala e shpirtit.

Freskida Miloti

 *********************

Përfundoi Festivali i 35-te i Këngës për Fëmijë, Vlorë 2014.

 Ky festival u organizua nga QKF Vlorë, me mbështetjen e DAR Vlorë dhe financuar nga Bashkia e qytetit. Vlen të përgëzohet puna e bërë nga stafi i QKF Vlorë dhe mbështetjen e përhershme të stafit të teatrit “P.Marko”. Mbështetës të këtij Festivali ishin: “Studio Bleta” “Xerox Kancelari” dhe sponsor i përgjithshëm i Festivalit te 35-te “Enea Electronic”. Një falënderim për “Billa Capital” & “Beleri Expo”. Në fund të këtij festivali, juria vlerësoi me çmim të parë këngën ” Mijëra shekuj kjo tokë do të jetojë” Andreino Lena, me muzikë të Viktor Rapushi.
Çmimi i 2-të : “Ëndërroj” Arni Dhamo
Çmimi i 2-të: “Kthehu ti” Dea Çobo
Çmimi i 3-të: “Botën duam ta ndryshojme” Ejona Mustafaraj & Ersea Abazaj
Çmimi i 3-të: “Nina-nana fli” Juga Seamaj
Çmimi i 3-të: “Eja të luajmë bashkë” Damian Banushaj
Çmimi “Interpretimi me i mire” : “Sa fjale di ti sot?” Joiana Ngresi

Punë e mirë është bërë nga mësuesja kujdestare Elda Ismailki, mësuesi i muzikës Elton Jaze, por pa mbështetjen e Drejtoreshës së Shkollës znj  Eralda Marku , ky event nuk do kishte arritur këtë stad kaq të lartë. Duhet theksuar që ka disa vite që koncerte e evente të tilla si festivali i fëmijëve nuk zhvillohen për mungesë financimesh. Festivali i fundit është zhvilluar në vitin  2007 . Edhe ky i fundit që ishte jubile (Festivali i 35-të ) do të financohet pjesërisht nga ana e Bashkisë, gjysma tjetër do të sponsorizohet nga donatorë të tjerë privat. Qyteti vuan mungesën e fondeve për aktivitete artiske sidomos ato të fëmijëve.