“Një pasdite me Dora D’Istrian, muzën europiane të lirisë”

789
Sigal

Dje, Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi aktivitetin “Një pasdite në muze me Dora D’Istria-Muza europiane e lirisë”. Ky aktivitet ishte një takim i karakterit shkencor-social për të përkujtuar princeshën rumune me origjinë shqiptare, Elena Gjika.Në këtë aktivitet morën pjesë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z. Melsi Labi, Kryetarja e Shoqatës “Elena Gjika” në Tiranë, znj. Rajna Kovaçi, nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar z. Dorian Koçi, nxënës të shkollës “Dora D’Istria” në Tiranë dhe dashamirës të personalitetit të Rilindjes Kombëtare Elena Gjika.Aktivitetin e çeli drejtori i muzeut z. Labi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen e gjerë në aktivitet. Z. Labi mbajti kumtesën: “Dora D’Istria (Elena Gjika) në krijimtarinë e Dhimitër Kamardës”. Në fjalën e tij ai tha se, “Në shtegtimin e jetës së saj, Elena Gjika në muajin mars të vitit 1865, kur gjendej në Livorno, u njoh me Dhimitër Kamardën. Nga Livorno, Elena Gjika u ka dërguar letra të shumta Thimi Mitkos, Zef Jubanit, Dhimitër Kamardës, Jeronim de Radës etj. Dhimitër Kamarda i ka kushtuar Elena Gjikës dy libra: “Fyletia arbërore” që u botua në Livorno, në vitin 1867 dhe “Shqiptarët për Dora D’Istrian”, që u botua më 1870. Në parathëniet e të dy librave, Dhimitër Kamarda flet me superlativa për Elena Gjikën.

Duke folur për princeshën rumune me origjinë shqiptare, Kamarda thotë: “Ajo kishte mirësinë e engjëllit, hiret e fisnikërisë, të cilat e bënin një krijesë të veçantë”. Elena Gjika ishte një historiane, filologe dhe etnologe me njohuri të thella. Dhimitër Kamarda e ka quajtur Dora D’Istrian “Unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. Gjithashtu ai ka qenë ndër të parët, që ka përkrahur mendimin e saj për krijimin e një Akademie Shqiptare. Elena Gjika i tregoi Kamadrës dorëshkrimin e librit “Shkrimtarët arbëreshë të Italisë së Jugut”, i cili u botua më pas në disa gjuhë të huaja: greqisht, italisht dhe gjermanisht. Shkrimet e Elena Gjikës synonin në ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Ajo përshkruan me romantizëm folklorin dhe ritet e lashta, gjithashtu edhe enigmën e gjuhës së shqiptarëve, e cila kishte tërhequr vëmendjen e shumë dijetarëve të kohës. Dhimitër Kamarda i ka kushtuar një libër me poezi princeshës rumune me origjinë shqiptare, i cili titullohet “Shqiptarët për Dora D’Istrian” (A Dora D’Istria gli albanesi) dhe është botuar në Livorno në vitin 1870. Libri është shkruar në formën e një Antologjie dhe përmban poezi që kanë shkruar autorë të ndryshëm për Elena Gjikën. Në parathënien e librit, Dhimitër Kamarda trajton çështjen e një alfabeti të përbashkët për shkrimin e gjuhës shqipe. Libri hapet me vjershën “Elenica”, që është shkruar nga një poet rumun, Eliadh Radulesku. Vjershat që vijojnë në libër e përlavdërojnë princeshën rumune, e cila nuk e ka mohuar kombësinë shqiptare, kudo ku ka shkuar nëpër Evropë. Dhimitër Kamarda i ka dhënë antologjisë karakter mbarëkombëtar, sepse në të përfaqësohen shkrimtarë nga gjithë krahinat e Shqipërisë. Zef Jubani ka shkruar poezinë “Ti je një yll e na shndrit Arbnin”, ndërsa Thimi Mitko dy poezi. Njëra titullohet “Zonjës Dorë Istriadhë” dhe fillon me vargjet: Elen’ Gjikë e Përmetit / Lule e malit të qytetit…Antologjia kushtuar Elena Gjikës ka karakter të theksuar kombëtar, sepse tregon respektin që kishin patriotët e Rilindjes për princeshën rumune me origjinë shqiptare. Gjithashtu hartuesi i kësaj Antologjie, Dhimitër Kamarda duke vlerësuar figurën e Elena Gjikës ka shkruar: “Një emër i tillë veçanërisht është i vyer për të zbukuruar këtë hyrje, sepse është mbushur me nderin e racës shqiptare si nga origjina e familjes së saj, si nga lavdia, që t’i përkasë sërës të shkrimtarëve më të gjallë të Evropës, si dhe të diturve dhe bukurisë, që ka mundur të bashkojë kultin plot fryte të shkencës dhe të letërsisë, ndërkaq nuk lë rast të ndihmojë me shkrime dhe vepra kombin shqiptar që nuk ia harron përjetë”. Dhimitër Kamarda në librin e tij “Fyletia arbërore”, që u botua në Livorno në vitin 1867, paraqet tiparet e kësaj gruaje të ditur, duke përshkruar portretin e saj, të punuar me mjeshtëri nga piktori venedikas Feliçe Skiavoni. Madje Kamarda është i pari ndër shkrimtarët shqiptarë, që i bën të ditur botës jetëshkrimin e saj. Libri “Fyletia arbërore” është mbështetur në një artikull të Dora D’Istrias “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, (La nationalite albanaise d’apres les chants populaires), të botuar në vitin 1866, në revistën prestigjioze “Revue des deux” të Parisit.Më tej fjalën e mori Znj. Rajna Kovaçi, e cila referoi temën: “Dora D’istria, maratonomake e barazisë gjinore”. Pas fjalës që mbajti z. Labi dhe znj. Kovaçi, nxënës nga shkolla Dora D’Istria, në Tiranë, recituan një poezi kushtuar Elena Gjikës dhe gjuhës shqipe.Më pas aktiviteti vijoi me fjalën e nëndrejtorit të muzeut z. Koçi, i cili mbajti kumtesën: “Identitete të lëvizshme. Rasti i Dora D’istrias në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” dhe me kumtesën e kuratorit të Pavijonit të Rilindjes në muze z. Sali Kadria, i cili referoi temën: “Dora D’Istria (Elena Gjika). Çështja Kombëtare Shqiptare”.Në këtë aktivitet u prezantua për të pranishmit edhe një pikturë e Penës së Argjendtë, dhuruar Dora D’Istrias nga 300 vajza shkodrane, marrë nga Arkivi i Shtetit posaçërisht për këtë aktivitet.Aktiviteti vijoi me një diskutim në sallë, ku të pranishmit folën për figurën e Elena Gjikës, si një studiuese me vlera të mëdha për Shqipërinë e shqiptarët. Aktiviteti përfundoi me shfaqjen e një dokumentari, i cili fliste për veprën e Dora D’Istrias dhe për jetesën e saj në Firence, e veprën që ajo ka lënë në bibliotekat e atij qyteti. Të tilla aktivitete në Muzeun Historik Kombëtar, do të marrin një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore shqiptare.

Blerina Braho

Marrëdhënie me Publikun dhe Media